Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Ambicia dhe kujtesa e shkurtër

Fotografitë janë të pashlyeshme. Janë rikujtim i vuajtjeve çnjerëzore, i sakrificave dhe i vendosmërisë së pathyeshme për mbijetesën që na solli në ditët e sotme. Dhe sa më shumë i shikon, aq më shumë pyet njeriu veten: a bash asgjë nuk mësuam nga e gjithë ajo që e përjetuam? A bëhet se kujtesën e kemi aq të shkurtër, sa për të mos kuptuar se armiku më i madh i vetes, jemi ne vetë, sa herë që lejojmë të na dominojë ambicia e ndonjë individi, pavarësisht interesit të përgjithshëm

Që do të thoshte një mik i imi, kanë mbetur edhe dhjetë muaj deri në Vitin e Ri.

Pra, shkoi edhe muaji i dytë i 2026-tës, dhe pavarësisht përmbylljes së procesit zgjedhor, konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë, gjërat vazhdojnë po aq keq sa ishin gjatë gjithë vitit të shkuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vazhdon të mungojë paraja në qarkullim, vazhdon rritja e çmimeve, ndërkohë që ne ende temë kryesore të ditës e kemi politikën.

Kësaj radhe, formimit të Kuvendit dhe të Qeverisë, vendin ia zuri zgjedhja e kryetarit/kryetares së shtetit.

Edhe pak ditë kanë mbetur që të thirret mbledhja e Kuvendit, ku do të duhej zgjedhur atë që në pesë vjetët e ardhshëm do të duhej ta përfaqësonte simbolin e unitetit. Dhe i vetmi emër, i një kandidati të mundshëm, u bë publik pardje: Arsim Bajrami u vetëkandidua, ani pse nuk është fort e qartë po qe se do të jetë në gjendje t’i mbledhë 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim.

Kryetarja e aktuale, sado që e ka shprehur dëshirën edhe për një mandat, nuk ka dalë ende me ndonjë deklaratë që do të kumtonte se i ka siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme që emri t’i figurojë në fletëvotimin që duhet të hidhet në formë në fshehtë në Kuvend.

* * *

Për dallim nga viti i shkuar, kur partitë politike e luanin lojën e telefonave të prishur dhe mundoheshin me çdo kusht ta shmangnin njëra-tjetrën, javën e shkuar u mbajtën takimet e ndara të Kurtit me Hamzën e Abdixhikun. Fakti se nuk pati deklarata akuzuese, ishte sinjal që ndoshta bisedat konsultuese do të kenë qenë miqësore dhe pa fërkime. Porse nga to nuk na doli as edhe një emër. Doli përsëritja se kandidati duhet të jetë konsensual.

Dhe, sikurse jo rrallë, nga disa figura politike që merren me këtë zanat bajagi gjatë u përmend xhokeri i përhershëm: ndonjë përfaqësues i familjes Jashari. Dhe kjo, pavarësisht vullnetit të tyre dhe përgatitjes për ta marrë mbi vete rolin  e kryetarit të shtetit që, megjithatë, nuk është post ceremonial.

Përkundrazi.

Ka shumë elemente brenda përshkrimit të punëve që ia bën Kushtetuta, që tregojnë se pushteti me të cilin vishet ky post nuk është aspak për t’u minimizuar. Se mos të kishte pushtet të këtij lloji, Kosova nuk do të mbetej me u.d. kryeprokuror shteti qe më shumë se katër vjet.

Pra Jasharët, nëpërmjet Murat Jasharit, u thanë jo këtyre “propozimeve”. E meqë nuk u lajmëruan anëtarët e tjerë, vetëm mund të supozojmë se ky kapitull është mbyllur me kaq.

Për Osmanin, nga ana tjetër, kryesisht ka pasur deklarata mospërkrahëse. Vota për të nuk ka PDK-ja, me gjasë nuk ka as LDK-ja, kurse VV-ja, nëpërmjet Nagavcit, thotë se “Osmani ka bërë punë të shkëlqyer, porse për mandatin tjetër i duhen votat në kuti”. Me fjalë të tjera, për të mbërritur te votat duhet, si parakusht, t’i ketë nënshkrimet, të cilat nënkuptueshëm VV-ja me gjasë nuk është e gatshme t’i japë.

I vetmi i cili doli publikisht për ta kërkuar edhe një mandat për të qe deputeti nga radhët e subjektit “Guxo”, Haxhi Avdyli, i vetëdijshëm se votat që i regjistrohen këtij subjekti janë të pakta dhe të pamjaftueshme.

Cilado të jetë përzgjedhja me a pa konsensus, Kosovës më së paku i duhen edhe një palë zgjedhje tash.

Nuk e besoj se ato u konvenojnë as partive politike, e sidomos partisë qeverisëse, për shkak se rezultati i arritur është vështirë i përsëritshëm në këso përmasash. Dhe pa prezencën e diasporës, mund t’i kthehemi situatës ku ishim vjet në këtë kohë – në krizë të thellë politike kot së koti.

* * *

Jashtë politikës, java e shkuar e solli një vendim gjyqësor me peshë të jashtëzakonshme.

Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit.

