Avokati i Popullit, Naim Qelaj vlerëson se situata e krijuar pas zgjedhjeve të fundit, ku është krijuar ngërç institucional si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, është absurde dhe në dëm të interesit të qytetarëve.
Në një intervistë në “Tempus“, Qelaj tha se nevojitet një dialog politik. Tha se kirijimi i institucioneve është obligim kushtetues, ligjor dhe moral i deputetëve, të cilëve ua kanë falë besimin qytetarët.
Në këtë situatë, ai tha se po cenohet një e drejtë e garantuar kushtetuese e qytetarëve- e drejta për zgjedhje.
“Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e fundit në përgjithësi, pa dallim, pa hy në shkaqet dhe arsyet e justifikuara ose jo, për mendimin tim janë në shkelje të Kushtetutës në raport me detyrimet që kanë mbi të drejtën e qytetarëve që me zgjedhjet e lira dhe demokratike me i zgjedh përfaqësuesit që e konstituojnë Kuvendin. E dyta, konsideroj që mungesa e kontrollës dhe mbikëqyrjes parlamentare mbi autoritetet publike, sidomos Qeverinë dhe ekzekutivin, por edhe autoriteteve të tjera është një prej veprimeve që mundet me pas pasoja të shumta edhe në raport me politikat edhe në raport me veprimet konkrete që administrata publike mundet me i ndërmarrë në këtë kohë”, tha Qelaj.
Qelaj tha se kontrolli parlamentar ka munguar edhe para zgjedhjeve.
“Edhe para se me shku në zgjedhje kam ngrit shqetësimin për mungesën e kontrollit parlamentar në këtë legjislaturë, për arsye se ka mungu për mua si Avokat i Popullit nga ajo që une kam pa në punën time direkte me Kuvendin, ka munguar mbikëqyrja parlamentare. Shumë rrallë jam ftu nga komisionet parlamentare me u ballafaqu me instuticionet që nuk po e zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit”, tha Qelaj.
Ai shtoi se aktualisht Komisioni i Pavarur i Mediave është jofunksional për shkak se nuk ka bord. Këtë pozicion, tha se e rrezikon edhe Gjykata Kushtetuese, ngase ka gjyqtar që përfundon mandatin ose del në pension, dhe Kushtetuesja mund të vije në mungesë të funksionimit.
Andaj, Qelaj tha se situata aktuale është në dëm të interesit të qytetarëve dhe në dëm të funksionimit kushtetues të institucioneve. /BetimipërDrejtësi
