Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 27-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Ismaili premton siguri në shkollat e Prishtinës, Hajdari ringjalljen e “Rrugës së Zejtarëve” në Drenas

3 j. më parë / 9 tet 2025 22:20 Nga: Rrezon Gashi
Uran Ismaili

Kandidati i Partisë Demokratike (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar siguri në shkolla gjatë takimit që zhvilloi te enjten me përfaqësues të organizatave që merren me arsimin parauniversitar.

Gjatë prezantimit të planit për arsim, Ismaili u zotua se nëse zgjidhet kryetar, do të angazhojë 200 oficerë në shkolla për të rritur sigurinë. Krahas kësaj, tha se do ta shtojë edhe numrin e psikologëve e të asistentëve për fëmijë.

“Për mua është tepër me rëndësi ta ndërtojmë një infrastrukturë që është miqësore, një rrjet që është i mjaftueshëm për lagjet dhe Prishtinën. Një ndikim në kualitet që nënkupton ndikim në mënyrën se si jepet dhe si nxihet mësimi. Një impakt për sigurinë e nxënësve në aspektin mental, në aspektin e sigurisë fizike”, ka theksuar Ismaili.

E në Drenas, kandidati për kryetar të kësaj komune, Petrit Hajdari, është zotuar se do ta ringjallë “Rrugën e Zejtarëve”.

“Zejtarët e Drenasit janë trashëgimtarë të një kulture pune që ka mbajtur gjallë ekonominë dhe dinjitetin e këtij vendi për dekada. ‘Rruga e Zejtarëve’ është respekt për historinë e punës, për duart që kanë ndërtuar, riparuar, krijuar”, ka thënë Hajdari. “Si kryetar, angazhimi im është i qartë: kjo rrugë do të bëhet me standard, me afat dhe me transparencë. Sepse Drenasi nuk ecën përpara duke harruar ata që e kanë mbajtur gjallë me punë të ndershme”.

E, në Suharekë, kandidati i PDK-së, Dardan Berisha, shpërndau një video nga vendi i njohur si “Pusi i Atit”, burim uji që furnizon komunën. Berisha tha se për ta zgjidhur problemin me ujë të pijshëm ka plan edhe hapjen e disa pjesëve të tjera.

“Me shpimin e dy puseve të reja, qyteti i Suharekës do të furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë. Fshatrat Gjinoc, Gelac, Leshan, Nepërbisht, Shirokë dhe zona ekonomike në Shirokë do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë. Me realizimin e këtij projekti, qytetit të Suharekës do t’i shtohen edhe 30 litra ujë në sekondë”, ka thënë ai.

Ndërkaq në Kamenicë, kandidatja Jona Arifi premtoi themelimin e një parku të biznesit.

“Një zonë e dedikuar për ndërmarrësit tanë, për zejtarët, për ata që duan të prodhojnë, të shpikin, të rrisin idetë e tyre. Kjo do të jetë një hapësirë moderne, me kushte të favorshme, ku bashkë do t’i japim jetë ekonomisë lokale”, ka deklaruar Arifi.

Në Kaçanik, kandidati Sabedin Vishi u kërkoi qytetarëve të vendosin për ta vazhduar qeverisjen lokale me PDK-në.

“Kaçaniku ka nevojë për vazhdimësi, për punë të mirë, për projekte të reja, për më shumë transparencë e kujdes, për një komunë që i dëgjon njerëzit dhe i trajton të gjithë me respekt. Duhet të ruajmë çfarë është bërë mirë dhe të përmirësohet çfarë mund të bëhet më mirë”, bëri thirrje Vishi.

E nënkryetari e kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka prezantuar një pjesë të planit të tij të mirëqenies shoqërore. Ai tha se këtë plan e ka të përfshirë në kuadër të shtyllës së gjashtë të programit të tij.

