Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Mbi 16 mijë vëzhgues do të monitorojnë zgjedhjet

25 dhjetor zgjedhjet

Foto: Driton Paçarada

Procesi zgjedhor i së dielës do të monitorohet nga mbi 16 mijë vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja. Ata përfaqësojnë subjekte politike, organizata joqeveritare, media, organizata ndërkombëtare dhe përfaqësi diplomatike.

I gjithë procesi zgjedhor i së dielës do të monitorohet nga rreth 16 mijë e 600 vëzhgues të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, vëzhguesit përfaqësojnë subjektet politike, organizatat joqeveritare, mediat, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Të gjithë këta vëzhgues apo këto organizata kanë aplikuar për një kohë të caktuar dhe të njëjtit do të mund të përcjellin nga afër aktivitetet e KQZ-së qoftë ditën e zgjedhjeve apo edhe aktivitet që zhvillohen në qendra komunale të numërimit”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim” do t’i ketë në terren 550 vëzhgues.

Eugen Cakolli nga DnV-ja thotë se përveç vëzhguesve, do të jetë edhe një ekip me rreth 100 persona për përpunimin dhe analizimin e të dhënave, mbi të cilat do të raportohet gjatë ditës.

“Demokracia në Veprim do të vëzhgoj dhe do të raportoj për hapjen e qendrave dhe vendvotimeve përkatëse, përfshirë ndonjë rast të mos hapjes në kohë, ndërsa gjatë ditës në intervale të rregullta do të raportojmë për daljen e votuesve në mostrën të cilën do ta kemi, e cila ka një saktësi gati në qind për qind, si dhe për mbarëvajtjen e procesit, përfshirë parregullsitë që e kanë karakterizuar procesin si dhe potencialisht për incidentet serioze që do të mund të ndodhin gjatë ditës”, deklaroi Cakolli.

DnV-ja do të raportojë edhe për mbylljen e vendvotimeve dhe mbarëvajtjen e procesit në tërësi.

Cakolli rendit disa nga problemet që tradicionalisht e shoqërojnë procesin zgjedhor në Kosovë.

“Pa dyshim problemet me votimin me asistencë përbëjnë mbase edhe problemin më të shprehur të ditës së zgjedhjeve, kurse pa anashkaluar duhet të përmendim patjetër edhe çështjen e pamundësisë ose vështirësive të votuesve për të gjetur qendrën e tyre të votimit për shkak të ndryshimeve që ka bërë KQZ-ja, përkundër një kampanje mjaft intensive dhe mjaft të shprehur të KQZ”, u shpreh ai.

Ndër vëzhguesit ndërkombëtarë të akredituar janë edhe ata nga Zyra e Bashkimit Evropian, Ambasada e Britanisë së Madhe, ajo e Gjermanisë, Ambasada e Turqisë e të tjerë.