Në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët për vite me radhë, është zvarritja e procedurave gjyqësore.
“Për vite të tëra me radhë, problematika kryesore me të cilën janë ballafaquar qytetarët e Republikës së Kosovës ka qenë zvarritja e procedurave gjyqësore, që u pamundëson garantimin e një të drejte kushtetuese, që është e drejta për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme. Përkundër përpjekjeve që janë bërë, rritjes së numrit të gjyqtarëve, prokurorëve, krijimit të politikave dhe strategjive për t’i menaxhuar rastet e vjetra, pastaj angazhimi për me rrit performancën dhe efektivitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi, jemi në një situatë ku edhe më tutje vazhdojmë me pranu ankesa më të shumta dhe me nxjerrë raporte më të shumta në raport me sistemin e drejtësisë, pikërisht për shkak të zvarritjeve të procedurave gjyqësore”, tha Qelaj.
Për këtë, ai tha se janë angazhuar për të mbajtur një takim të përbashkët me strukturat e sistemit të drejtësisë- me Odën e Avokatëve të Kosovës, Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe Akademinë e Drejtësisë.
“Kemi adresuar shqetësimin tonë se është i pamjafueshëm reagimi jonë vetëm përmes raporteve sepse situata nuk po ndryshon, shkelja po vazhdon edhe më tej dhe duhet me pa cilat janë shkaqet që përkundër masave nuk po arrihet me mbërri qëllimi caktuar dhe cilat janë veprimet që duhet me i ndërmarrë. Në këtë takim, ka dalë si konkluzion i përbashkët që refoma në drejtësi nënkupton punë të përbashkët dhe të koordinuar mes institucioneve që me mujt me pa si me ndiku që gjykata me qenë në mundësi dhe kapacitet me i zbatu detyrat dhe përgjegjësitë që i ka”, tha Qelaj.
Sipas tij, një numër të madh të rasteve e shkakton edhe puna jo e mirë e administratës shtetërore, Qeverisë dhe dikasterëve tjerë.
Qelaj theksoi se qytetarët po detyrohen nga administrata shtetërore të paraqesin padi para gjykatave.
“Sepse duke mos ndërmarrë veprime parandaluese të shkeljeve të të drejtave të qytetarëve, atëherë qytetarët janë të detyruar që mbrojtjen në instancë të fundit me kërku në gjykatë dhe sikur të merreshin masa paraprakisht nga administrata shtetërore për evitimin e këtyre problemeve, natyrisht kishin m’u zvogëlu edhe rastet”, shtoj Qelaj.
Ai tha se në këtë drejtim është konstatuar problematika me zbatimin e detyrimeve që dalin nga Kontrata Kolektive, që shkaktoi një numër të madh të rasteve gjyqësore, pastaj ndalimi i dy pensioneve dhe realizimi i të drejtave të tjera që lidhen nga marrëdhënia e punës.
Paraprakisht, ai tha se për gjendjen e të drejtave të njeriut, mund të konstatojnë vetëm mbi bazën e ankesave që pranojnë, e ku natyra e tyre tregon për problemet më të shpeshta me të cilat ballafaqohen qytetarët. Qelaj shtoi se pret të ketë progres në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raportet e Avokatit të Popullit. /BetimipërDrejtësi
Qelaj: Kosova i ka përmbushur standardet për të qenë anëtare e KiE-së
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur standardet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, duke theksuar se mosanëtarësimi paraqet një pengesë të madhe për mbikëqyrjen ndërkombëtare të punës së institucioneve vendore.
“Përveç aspekteve politike, mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës paraqet një pengesë të madhe për mbikëqyrjen ndërkombëtare të institucioneve. Ne kemi ndërtuar një sistem juridik që në themelet e tij ka vlerat e përcaktuara nga konventat evropiane dhe të inkorporuara në Kushtetutë, por që nuk ka instrumente që mbikëqyrin funksionimin e institucioneve në pajtim me këto standarde”, tha Qelaj.
Ai shtoi se asnjë shtet evropian nuk ka shpëtuar pa u gjetur përgjegjës nga Gjykata Evropiane për shkelje të të drejtave të njeriut, duke theksuar se aktualisht qytetarët e Kosovës nuk e kanë këtë mundësi.