“Në kuadër të kujdesit për më të ndjeshmit dhe përfshirje sociale, ne do të ndërtojmë Shtëpinë e të Moshuarve. Mitrovica do të ketë një institucion modern për kujdesin e të moshuarve, që ofron strehim, shërbime shëndetësore bazike, aktivitete shoqërore dhe kujdes dinjitoz. Do të ofrojmë qendra ditore dhe do të ofrojmë ndihmë sociale për kategoritë në nevojë. Do të hapen dhe mbështeten qendra ditore për fëmijët, për përkujdesje prindërore, për personat me aftësi të kufizuara dhe për të moshuarit që kanë nevojë për shërbime ditore”, ka thënë ai.

Rrahim Tërnava, që kandidon për kryetar të Fushë-Kosovës, tha se ai do ta zgjidhë problemin me mbeturina.

“Me planin tonë për blerjen e kamionëve të rinj dhe një sistem të menaxhimit efikas, do të sigurojmë pastërti në çdo lagje dhe respekt për çdo familje të Fushë-Kosovës. Qyteti ynë do të jetë më i pastër, më i rregulluar dhe më i jetueshëm për të gjithë”, ka theksuar ai.

E në Vushtrri, kryetari Ferit Idrizi, që e synon mandatin e dytë, e ka prerë shiritin e sheshit të ri të qytetit dhe një parkingu nëntokësor. Këtë e quajti ndër projektet më të mëdha të qeverisjes lokale në histori të Vushtrrisë.

Abrashi premton 20 milionë euro për ujin e pijshëm në Prizren

3 j. më parë / 9 tet 2025 22:19 Nga: Marigona Brahimi
LVV Abrashi PRizren

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, ka premtuar zgjidhje përfundimtare për problemin e ujit të pijshëm në këtë komunë.

Ai ka thënë se investimi për sigurimin e pandërprerë të ujit do të kushtojë 20 milionë euro teksa është zotuar se gjatë qeverisjes së tij të gjitha fshatrat e komunës do të kenë ujë të pastër e të kontrolluar.

“Jo me improvizime, por investime konkrete, 20 milionë euro për 4 vjet në furnizim pa ndërprerje çdo ditë, gjithë ditën. Do të rinovojmë rrjetin e ujësjellësit në të gjitha lagjet problematike Ortakoll, Jeta e Re, Arbana, Kurillë dhe Hoqë e madhe, Bazhdarhane. Duke siguruar furnizim të qëndrueshëm gjatë gjithë verës”, është shprehur Abrashi.

E në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku ka thënë se turizmi do të jetë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të kryeqytetit. Ai ka thënë se plani i tij përfshin investime në 10 atraksionet kryesore të qytetit, hapjen e Qendrës për Vizitorë dhe mbështetje për festivalet kulturore. Çeku ka premtuar edhe zhvillim të agroturizmit.

“Do të rinovojmë infrastrukturën rurale, rrugë, ujësjellës, ndriçim dhe kanalizim që çdo fshat të bëhet i qasshëm dhe i jetueshëm. Do të mbështesim familjet bujqësore që duan të hapin ferma vizitash bujtina e restorante tradicionale. Komuna do të ofrojë grante dhe lehtësira për investime në agroturizëm si dhe trajnime për marketing rural dhe shërbime mikpritjeje”, është shprehur Çeku.

Kandidati për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, është shprehur i bindur se do ta fitojnë garën komunale, madje edhe pa balotazh.

“Nëse edhe deri sonte ka pasur dikush dilema për fitoren tonë historike në Gjilan pa balotazh, sonte do duhej me i ndalë ato dilema. Veç me një lagje të qytetit tonë ne bëjmë më shumë njerëz sesa ata që sjellin prej të gjitha anëve”, ka thënë Hyseni.

Bindje të njëjtë ka shprehur edhe kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.

“Të gjithë ju mërgatë që po vini këto ditë në Mitrovicë, u jam falënderues e mirënjohës sa nuk thuhet me fjalë. Ndërsa për shokët e klasës një mesazh të përzemërt, ju përshëndetë kryetari i klasës e nga 12 tetori kryetari i Komunës”, ka deklaruar Peci nëpërmjet një videoadresimi.