Kolegji gjyqësor vlerësoi se gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, duke përfshirë edhe videoincizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima. Autopsia kishte gjetur se Marigona Osmani kishte vdekur duke vuajtur nga lëndimet e rënda që i ishin shkaktuar me mjet të fortë. Ishte rrahur e keqtrajtuar mizorisht dhe më pas ishte lënë para hyrjes së Spitalit të Ferizajt.

E besoj se nuk gaboj kur them se ky është dënimi më i rëndë që i është shqiptuar dikujt për vrasjen (akuzohej edhe për dhunimin seksual) e bashkëjetueses apo bashkëshortes pa kurorë apo çfarëdo emërtimi që do të mund të zgjidhej, në një rast tipik të abuzimit me fuqinë më të madhe fizike, si dhe me përparësinë e kushteve më të mira financiare.

Shtrohet dilema, mbështetur në përvojën shumëvjeçare të praktikës gjyqësore kosovare, çfarë do të ishte epilogu i këtij gjykimi, po qe se krimi nuk do të përfundonte me vdekje, e pas saj edhe me një sërë protestash, jo për t’u neglizhuar, në kërkim të drejtësisë për Marigonën.

Gjithsesi jo burgim i përjetshëm, porse as ndonjë burgim shumë afatgjatë, duke e pasur parasysh se dhuna mbi baza gjinore apo edhe dhuna në familje nuk është se përherë merren në trajtim nga organet e rendit dhe të tjera kompetente, e as që marrin dënim përtej disa muajve simbolikë, që dikur kanë mundur edhe të zëvendësoheshin me dënim monetar.

Pra, një nga problemet kyç të dhunës mbi baza gjinore në Kosovë është se dhunuesit nuk janë dënuar proporcionalisht me krimin që e kanë kryer.

E ky vendim i Supremes e vërtetoi të parin dënim me burgim të përjetshëm për një rast të dhunës së këtij lloji dhe e vendos precedencën për rastet e tjera që do të mund të ndodhnin në të ardhmen e të cilat uroj të mos jenë fare.

* * *

Dhe sa herë që dëgjoj për akte dhune, maltretimi e vrasjesh, tash në kohë lirie, dhunshëm në kujtesë më kthehen fotografitë e viktimave të para civile të luftës në Kosovë - fotografitë e gjysmës së 24 viktimave, fytyrat e të cilëve ishin shprishur nga rafalët e mitralozave a kallashnikovëve të policisë serbe.

Ajo që kishte nisur si një sulm ndaj një patrulle policie te “gjashtë lisat” afër Likoshanit, u shndërrua në gjahun brutal ndaj njësitit të UÇK-së përgjegjës për atë që njihet si sulmi “hit and run” (godit e ik).

Dhe pavarësisht se numri i pjesëtarëve të UÇK-së kishte qenë i vogël dhe i armatosur me sasi modeste armësh e municioni, pushteti serb vendosi të ushtronte dhunë edhe me ndihmën e autoblindave dhe helikopterëve. Me siguri me synimin për ta përçuar porosinë se duhen shumë njerëz e shumë armatim për ta kundërshtuar, atëherë, ushtrinë e katërt më të madhe në Evropë (kështu flitej për fuqinë e ish-APJ-së që kishte mbetur në duar të serbëve).

Para se t’i merrnin kufomat për në morgun e Prishtinës, u gjet një njeri i guximshëm që i bëri fotografitë e viktimave të tërbimit serb: Zekeria Cana. Negativat u zhvilluan në sekretin më të madh të mundshëm, dhe më pas u publikuan ashtu, të “pacensuruara”, në fakt të pahijezuara në portalin ARTA të “Kohës Ditore”. Fotografitë ishin dëshmia më autentike e urrejtjes patologjike e kriminale të policisë serbe ndaj gjithçkaje shqiptare.

Derisa të më shërbejë kujtesa, nuk do ta harroj dukjen e Rukie Nebihut, 27 vjeç, në muajin e 7-të të shtatzënisë. Pos flokëve, një copë faqeje dhe një copë mjekre, s’i kishte mbetur asnjë tipar tjetër që do të mund ta identifikonte.

Të ngjashme ishin edhe fotografitë e viktimave të tjera.

Të tmerrshme.

Më i riu ndër viktimat e kësaj masakre të parë të luftës, sot do të ishte 44 vjeç. Ishte anëtar i familjes Ahmeti, së cilës iu vranë 10 burra/djem, gjatë rrethimit dhe sulmit që zgjati thuajse dy ditë. Nga kjo familje mbijetoi njëri vëlla, Xhevdeti, për shkak se atë natë kishte qëlluar në Prishtinë.

* * *

Fotografitë janë të pashlyeshme. Janë rikujtim i vuajtjeve çnjerëzore, i sakrificave dhe i vendosmërisë së pathyeshme për mbijetesën që na solli në ditët e sotme.

Dhe sa më shumë i shikon, aq më shumë pyet njeriu veten: a bash asgjë nuk mësuam nga e gjithë ajo që e përjetuam? A bëhet se kujtesën e kemi aq të shkurtër, sa për të mos kuptuar se armiku më i madh i vetes, jemi ne vetë, sa herë që lejojmë të na dominojë ambicia e ndonjë individi, pavarësisht interesit të përgjithshëm.

Me gjasë asgjë nuk mësuam dhe kujtesën e kemi selektive. Si interesin.

[email protected]