“Përveç kësaj, mekanizmat e Këshillit të Evropës, si Komiteti për Parandalimin e Torturës, kanë mandate të kufizuara për monitorim në Kosovë”, theksoi ai.
Qelaj u shpreh se pengesat për anëtarësim janë kryesisht politike, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga disa shtete, por sipas tij, edhe institucionet vendore nuk kanë pasur qasje të mjaftueshme për lobim.
“Kjo ka qenë një mundësi e humbur dhe një dëm i madh për Kosovën, sepse momenti ka qenë i volitshëm që vendi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”, përfundoi Avokati i Popullit. /BetimipërDrejtësi
Avokati i Popullit për DhSK-në: Hartova një pjesë të raportit dhe e dërgova në Kuvend, s’kishte reagim
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka folur për qëndrimin e tij lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), duke e cilësuar këtë si një rast “sui generis” në sistemin e drejtësisë.
“Kemi të bëjmë me një gjykatë që mund të konsiderohet si gjykatë e krijuar ad-hoc vetëm për një rast secifik, pra lidhet vetëm me një kategori të personave që mund të jenë të akuzuar dhe me një kategori të personave që mund të jenë të dëmtuar-viktima dhe me një periudhë të caktuar kohore. Dhe vjen si rezultat i raportit të Dick Martyt, gjë që e din qytetari i Republikë së Kosovës. Natyrisht në kohën kur është miratuar ligji, nuk e di pse ka kaluar pa një debat edhe pa një diskutim konstruktiv së paku për disa mekanizma që kjo gjykatë i ka krijuar- që nuk janë gjyqësore, që lidhen me monitorimin e punës së gjykatës”, tha Qelaj.
Sipas tij, kjo të lë shije që struktura e krijuar brenda gjykatës është për të mos u monitoruar dhe kritikuar.
Në vitin e parë të mandatit të tij, Qelaj tha se shprehu gatishmërinë për t’i vizituar personat që po gjykoheshin atje, për shkak se në komunikimet që kishte me Avokatin e Popullit të Dhomave të Specializuara, ai ka hezituar të japë përgjigje në pyetjet e ngritura nga Qelaj.
“Gjatë asaj vizite pranova shumë shqetësime nga të paraburgosurit që lidhen me dyshimet e tyre për moszhvillimin e një procesi të drejtë – në raport me barazinë e palëve, procedurat e provave dhe vetë mënyrën se si është e organizuar gjykata”, tha Qelaj.
Ai bëri të ditur se pas kësaj vizite ka hartuar një pjesë të raportit dhe e ka dorëzuar në Kuvend, me qëllim që të diskutohej për këto çështje.
“E kam hartuar një pjesë të raportit dhe e kam dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me idenë që Kuvendi ka me i diskutu çështjet që unë i kam ngrit aty dhe natyrisht me pa perspektiven qysh dojnë me vazhdu më tej, si qëndrime që vijnë nga legjislativi në raport me këtë gjykatë. Mirëpo, nuk ka pas një diskutim të tillë, në fakt nuk ka pas asnjë reagim”, tha Avokati i Popullit.
Ai shtoi se më vonë takoi kryetaren e Speciales, Ekaterina Trendafilova, e cila i kishte raportuar për punën e gjykatës.
Qelaj tha se ka kërkuar një vizitë të dytë në Hagë në cilësinë e Avokatit të Popullit, por i kishin thënë se mund t’i takojë vetëm dy të akuzuar. Andaj e kishte shtyrë vizitën në Hagë. Në ndërkohë, tha se i kishte ardhur kërkesa për takim nga Trëndafilova. Kjo e fundit, sipas tij, kishte folur për kufizimet që Qelaj i ka në mandat.
Avokati i Popullit tha se Specialja brenda strukturës së saj e ka edhe Gjykatën Kushtetuese, se shkallshmërinë e ka brenda një gjykate, edhe Prokurorinë brenda një administrate.