E kryetari i Shtimes, i cili është kandidat edhe për një mandat, Qemajl Aliu, ka shpalosur planet për katërvjeçarin e qeverisjes së ardhshme.

“Për transformimin e plotë të Shtimes, në mandatin e dytë, pikërisht këtu ku po rrënohet ky objekt do të ndërtohet sheshi dhe parkingu nëntokësor, ndërkohë pedonalja në mes, këtë shesh do ta lidhë me sheshin ‘Ahmet Shtimja’”, është zotuar Aliu.

Në Podujevë, kandidati Shpejtim Bulliqi e ka promovuar punën e tij si kryetar komune gjatë mandatit katërvjeçar.

“I kemi gjetur bursat e studentëve me 50 mijë euro, po e mbyllim mandatin tonë me gjysmë milioni euro subvencionim, bursa për nxënës dhe studentë. E kemi gjetur buxhetin e arsimit për shërbime e mallra me 116 mijë euro, po e mbyllim këtë mandat me 1.6 milionë euro buxhet”, ka thënë Bulliqi.

Kandidati për Vitinë, Arsim Ademi, i ka prezantuar planet e tij për bujqësinë me subvencione për fermerët.

“Subvencionim dhe mbështetje për fermerët, investime në sektorin agro-përpunues, blegtori, sistemin e ujitjes pikë-pikë dhe agroturizëm. Zhvillim të pemishteve, serrave dhe sistemeve të ujitjes. Menaxhim i pyjeve dhe kursim i energjisë”, janë masat e parapara të Ademit për bujqësinë në Viti.

Kandidati i LVV-së që synon të bëhet kryetar i Pejës, Taulant Kelmendi, dhe ai për kryetar të Kaçanikut, Jeton Raka, kanë premtuar të enjten mbështetje për bizneset e vogla dhe ato të mesme.

Ndërkaq kandidati për kryetar të Skenderajt, Hysni Mehani, është zotuar për kujdes të veçantë për pensionistët, si dhe për sigurim të transportit publik nëpër fshatra. Fushatë gjatë së enjtes kanë bërë edhe kandidatët për kryetarë në komunat e tjera.

Selmanaj premton qendër sportive e pishinë olimpike në Prizren. Ferati zhvillimin e turizmit në Istog

3 j. më parë / 9 tet 2025 22:18 Nga: Ardona Popova
LDK Driton Selmanaj

Kandidati nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK) për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, është zotuar se nëse e merr drejtimin e kësaj komune, do të ndërtojë një sallë të re sportive, pishinë olimpike, fusha tenisi dhe kopsht botanik.

Gjatë vizitës që ia ka bërë klubit basketbollist të qytetit, Selmanaj ka thënë se nëpërmjet këtij projekti synohet që Prizreni të kthehet në qendrën kryesore sportive të rajonit.

“Plani jonë kryesor është të ndërtojmë një qendër të re sportive. Kemi menduar që këtë sallë nuk është mirë ta rrënojmë, por këtë ta lëmë për ushtrime, për stërvitje, e ndërkohë, po në këtë hapësirë, kemi dalë e kemi matur me gjeodetë dhe ka hapësirë të mjaftueshme për ta ndërtuar edhe një sallë sportive me standarde të FIFA-s, që mund të jetë për të gjitha sportet me dorë, jo vetëm për basketboll. Po ashtu, në pjesën e sipërme pas sallës sportive të ndërtojmë edhe pishinën olimpike”, ka deklaruar Selmanaj.

Zotime për kushte më të mira në sport ka dhënë edhe kandidati për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni. Ai ka thënë se do të mbështesë sportistët llapjanë, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e sportit. Gjatë një vizite në klubin e futbollit “Llapi”, ai ka thënë se nëse e fiton besimin e qytetarëve më 12 tetor, nevojat dhe kërkesat e sportistëve do të trajtohen me prioritet.

