JETA

Pa rrymë e rrugë, si po jetojnë tri familjet e vetme në fshatin e Vushtrrisë?

Ndodhet rreth 10 kilometra larg qytetit të Vushtrrisë.

Bëhet fjalë për fshatin Skoçan të kësaj komune.

Këtë fshat e ka vizituar ekipi i emisionit “Jeta” këtë javë.

Rruga e paasfaltuar që të çon te ky fshat është sfida e parë, me të cilën, ballafaqohen tri familjet e mbetura në këtë vendbanim të Vushtrrisë.

Madje mungesa e infrastrukturës ka bërë që nga 21 shtëpi të mbesin vetëm tri prej tyre, ku jetojnë tri familje.

Skoçana pas viteve 99’ njihej edhe me emrin Çukas.

Rasim Lahu është një nga banorët e dikurshëm të këtij fshati, i cili edhe pse i shpërngulur në qytet, ka vendosur t’i rikthehet fshatit të lindjes.

Atje ka ndërtuar shtëpinë, ku thotë se qëndron gjatë gjithë verës e kultivon pemë e perime.

Përveç rrugës, sfidë e madhe për të jetuar në Skoçan mbetet mungesa e energjisë elektrike.

Fermerët e kësaj ane, të cilët në fshat thonë se po i mban vetëm ferma, po punojnë me humbje, shprehen.

“Qumështin duhet qenve me ja qit se ska banor këtu. Rrugë s’kena, rrymë s’kena”, thotë femeri Basri Kasumi.

Fshatin Skoçan e banuan të parët fisi Berishë të ardhur nga Malësia e Madhe, ndërkaq familjet e para të këtij fshati janë: Lahu, Kasumi e Imeri.