“Dhe krejt kjo natyrisht shpreh shqetësime të ligjshme nga ana e secilit qytetar të Republikës së Kosovës, por edhe nga ana ime si Avokat i Popullit nëse kjo gjykatë është ndërtu mbi bazën e standardeve që garantojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm dhe që garanton proces, i cili në fund rezulton me një vendim të drejtë me këta të akuzuar, mirëpo edhe shqetësime që lidhen me dëshmitarët e mbrojtur edhe me viktimat e rastit”, tha Qelaj.
Në fund, ai tha se është i interesuar t’i takojë të akuzuarit në Hagë dhe mbrojtjen. Tha se pasi t’i kryejë vizitat, nëse i realizohet kjo vizitë, do të shoh nëse shqetësimet e ngitura qëndrojnë apo jo. /BetimipërDrejtësi
Qelaj: S’kemi arritur të konstatojmë që është përdorë dhunë në raport me të burgosurit
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se gjatë monitorimit të vazhdueshëm të qendrave të ndalimit dhe paraburgimit, nuk është arritur të konstatohet përdorimi i dhunës ndaj të burgosurve.
“Si institucion kemi një bashkëpunim shumë të mirë me qendrat, na ofrojnë qasje në dokumentacion dhe mundësi të pakufizuara. Kemi pranuar ankesa, por nuk kemi arritur të vërtetojmë se është përdorur dhunë ndaj të burgosurve”, deklaroi Qelaj në një intervistë për “Tempus“.
Megjithatë, ai theksoi se janë evidentuar probleme në kushte të akomodimit, në vizitat e familjarëve dhe pranimin e pakove ushqimore.
“Pjesa më shqetësuese lidhet me trajtimin e personave me çrregullime mendore. Kemi pasur disa raste të hetuara dhe konstatimet tona përputhen edhe me gjetjet e organizatave ndërkombëtare”, tha Qelaj, duke përmendur problematika kryesisht në qendrat e paraburgimit në Prizren e Pejë, si dhe në stacionet policore.
Ai u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që të respektojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit.
“Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të jenë më të kujdesshme me rekomandimet e institucionit të Avokatit të Popullit”, përfundoi ai. /BetimipërDrejtësi
Qelaj për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan: Duhet hetim profesional dhe i kujdesshëm
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tregojnë ndërhyrjen e Policisë në rastin e një 27-vjeçari në Lipjan, i cili më pas humbi jetën.
Qelaj tha se pamjet e rastit kanë shokuar qytetarët, por që rasti kërkon hetim profesional.
“Qëndrimi im është që ky rast kërkon hetim profesional, të kujdesshën dhe të zbardhen të gjitha detajet, sepse nuk është në interes as të familjes së viktimës që faktet të mbeten të pazbardhura. Kam frikë se mund të jetë një prej rasteve ku faktet zbulohen, por përgjegjësia mbetet pezull, shpresoj të mos ndodh kjo, pasi është bërë një gjykim publik që tashmë ka krijuar pritje në opinion”, tha Qelaj.
Ai theksoi se situata ka qenë e vështirë edhe për zyrtarët policorë, pasi po menaxhonin një rast të lajmëruar nga qytetarët si rrezikshmëri, por ngriti shqetësim për mënyrën e trajtimit të të ndjerit pas arrestimit.
“Për mua ka qenë shqetësuese mënyra e trajtimit pas vendosjes në barrelën me të cilën e transportuan viktimën. Nuk i di rrethanat, por besoj që nuk ka qenë e dinjitetshme ta vendosin me duar të lidhura pasi është neutralizu, pasi gjithçka ka ndodh, së paku një trajtim të dinjitetshëm”, theksoi Avokati i Popullit.
Ndryshe, Gjykata e Apelit përmes vendimit që u bë publik të hënën, ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan e cila më 9 korrik 2025 ua ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan. /BetimipërDrejtësi
Qelaj për vendimet e Supremes: Moszbatimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i ftuar në një intervistë në “Tempus”, tha se Avokati i Popullit asnjëherë nuk lëshohet në diskutim lidhur me përmbajtjen meritore të asaj se çfarë përmbajnë vendimet gjyqësore sepse duhet respektuar ndarja e pushteteve.