“Bashkëbiseduam për nevojat dhe kërkesat e tyre, të cilat pas 12 tetorit do trajtohen me prioritet. U zotova se përkushtimi im i çdoditshëm do të jetë që të krijoj kushte sa më të mira për të gjithë sportistët tanë. Në qeverisjen tonë, të gjitha shkollat e futbollit do të mbështeten në vazhdimësi në mënyrë që të lehtësojmë veprimtarinë e tyre dhe kjo të mos jetë ngarkesë për familjet”, ka thënë Hyseni.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e synon edhe një mandat, ka folur për investimet që planifikon t’i bëjë në lagjen “Dardania”, duke premtuar fasadimin e banesave dhe rregullimin e ashensorëve.

“Pas përfundimit të punimeve në tunel, po vazhdojmë me sanimet e problemeve të trashëguara prej qeverisjeve të kaluara në plato. S’ka më të pikojë poshtë. Do ta përfundojmë fasadimin e banesave, rregullimin e liftave dhe do ta kthejmë në tërësi pamjen ikonike që ky kompleks e meriton, ‘Dardania’ po kthehet aty ku e ka vendin”, është shprehur Rama.

Kryetari i Istogut dhe kandidati i LDK-së për një mandat tjetër, Ilir Ferati, ka prezantuar programin e tij për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në komunë.

“Ndërtimi i View Pointit te Kërrushi i Kuq në Vrellë, që ofron një pikë panoramike për turistët duke nxitur turizmin lokal dhe promovuar bukuritë tona natyrore. Investime në sistemet e ujitjes dhe mbështetje për fermerët në eliminimin e taksave të padrejta dhe leje ndërtimore falas për stallat, plemet dhe njësite prodhuese e përpunuese. ‘Fermeri i Ri’, program që do te ofroje grante për të rinjtë që kthehen ne fshat me plane te qarta zhvillimi ne bujqësi, agroturizëm apo përpunim ushqimor”, ka thënë ai.

E kandidati për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi, është zotuar të ndajë një parcelë për ndërtimin e zyrave të reja për shoqatat e dala nga lufta. Gjatë takimit me përfaqësuesit e këtyre shoqatave, Azemi ka thënë se mbështetja për ta do të jetë pjesë e programit të tij.

Ndërkaq, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka prezantuar Inkubatorin e Bizneseve, në të cilin ka thënë se do të zhvillohen 11 projekte të reja. Gjatë vizitës në hapësirat ku janë duke u zhvilluar punimet, Haliti ka theksuar se projekti ka për qëllim krijimin e një ekosistemi ekonomik.

“Sot vizitova punimet në Inkubatorin e Bizniseve, ku po zhvillohen 11 projekte të jashtëzakonshme në interes të qytetarëve të Vitisë. Shumë shpejt do të shihen rezultatet dhe frytet e punës nga ky investim unik në Kosovë, i cili do të shërbejë si qendër inovacioni, zhvillimi dhe përgatitjeje profesionale për gjeneratat e reja në ekonomi tregu”, ka thënë ai..

E kandidati për Fushë-Kosovën, Besnik Osmani, ka bërë të ditur se që nga java e ardhshme, banorët e zonës së rrugës “Tahir Zemaj” do të fillojnë të marrin kujdes shëndetësor në Qendrën e re të Mjekësisë Familjare. Ky projekt, me investim prej 550.000 eurosh dhe një hapësirë prej 1,120 m², është tashmë i përfunduar.

Blakaj premton teleferik që lidh Istogun me bjeshkët

3 j. më parë / 9 tet 2025 20:39 Nga: Arianita Hoti
Ukë Blakaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar fushatën zgjedhore me prezantimin e projekteve dhe prioriteteve nga kandidatët e saj në komunat ku garojnë, e që kryesisht kanë të bëjnë me rininë.

Në kryeqytet, kandidati Bekë Berisha është zotuar se, nëse e fiton garën elektorale, një prej prioriteteve të tij do të jetë ndërtimi i një qendre për trajtim dhe rehabilitim të të rinjve me varësi ndaj narkotikëve, si mënyrë për t’u ofruar mbështetje dhe rikthim në jetën aktive.

