Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Beteja e Aleancës në zgjedhjet e 7 qershorit

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E kam problem me rrejt”, Gjini: S’i ndërrojmë qëndrimet, rruga e Kurtit është e gabuar

26 min. më parë / 3 qer 2026 20:46
gjini

Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka folur për qëndrimin e kësaj partie në lidhje me mbështetjen ose bashkëpunimin e mundshëm me partinë në pushtet pas përfundimit të zgjedhjeve.

Gjini deklaroi se vazhdimisht e thonë që rruga e Lëvizjes Vetëvendosje është e gabuar andaj nëse do t’i mbështesin, i bie se kanë gënjyer para qytetarëve dhe po e mbështesin të gabuarën. Ai thotë se e ka problem të gënjejë.

“Qytetari i Kosovës duhet t’ia ulë atë pushtet sepse e ka vetëm për vete jo për ta. Nëse unë them që kjo rrugë qe e ka ndjekur Kosova në vitet e fundit është e gabueshme në aspektin strategjik, ndërkombëtar, ekonomik e të sigurisë, nuk duhet të pres dikush që kam ndonjë vullnet ta vazhdojë këtë rrugë, se atëherë del që po ju rrej sonte, e kam problem të rrej. Me e ditë veten që pak rrej skuqem, prandaj nuk rrej”, ka thënë Gjini.

Gjini në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV ka thënë se është hipokrizi të flasësh kundër partisë në pushtet gjatë fushatës zgjedhore dhe menjëherë pas zgjedhjeve t’i ndërrosh bindjet.

“Duhet të jesh tepër hipokrit që t’i flasësh krejt këto çka po i flas në fushatë dhe si të përfundojnë zgjedhjet, t’i kërkoj katër ministri. Zero. Më përpara asnjë se nuk mundem të tallem me qytetarët duke iu treguar që jam i bindur në diçka e të më ndërrojë bindja brenda natës. Nuk mundem”, ka deklaruar Gjini në KTV.

Ardian Gjini në këto zgjedhje është bartës i listës dhe kandidat për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Gjini është zgjedhur edhe kryetar i AAK-së.

Për shumë palë zgjedhje, këtë pozitë e ka mbajtur themeluesi i kësaj partie, Ramush Haradinaj. Ai në këto zgjedhje garon me numrin 11 për deputet.
 

Gjini premton heqjen e tatimit në pagë për bizneset që ua mundësojnë grave të punojnë nga shtëpia

44 min. më parë / 3 qer 2026 20:28
gjini

Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se një nga synimet për rritjen e fuqisë punëtore, e që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik është angazhimi më i madh i grave në tregun e punës.

Gjini ka thënë se një program të cilin AAK-ja e ka menduar është që bizneset të cilat ua mundësojnë grave të punojnë nga shtëpia, të lirohen për tri vite nga tatimi i asaj page. 

“Ne dëshirojmë të zhvillojmë një program sipas të cilit punësimi i grave në shtëpi, ta kryej punë prej shtëpisë, nënkupton lirim i plotë për të paktën tri vite nga tatimi në pagë. Nëse një ndërmarrje punon çanta dhe i trajnon 10 apo 15 gra për t’i punuar ato çanta në shtëpi, nuk do të paguaj tatim në pagë. Dallimi është që ne i po i themi do t’i marrësh 500 euro çdo muaj me punën tënde dhe nuk do t’i jap Qeveria Kurti kurdo që ka zgjedhje ato 500 euro”, ka thënë Gjini në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV.

Sa i përket bizneseve, Gjini ka deklaruar se për shkak të pragut të TVSH-së për bizneset mikro të vogla e të mesme prej 30 mijë eurove, bizneset familjare po detyrohen t’i manipulojnë shifrat sepse përndryshe do të punonin me zero fitim.

Gjini ka thënë se këtë prag të qarkullimit të bizneseve, do ta rrisin në 100 mijë euro.

“Ne e kemi pragun e TVSH-së për bizneset, mikro të vogla dhe të mesme, 30 mijë euro. Çfarëdo biznesi familjar, e që në Kosovë janë diku 100 mijë, detyrohen të punojnë në ‘të zezën’. Nëse vetëm 100 euro në ditë qarkullojnë, e tejkalojnë 30 mijë euro në vit qarkullimin, atëherë duhet të paguajnë 18% TVSH, tatim në pagë dhe pastaj nëse i kalkuon të gjitha këto, atëherë i bie zero fitim. Ata detyrohen t’i manipulojnë shifrat se nuk kanë llogari të mbajnë edhe kontabilitet e të përballen me ATK-në”, ka thënë Gjini.

Dëmi nga kjo ai ka thënë se është pamundësia e marrjes së një kredie në bankë për të blerë makineri të re nëse një biznes dëshiron të rritet. Sipas tij nëse vetëm një ditë e rrisim pragun në 100 mijë euro “secili prej tyre mund të dërgojë të hollat e tij në bankë, të marrë kredi, të punësojë një punëtor tjetër e të blejë një makineri tjetër”.

Sa i përket zotimit për qëndrueshmëri me energji elektrike, Gjini ka përsëritur se është jetike ndërtimi i termocentralit me gaz për të cilin është shprehur se ndërtohet shpejt.

 

Gjini: Po punojmë për t’i fituar zgjedhjet

53 min. më parë / 3 qer 2026 20:19
gjini

Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se janë duke u angazhuar si subjet politik që t’i fitojnë zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas Gjinit, Kosova ka stagnuar në zhvillimin ekonomik andaj po mundohen t’i bindin qytetarët se kjo është rruga e vetme për ta nxjerrë vendin nga situata në të cilën ndodhet.

“Pavarësisht që dikush kur e dëgjon këtë mund t’i duket naive, unë po iu them që ne po punojmë për t’i fituar zgjedhjet. Jo t’i fitojmë zgjedhjet për vete sepse nuk është fitore sikurse në sport, tenis apo boks. Po synojmë të fitojmë bindjen e qytetarëve që rrugën të cilën jemi duke e shpjeguar është rruga e vetme që e nxjerrë Kosovën nga situata në të cilën është”, ka thënë Gjini në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV.

Kryetari i AAK-së ka thënë se gjatë fushatës zgjedhore asnjëherë nuk e kanë nxitur luftën personale me liderët e partive të tjera politike me të cilët janë në garë, çka është parë në këtë fushatë zgjedhore.

Gjini është shprehur se shteti duhet t’i krijojë kushtet për bizneset e reja dhe si të djathtë konsiderojnë se qytetarët nuk duhet të krijojnë varësi nga siç tha – mbështetja permanente e shtetit.

“E kemi evituar luftën personale me liderët e tjerë politikë, e kemi evituar në maksimum edhe pse në politikë ka ‘bërryla’ e ‘thumba’ ndonjëherë. Prapë se parë kudo ku kemi shkuar kemi treguar çka dëshirojmë të bëjmë dhe kemi provuar të shpejgojmë për qytetarët që nuk ka rrugë tjetër dhe kjo nënkupton zhvillim ekonomik”, ka thënë Gjini.

Kandidati i AAK-së për kryeministër ka thënë se qytetarët nuk mund të kenë pensione më të mira, paga më të mira, shkolla e spitale më të mira “nëse nuk ka zhvillim ekonomik”.