Hashim Thaçi ia hapi një deriçkë Rusisë, por ajo është tepër e madhe për t’u mjaftuar me kaq.
1.
Në shikimin nga Moska “korrigjimi” i Hashim Thaçit mund të shihet me buzëqeshjen e madhe të një rasti të mirë gjeopolitik. Rusisë i hapen dy depërtime të mëdha strategjike: i pari si vazhdim i dëmtimit të demokracisë liberale dhe institucioneve të saj në hapësirën ish-komuniste dhe i dyti faktorizimi në politikën e sigurisë në Evropë, dhe kudo që Rusia konsideron se ka pika fërkimi me Perëndimin (si p.sh. në Siri). Në Kosovë këtë rast mund t’ia japë skenari që është në zhvillim e sipër për konferencë ndërkombëtare që do të “gjejë zgjidhje kompromisi për Kosovën”, e në të cilën Kosova do të insistonte të marrë pjesë SHBA-ja, e Serbia do të kërkonte praninë e Rusisë (me arsyetimin plotësues se çfarëdo marrëveshjeje për Kosovën duhet edhe ashtu të kalojë nëpër Këshill të Sigurimit të OKB-së, me bekimin e Rusisë).
Ky do të ishte depërtim natyral strategjik në faktorizim. Por, krahas tij, Rusia mund ta fitojë gratis testin e parë në vazhdën e politikës së vet të pengimit të konsolidimit perëndimor dhe atë, paradoksalisht, me ndihmë të drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Ndonëse Rusia kishte bërë përpjekje për pengimin e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit, ajo u arrit dhe si fryt i saj Republika e Maqedonisë së Veriut mund të bëhet së shpejti vend anëtar i NATO-s. Por kusht për këtë është referendumi në këtë shtet që, duke pyetur për emrin e ri , tash shndërrohet në pyetje për anëtarësim në NATO apo jo.
Dhe, kusht që të fitojë referendumi është që të gjithë shqiptarët e Maqedonisë të votojnë për të- meqë elektorati maqedonas mund të jetë i ndarë. Dhe, meqë referendumi mbahet në shtator, nuk ka moment më të keq për mobilizim të shqiptarëve të Maqedonisë sesa t’u thuhet se ka filluar një proces i rivizatimit të kufijve (“korrigjimit”) në baza etnike mes shqiptarëve dhe serbëve.
Edhe
Hashim Thaçi po ia hap një deriçkë Rusisë, thotë Surroi në kolumnen e radhës
Pyetja logjike që vijon është: nëse mund të bëhet mes shqiptarëve e serbëve, pse nuk mund të bëhet mes shqiptarëve e maqedonasve? Nëse mundet Presheva, pse nuk mundet Tetova? Shpjegimi për këto pyetje është i gjatë, dhe në fund del se nuk bën as Presheva e as Tetova- por koha kritike e parareferendumit nuk është e përshtatshme për shpjegime të gjata. Koha e parareferendumit do të ishte, në kushte normale, ajo kur të gjithë shqiptarët e regjionit të jepnin një mesazh unik, se duhet votuar referendumin, meqë ai shpie në NATO dhe e përcakton Maqedoninë në Perëndim, ndërsa nga Rusia dhe satelitët e saj të vinin porositë kundër referendumit, meqë ende nuk ka përfunduar procesi i ndarjeve etnike. Në kushte abnormale, porosinë e Rusisë e jep kryetari i Kosovës.
2.
Testi i Maqedonisë është imediat, dhe nëse në javët në vijim vazhdon porosia nga Hashim Thaçi për tregtinë e “korrigjimit”, faktori shqiptar në Maqedoni, i cilësdo përkatësie partiake do të jetë në gjendje të vështirë mobilizimi. Në konditat ku Rusia ka një avantazh në politikën e vet dezinformuese mediatike, hamendësimet brenda trupit shqiptar mund të kenë një rezultat tejet diskutabil në referendumin e Maqedonisë. Dhe nëse nuk kalon referendumi, Rusia do ta shënojë fitoren e vet të parë në këtë cikël, të pengimit të konsolidimit të institucioneve perëndimore në Ballkanin Perëndimor. Atëherë i mbeten edhe dy që nuk janë të vështira për të shënuar.