“Një prej problemeve më serioze që ka rinia jonë është përdorimi i drogës dhe alkoolit. Kam takuar të rinj që më kanë thënë: ‘s’kem ku me shku’. Kjo s’duhet të ndodhë! Për ta, do të ndërtojmë një qendër të specializuar për trajtim dhe rehabilitim, me kujdes profesional dhe mbështetje që i kthen të rinjtë në jetë aktive”, ka thënë Berisha.

Në Pejë, kandidati Ali Berisha është përqendruar në arsim, për të cilin ka thënë se është i politizuar.

“Më shkruajnë qindra arsimtarë që arsimi është keq. Arsimi është bazë e shtetit, arsimi është bazë e zhvillimit – dhe kjo duhet të ndryshojë. Politizimi duhet të jetë larg arsimit. Janë fushatat zgjedhore ku mundesh me u marrë me politikë, por jo katër vjet, o vëlla! Gjatë gjithë katër vjetëve janë në shërbim të një kryetari të komunës. Jo! Ashtu s’duhet. Duhet me qenë në shërbim të nxënësit, duhet me qenë në shërbim të mësimdhënësve. Shkollave duhet me iu dhënë autonomi. Shkollat duhet me pasë buxhetin e ndarë – jo për gjithçka shkollat me lypë shërbime nëpër institucione. Ndaje buxhetin, ata e menaxhojnë. Shkollat me qenë përgjegjëse për pranimin e më shumë personelit. Jo gjithçka të varet prej politikës. Je në politikë – mundesh me u punësu; je profesionist i jashtëzakonshëm – nuk mundesh me u punësu”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, në Viti, kandidati Labinot Bislimi ka folur për mungesën e mirëmbajtjes së infrastrukturës sportive, dhe ka premtuar funksionalizim të plotë të fushave në fshatrat Sogovinë dhe Pozheran.

“Koha e Sokol Halitit duhet të përfundojë, sepse është kohë ku investimet as nuk ruhen, as nuk mirëmbahen. Kjo fushë është investuar vite më parë, por vetëm hajdeni dhe shikojeni se në çfarë gjendje është! Çdo fushë që është si kjo e Sogovinës dhe dy të Pozheranit, të cilat do të jenë të lidhura ngushtë nesër me investimin për stadiumin e Vitisë – të katër fushat do të funksionojnë bashkërisht dhe të lidhura njëra me tjetrën. Por mbi këto fusha do të ketë gjithmonë një përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre. Për çdo gjë që bëhet në këto fusha, nuk do t’i lëmë më kurrë që investimet tona të shkojnë poshtë”, ka thënë Bislimi.

E kandidati për kryetar të Istogut nga kjo parti, Ukë Blakaj, ka premtuar ndërtimin e një teleferiku për të nxitur zhvillimin e turizmit malor në këtë komunë.

“Istogut i duhet një teleferik! Një projekt që do t’i japë frymë të re zhvillimit të turizmit malor dhe do t’i afrojë më shumë njerëzit me bukuritë e bjeshkëve tona. Një teleferik nuk është vetëm një investim në turizëm, por edhe një urë që lidh njerëzit me natyrën dhe krijon mundësi të reja për zhvillim, punësim dhe jetë më të mirë në Istog. Me mbështetjen e investitorëve gjermanë do të ndërtohet teleferiku që lidh Istogun me bjeshkët, duke e bërë qytetin destinacion të veçantë turistik”, ka premtuar Blakaj.

Në Rahovec, kryetari dhe kandidati për një mandat tjetër, Smajl Latifi, ka përuruar një fushë sportive, duke thënë se investimet për të rinjtë do të vazhdojnë.

“Kjo është fusha e 18-të sportive që e përurojmë gjatë këtij mandati, krahas ndërtimit të kompleksit sportiv te Epopeja e UÇK-së mbi qytetin e Rahovecit. Ta gëzojnë nxënësit dhe të rinjtë e fshatrave Pataqan i Epërm dhe Nashpall”, ka thënë ai.

