Arbëri

Ministri i Ambientit tregon masat që duhen marrë për të luftuar ndotjen e ajrit në Prishtinë

Në emisionin “Puls” të KTV-së, u diskutua për ndotjen e ambientit. Mysafir i emisionit ishte Ferat Shala, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ministri tha se ndotja në Prishtinës bëhet nga shumë faktorë, siç janë industria, KEK-u, automjetet, djegia e thëngjillit nëpër shtëpi, etj.

“Ndotja e madhe gjatë stinës së dimrit ndodh kryesisht nga djegia e thëngjillit ku një pjesë e madhe e qytetit të Prishtinës ngrohet me thëngjill. Komuna e Prishtinës duhet të rris investimet në kogjenerimin që të futen në sistem shumica e qytetarëve, të kenë nxemje qendrore e jo të digjet thëngjilli i cili e bën ndotjen më të madhe të ajrit”, ka thënë Shala, raporto Koha.net.

Ministri tha se ku flasim për ndotjen nga automjetet, Prishtina bashkë me pushtetin qendror duhet t’i ndalojë automjetet në 4 portat hyrëse të kryeqytetit siç janë hyrja nga Fushë Kosova, Podujeva, Mitrovica dhe Veterniku për automjete.

“Në këto porta hyrëse duhet të definohet mënyra e hyrjes në qytet, kur dhe koha e hyrjes dhe llojet e automjeteve. Pra, në këto porta duhet të kemi transport urban të shpejtë dhe ekologjik. Kur jemi tek parkingjet në zonën e parë në kryeqytet, ato duhet të ketë taksë ekstra. Në tërë botën ndotësi paguan. Në qendër të qytetit duhet të jetë taksa e shtrenjtë. Sa i përket automjeteve, duhet të stimulohen nga qeveria automjetet ekologjike kurse të sanksionohen automjetet ndotëse”, tha ministri Shala në “Puls” të KTV-së.

Ai potencoi se këto janë disa nga masat që duhet niveli qendror dhe ai lokal t’i ndërmerr.