Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

5 serbë akuzohen për 5 shqiptarë që i hipën në veturën e policisë dhe i ekzekutuan më pas

Prokuroria Speciale

Pesë anëtarë të një familjeje që u vranë në maj të 1999-s nga pjesëtarë të policisë serbe, sipas Prokurorisë, ishin marrë me forcë në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë dhe ishin dërguar tek një lokacion për t’u ekzekutuar. Në aktakuzën e siguruar nga KOHA, tregohen detaje se si është zhvilluar krimi

Pesë ish-pjesëtarë të Policisë serbe akuzohen se më 6 maj të 1999-s, i kanë ekzekutuar pesë civilë shqiptarë, anëtarë të një familjeje.

Bazuar në aktakuzën që e ka siguruar KOHA, Predrag Nikoliq, Zoran Deletoviq, Ivan Ivanov, Sinisha Milanoviq dhe Jovica Deniq i morën me forcë civilët te pompa e derivateve “Beopetrol”, në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, dhe më pas i futën në veturës zyrtare të stacionit policor në Fushë Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“I urdhërojnë që të hyjnë në veturën e policisë, me pretekstin që t’i dërgojnë në stacionin e trenit në Fushë-Kosovë dhe kur arrijnë tek udhëkryqi i Fushë Kosovës, kthehen në anën e majtë dhe vazhdojnë rrugën në drejtim të fshatit Sllatinë, në fshatin Vragoli kalojnë nëpër pikë-kontrollin e policisë dhe ushtrisë serbe, mirëpo nuk ndalohen nga ta dhe vazhdojnë rrugën për në fshatrat Dobrevë-Batushë-Lepinë, dhe me të arritur te vendi i quajtur “Megja”, e ndalin automjetin dhe i urdhërojnë viktimat që të zbresin”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Sipas Prokurorisë Speciale, e cila të hënën ka kërkuar gjykim në mungesë për të pandehurit, pasi viktimat kanë dalë nga vetura, Predrag Nikoliq i ka urdhëruar të shtrihen me fytyrë për toke, e më pas është shtënë në ta. Aktakuza thekson se Milanoviqi e Deniqi kanë qenë të pranishëm gjatë momentit të vrasjes.

“I pandehuri Zoran Deletoviq kishte shtënë me armë automatike Crvena Zastava M70AB2 me nr. serik 62915 edhe pas ekzekutimit-vrasjes së viktimave, kurse të pandehurit Sinisha Milanoviq dhe Jovica Deniq, gjatë tërë kohës kishin qenë prezentë në vendin ku janë kryer vrasjet, ashtu që kanë kontribuuar duke u ndihmuar të pandehurve të tjerë në kryerjen e vrasjeve”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë përshkruhet edhe përpjekja për të fshehur gjurmë të krimit.

“Pas kësaj të pandehurit hyjnë në automjetin e tyre, vazhdojnë rrugën në drejtim të Lipjanit-Prishtinës dhe gjatë rrugës i pandehuri Predrag Nikoliq ia jep dokumentet e viktimave të pandehurit Ivan Ivanov me udhëzimin që t’i djegë ato dhe në fund kthehen në stacionin policor në Fushë Kosovë dhe e dorëzojnë ndërrimin”, thuhet tutje në aktakuzë.

Për pesë të pandehurit, Prokuroria Speciale të hënën ka ngritur aktakuzë në mungesë, dhe ka kërkuar gjykim në mungesë, meqë sipas organit të akuzës, të pandehurit janë të paarritshëm për autoritetet e drejtësisë.

Gjatë vitit 2025 janë ngritur 15 aktakuza ndaj 55 të dyshuarve serbë për krime lufte në Kosovë, përfshirë 10 në mungesë të të pandehurve.