Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajrami dorëzon kallëzim penal për deponinë e Sferkës, Pacolli e fajëson bashkëpartiakun e saj

sferk

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit lidhur me gjendjen në deponinë rajonale të mbeturinave në Sferkë të Pejës.

Përmes një njoftimi në rrjetin e saj social, Facebook, Bajrami tha se kallëzimi penal i është dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në cilësinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj, deponia është përfshirë nga zjarri prej pesë ditësh, duke paraqitur rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Ajo theksoi se problemi nuk lidhet vetëm me zjarrin, por me mënyrën e menaxhimit të deponisë ndër vite.

Bajrami pretendon se, pas përfundimit të menaxhimit të deponisë nga kontingjenti italian i KFOR-it më shumë se një dekadë më parë, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare, pasi nuk janë groposur dhe mbuluar me dhe, duke shkaktuar ndotje të vazhdueshme të ajrit, tokës dhe ujërave.

Ajo rikujtoi se deponia aktualisht menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionare e vetme e së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në kallëzimin penal, Bajrami thotë se ka kërkuar që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, si dhe të institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur përgjegjësi për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite. Sipas saj, në mesin e institucioneve që duhet të hetohen janë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente.

Ajo ka kërkuar hetime për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, si dhe për të verifikuar nëse ka pasur mosveprim ose keqpërdorim të detyrës zyrtare nga personat përgjegjës.

Bajrami theksoi se e drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe kërkoi që Prokuroria ta trajtojë rastin me prioritet, ndërsa institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për sanimin e gjendjes dhe mbylljen e përhershme të deponisë.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, gjatë javës i është përgjigjur Bajramit lidhur me deponinë Sferkë të Pejës.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se  njeriu përgjegjës për gjendjen e asaj deponie është kryetari i Pejës, nga radhët e LDK-së, Gazmend Muhaxheri.

“Në vend se të derdhësh lot krokodili duke përdorur fjalë melankolike për gjendjen në Deponinë e Sferkës, pra vendlindjes tënde, është mirë të flasësh me zotin Muhaxheri, i cili e ka nën menaxhim këtë deponi. Përpjekja për të manipuluar publikun me procese që nuk fare lidhje me menaxhimin aktual të deponisë, siç është investimi që po përgatitet nga KMDK-ja e Qeveria për ta trajtuar këtë situatë, nuk mund ta shkarkojë përgjegjësinë nga bashkëpartiaku yt në krye të Komunës së Pejës”, ka shkruar ajo.

Ajo e ka akuzuar Bajramin se qëllimshëm po e mjegullon situatën për të shpërndarë fajin.

Tutje ka shtuar se janë ndërmarrë hapa për të siguruar zgjidhje të  qëndrueshme për deponinë e  Sferkës.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar sërish ndaj atij të ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli. 

Bajrami ka thënë se i qëndron prapa Kallëzimit Penal dhe se uron që Prokuroria të hetojë deri në fund çdo veprim a mosveprim. Ajo shtoi se kushdo që mban përgjegjësi duhet të përballet me drejtësinë dhe pasojat që i parasheh ligji.

Reagimin, Bajrami e nisi duke kërkuar që Pacolli të “qetësohet”, të mos frikësohet dhe të lexojë atë se çka ka kërkuar përmes Kallëzimit Penal.

“Ministre në detyrë, nëse vetë keni konstatuar se kjo deponi nuk i plotëson standardet mjedisore për shkak të mosrespektimit të standardeve, atëherë pyetja është e qartë: pse nuk janë ndërmarrë masat për ndalimin e funksionimit të saj dhe pse gjithçka është kufizuar vetëm në shqiptimin e një gjobe?

Nëse nuk janë respektuar standardet, atëherë është dashur të mbyllet. Kushdo që nuk e ka mbyllur, e ka vendin në BURG. PIKË! Ju vetë thoni se KMDK-ja ka qenë në Sferkë. Atëherë ku ishte Ministria? Ku ishin mekanizmat e saj? Ku ishin masat urgjente për ta parandaluar dhe menaxhuar këtë krizë?”, ka shkruar mes tjerash Bajrami.

KMDK-ja: Deponia në Sferkë menaxhohet nga KRU “Ambienti”, me aksionar kryesor Komunën e Pejës

16 min. më parë / 19 kor 2026 19:25
sferk

Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ka reaguar pas zjarrit në deponinë në fshatin Sferkë të Pejës.

Në reagim thuhet që deponia nuk është nën menaxhimin e KMDK-së por të Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Ambienti”, ku Komuna e Pejës është aksionari kryesor.

Paraprakisht, ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli dhe deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, janë përplasur pasi kjo e fundit ka dorëzuar Kallëzim Penal për mosmenaxhimin e asaj deponie dhe dëmin që iu shkaktohet banorëve, veçanërisht nga tymi i saj tashmë që po digjet. Pacolli i është kundërpërgjigjur se deponia nuk menaxhohet nga ministria por niveli lokal.

“Ajo menaxhohet nga Kompania Regjionale e Mbeturinave 'Ambienti', ku Komuna e Pejës është aksionari kryesor. Përfaqësuesit e KMDK-së kanë vizituar deponinë dhe janë njoftuar nga afër me gjendjen e krijuar. Me këtë rast, KMDK ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur KRM “Ambienti” me kapacitetet e saj profesionale dhe teknike, me qëllim që zjarri të vihet sa më shpejt nën kontroll dhe të shuhet plotësisht, gjë që e ka bërë edhe në të kaluarën”, thuhet në reagim.