Edhe kandidatë të tjerë të AAK-së kanë zhvilluar aktivitet elektoral, gjatë të cilit kanë prezantuar programet dhe kanë kërkuar mbështetje për zgjedhjet e 12 tetorit.

 

Kandidatët e VV-së inaugurojnë me Durmishin njërin krah të rrugës Prishtinë-Mitrovicë

3 j. më parë / 9 tet 2025 18:30
Durmishi-Meholli-Peci

Me kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarë të komunave në Vushtrri e Mitrovicë, ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka inauguruar të enjten njërin krah të rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

Tani për qarkullim është lëshuar njëra korsi, e sipas Durmishit qytetarët do të mund të lëvizin më shpejtë e më lehtë.

“Bashkë me Faton Pecin dhe Sylejman Mehollin, e bëmë për hajr rrugën Prishtinë - Mitrovicë. Sot u lëshua për qarkullim njëra korsi dhe pritjeve të gjata u erdhi fundi. Qytetarët e Mitrovicës, Vushtrrisë e Prishtinës tash lëvizin më shpejt e më lehtë. Përkushtimi i qeverisë sonë për këtë anë është i pashembullt. Punimet po ecin me ritëm të lartë dhe shumë shpejt do ta kemi të përfunduar tërë segmentin. Kjo rrugë i afron më shumë edhe Bjeshkët e Shalës, bukuritë madhështore të vendit tonë që tash janë më të arritshme se kurrë. Është më shumë se infrastrukturë, është zhvillim, lidhje dhe mundësi të reja për njerëzit tanë”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

E Faton Peci, kandidat i VV-së për kryetar të Mitrovicës, tek ka shkruar për këtë rrugë, ka kërkuar votën për “bashkërendim të zhvillimit të Mitrovicës dhe të gjithë Kosovës”.

Pos Pecit në ngjarje ishte edhe Sylejman Meholli që në zgjedhjet e 12 tetorit synon të bëhet kryetar i Vushtrrisë.

Latifi përuron fushën e re sportive: E 18-ta që e përurojmë gjatë këtij mandati

3 j. më parë / 9 tet 2025 15:16
SMAJL LATIFI

Kryetari i Komunës së Rahovecit, njëherit kandidat për një mandat tjetër nga AAK-ja, Smajl Latifi, ka njoftuar se e ka përuruar një fushë të re sportive në fshatin Pataqan të Epërm.

Latifi thotë se në të ardhmen do të bëhet me një material të posaçëm gome dhe se është e 18-ta me radhë që e përurojnë gjatë këtij mandati.

“Shkolla fillore ‘Sakip Bellaqa’ në Pataqan të Epërm, nga sot e ka fushën e re sportive dhe moderne, të cilën, së bashku me nxënësit, stafin edukativ, bashkëpunëtorë e qytetarë, e përuruam sot. Kjo fushë sportive ofron kushte për futboll, basketboll, volejboll dhe hendboll, ndërsa në të ardhmen do të bëhet me material të posaçëm gome, tartan. Kjo është fusha e 18-të sportive që e përurojmë gjatë këtij mandati, krahas ndërtimit të kompleksit sportiv tek Epopeja e UÇK-së mbi qytetin e Rahovecit”, ka shkruar një rrjetin e tij social Facebook, Latifi.

Shahini: Mungon mirëmbajtja e duhur në lagjen “Taukbahçe”

3 j. më parë / 9 tet 2025 14:13
Besa Shahini

Kandidatja për kryetare të Komunës së Prishtinës nga PSD-ja, Besa Shahini, ka vizituar lagjen “Taukbahçe” dhe ka thënë se kësaj lagjeje i mungon mirëmbajtja e duhur.

Shahini ka deklaruar se rrugët, ndriçimi publik e hapësirat publike kanë nevojë për kujdes e investim.