E para është krijimi i simetrisë mes Republikës Serbe dhe Kosovës. Meqë tashmë po hyn në funksion “korrigjimi” i kufijve, ai bëhet parim dhe nuk mund të kufizohet vetëm në Kosovë. Rrjedhimisht, në skenarin për zgjidhjen e problemeve të mbetura të ish-Jugosllavisë, Rusia mund të kërkojë përfshirjen e Bosnjë-Hercegovinës si çështje për të zgjidhur, qoftë nëpërmjet “korrigjimit”, qoftë nëpërmjet parimit “pasqyrë”, pra që Republika Serbe të ketë status të njëjtë ndërkombëtar si dhe Kosova. E dyta është që Serbisë t’i ulen standardet e aderimit në BE. Serbia si shtet i cili po negocion anëtarësimin në BE ka obligim që të bashkërendisë politikën e vet të jashtme me atë të BE-së.
Prej se është bërë shtet kandidat, Serbia këtë nuk e ka bërë as edhe një herë kur ka qenë fjala për Rusinë; pra përmbushja e obligimeve që ka Serbia ndaj BE-së në politikë të jashtme mbetet diku nën pesëdhjetë për qind. Në rast se “korrigjimi” i kufijve shndërrohet në pikënisjen e zgjidhjes së problemeve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe kjo pranohet nga Perëndimi, Serbia do të fitojë më shumë përkrahje në rrugën e vet integruese, pa marrë parasysh se çfarë bën në politikën e vet të jashtme karshi Rusisë. Dhe kështu do të fitohet një pikë shumë e madhe strategjike: relativizimi i politikave të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.
Edhe
“The Times”: Çfarë mund të jetë roli i Putinit për ndarjen e Kosovës
3.
Ditën kur Hashim Thaçi lajmëroi se do ta zgjidhë problemin me Serbinë nëpërmjet “korrigjimit” mund ta ketë ftuar Rusinë të hyjë nga dera e vogël, por Rusia është tepër e madhe për t’u kënaqur me deriçka. Edhe nëse i fiton të tri betejat taktike- të dështojë referendumi në Maqedoni, të hapet çështja e Bosnjës krahas me Kosovën, dhe të relativizohet rusizmi i Serbisë- Rusia nuk do të mjaftohet me kaq. Do ta shohë këtë si një rast ideal për avantazhe më të mëdha . Dhe për të avantazhi më i madh strategjik është të paraqiturit si palë e cila kontrollon konflikte të papërfunduara në shtete të papërfunduara e në regjione të pakonsoliduara, duke filluar nga Gjeorgjia e Ukraina e duke përfunduar në Bosnje e Kosovë.
Në gjeopolitikën ruse, që të gjitha krizat duken njëjtë, sado të jenë të ndryshme gjeografitë, popujt, gjuhët e doket dhe zakonet: në të gjitha bëhet fjalë për pengimin e depërtimit të Perëndimit afër Rusisë. Dhe dikur Rusia e konsideronte veten në pozitë defanzive, duke konsideruar se mbrohej nga Perëndimi brenda kufijve të Gjeorgjisë. Tash e konsideron veten në ofensivë dhe e mbron veten duke sulmuar procesin zgjedhor presidencial amerikan, marrëveshjen për emrin e Maqedonisë apo mundësinë e zgjidhjes së marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës. Pjesë e kësaj ofensive është bërë koncepti i “korrigjimit të kufijve”.
4.
Edhe Kush kë po e bind për ndryshimin e kufijve të KosovësNë gjeopolitikën ruse Kosova quhet edhe Krime, Transdnjestër, Oseti , Abkhazi dhe cilido emër i ndonjë konflikti të papërfunduar të zhbërjes së Bashkimit Sovjetik që do t’i ketë rënë në mend. Qartazi, Kosova nuk ka qenë pjesë e asaj të kaluare, nuk ka pse të jetë pjesë e së tashmes, e aq më pak zgjidhje e së ardhmes. Thjesht, nuk ka pse të jetë pjesë e gjeopolitikës ruse, dhe ka mënyrë se si të mos jetë.
(Nesër, fund: Çka duhet të bëjë Kosova?)