Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çapuni: Mandiqi po e paraqet padrejtësisht vendimin institucional si “provokim të Kurtit”

Ilir Capuni

Deputeti i Aleancës Shqiptare në Mal të Zi, Ilir Çapuni, ka thënë se kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, po e paraqet padrejtësisht vendimin për ndalimin për të hyrë në Kosovë të dy zyrtarëve malazias si “provokim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti”.

Në një postim në Facebook, Çapuni ka thënë se nuk ka krijuar përshtypjen se institucionet e Kosovës kanë pasur qëllim të dëmtojnë marrëdhëniet me Malin e Zi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Si përfaqësues i Aleancës Shqiptare, nuk kam pasur përshtypjen se dikush nga Republika e Kosovës dëshiron t’i prishë marrëdhëniet me Malin e Zi. Përkundrazi, besoj se organet kompetente kanë vlerësuar se ekzistojnë arsye sigurie për masa parandaluese ndaj personave konkretë”, ka shkruar ai.

Sipas Çapunit, mund të ketë diskutime nëse vendimi i institucioneve të Kosovës ka qenë i drejtë apo jo, por kjo mbetet në kuadër të vendimmarrjes së një shteti sovran.

Ai theksoi se Kosova ka vepruar përmes institucioneve të saj dhe brenda juridiksionit të vet, duke shtuar se të njëjtin respekt që kërkohet për vendimet e Malit të Zi, duhet ta gëzojnë edhe vendimet e Kosovës.

“Ndërsa presim që të gjithë të respektojnë vendimet e institucioneve të Malit të Zi, po ashtu duhet respektuar edhe e drejta e vendeve të tjera për të marrë vendime në përputhje me ligjet e tyre”, ka përfunduar Çapuni.

Është raportuar se Kosova u ka ndaluar hyrjen kryetarit të Nikshiqit, Marko Kovaçeviq e kryetarit të Kuvendit Komunal të Beranës, Vidi Ivanoviq – të dy pjesë e partisë Nova Srpska Demokratija (NSD), kryetar i së cilës është Mandiqi. Nga autoritetet e Kosovës nuk ka pasur ende konfirmim për këtë vendim.

Mandiqi pretendoi se me këto vendime “dikush po dëshiron të prishë marrëdhëniet mes politikanëve serbë dhe shqiptarë në Mal të Zi”.