“Me Naim Makollin, banor të ‘Taukbahçe’, bëmë një ecje dhe diskutim për gjendjen e lagjes, një zonë e bukur me potencial të madh, por që fatkeqësisht mungon mirëmbajtja e duhur. Rrugët, ndriçimi dhe hapësirat publike kanë nevojë për kujdes e investim”, shkroi Shahini në rrjetin social Facebook.

Berisha premton qendër për rehabilitimin e të varurve nga alkooli

3 j. më parë / 9 tet 2025 13:43
Bekë Berisha

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga AAK-ja, Bekë Berisha, ka premtuar krijimin e një qendre të specializuar për trajtimin dhe rehabilitimin e të varurve nga alkooli.

Theksin e vendosi te të rinjtë. “Beka ndan përvojën e tij, se si ka takuar të rinj të varur nga alkooli, të cilët kanë thënë, ‘s’kemi ku me shku’. Kjo nuk është thjesht histori. Është realitet për shumë të rinj në Prishtinë.  Andaj lindi ideja: Krijimi i një qendre të specializuar për trajtim dhe rehabilitim, me staf profesional, me përkujdesje të vazhdueshme, me mbështetje njerëzore”, ka shkruar në faqen e tij në Facebook, kandidati Bekë Berisha.

Çeku takohet me gratë e vajzat, flasin për mundësitë e reja të punësimit

3 j. më parë / 9 tet 2025 12:30
Hajrulla Ceko

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga LVV-ja, Hajrulla Çeku, njofton se është takuar me gratë dhe vajzat e kryeqytetit. Me to tha se ka biseduar për mundësitë e reja për punësim dhe mundësitë se si komuna t’iu ofroj mbështetje.

“Takim i këndshëm me gra e vajza të Prishtinës, për të dëgjuar nga afër sfidat dhe idetë e tyre. Diskutuam për mundësitë e reja për punësim dhe për mënyrat se si Komuna mund të jetë mbështetje reale për to. Në platformën tonë, gratë janë në qendër të politikave për zhvillim: më shumë mundësi për punë, mbështetje për sipërmarrje dhe përfshirje aktive në vendimmarrje. Për një Prishtinë ku zëri dhe puna e grave vlerësohen dhe bëjnë ndryshimin”, shkroi Çeku në faqen e tij në Facebook.

Kandidati Çeku takim thotë se ka zhvilluar edhe me qytetarë e biznese në Rrugën “C”.

“Kjo zonë po zhvillohet me ritëm të shpejtë, me ndërtime të shumta, dendësi të lartë të popullsisë, me një energji të re të shpirtit komunitar. Por, përkundër këtij zhvillimi, mungojnë shërbimet bazike për banorët që jetojnë aty. Kur ndërtohet pa plan dhe pa kujdes për jetën e përditshme të qytetarëve, krijohen lagje pa çerdhe, pa shkolla e qendra shëndetësore. Kjo duhet të ndryshojë”, shkroi në një tjetër postim Hajrulla Çeku.

Rama premton investime në “Dardani”

3 j. më parë / 9 tet 2025 12:15
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama,

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati edhe për një tjetër mandat, Përparim Rama, ka premtuar investime në lagjen Dardania.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se pas përfundimit të punimeve në Tunel, janë duke i bërë sanimet e problemeve të cilat thotë se i kanë të trashëguara prej qeverisjeve të kaluara.

Sipas tij, do të përfundojë fasadimi i banesave dhe rregullimi i ashensorëve.

“Era burek veç n’Burektore, jo edhe n’Tunel. Po, në Tunel t’Kurrizit s’ka më erë bureku, veç investime serioze! Pas përfundimit t’punimeve në Tunel, po vazhdojmë me sanimet e problemeve të trashëguara prej qeverisjeve të kalume në pllato, s’ka më me pik mo poshtë Do ta përfundojmë fasadimin e banesave, rregullimin e liftave dhe do ta kthejmë në tërësi pamjen ikonike që ky kompleks e meriton, Dardania po kthehet aty ku e ka vendin. Përndryshe bureku i Bosnjes vazhdon me qenë fantastik”, ka thënë ai.