Këtë deklarim, ai e bëri kur u pyet për tri vendimet e fundit të Gjykatës Supreme- lidhur me Rregulloren e Komisionit të Pavarur të Mediave, për Rregulloren e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe atë për Udhëzimin Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.
Supremja së fundi ka shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së. Shkalla e tretë, me një vendim tjetër, njëjtë veproi edhe me Rregulloren për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores mbi Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, duke konstatuar se çdo akt juridik i nxjerrë nga një udhëheqës në cilësinë e ushtruesit të detyrës pas skadimit të afatit prej një viti është i pavlefshëm.
Ndërkaq, vendimi i tretë ka të bëjë me shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, duke konstatuar se ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe ministrit në të njëjtën kohë, është i ndaluar. Rrjedhimisht, edhe nxjerrja e UA është e kundërligjshme.
“Ma shumë e shoh si punë e gjyqësorit që i takon në vendimmarrje dhe guxim profesional për me vendos për çështje që mund të kenë edhe efekte, ose mund të kenë edhe zëra kundër dhe zëra kritikë. Vitet e fundit kemi pas një gjuhë të vazhdueshme kërcënuese në raport me insitucionet e pavarura dhe sistemet ndara të pushtetit dhe në raport me Prokurorin e Shtetit, në raport me gjyqësorin edhe me Gjykatën Kushtetuese, edhe me institucione të tjera të pavarura, dorën në zemër edhe me Komisionin e Pavarur të Mediave. Ne e dimë tendencën e thirrjes në raportim të përditshëm të kryetarit të Komisionit, i cili në fund të fundit është një autoritet kushtetues, pra ishte Komision i pavarur kushtetues i vendit”, tha Qelaj.
Sipas Qelajt, duhet mësuar me mendimet pro dhe kundër, por vendimet duhet zbatuar.
“Në demokraci duhet me u mësu me reagimet pro e kundër, përderisa vendimet zbatohen. Unë konsideroj se këtu matet niveli i demokracisë jo në gjuhën që përdoret edhe pse mund të mos jetë e pranueshme, edhe mund të shkaktojë polarizim të skajshëm në mes të qëndrimeve, opinionit publik, mund të shkaktojë edhe huti te qytetarët, shpesh edhe reaksion që mund të jetë i papërshtatshëm”, deklaroi Qelaj.
Përderisa mbesin në nivel të deklaratave publike të krijimit të opinionit, Qelaj tha se dekaratat e tilla mund të konsiderohen si kërcënim, por jo si ndërhyrje, sepse ka mekanizma që i mbrojnë autoritetet në punën e tyre.
“Për shembull, gjyqtarët kanë imunitet, ata janë të pacenueshëm në vendimmarrje, përveç nëse konstatohet se një vendim i tyre është i kundërligjshëm”, tha Qelaj.
Sipas tij, moszbatimi i vendimeve gjyqësore përbën veprim arbitrar dhe sjell pasoja të rënda për shtetin e së drejtës.
“Nëse vendimi i gjykatës nuk zbatohet, futemi në një dimension tjetër, në shkelje që nuk përputhen me vlerat demokratike. Moszbatimi i vendimeve është vepër penale, është inkriminuese”, deklaroi Qelaj.
Ai reagoi edhe ndaj deklaratave të disa ministrave që kanë thënë se do të vazhdojnë funksionin edhe si deputetë, duke e cilësuar këtë sjellje si tejkalim të kompetencave dhe shkelje të mandatit. Avokati i Popullit tha se demokracia cenohet kur kontestohet zbatimi i atyre vendimeve.
“Nëse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Supreme, atëherë kemi një situatë të qartë të cenimit të sundimit të ligjit. Ekzekutimi është detyrim”, përfundoi Avokati i Popullit. /BetimipërDrejtësi
Avokati i Popullit: Situata e krijuar në Kuvend pas zgjedhjeve të fundit është absurde dhe në dëm të interesit të qytetarëve
Avokati i Popullit, Naim Qelaj vlerëson se situata e krijuar pas zgjedhjeve të fundit, ku është krijuar ngërç institucional si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, është absurde dhe në dëm të interesit të qytetarëve.
Në një intervistë në “Tempus“, Qelaj tha se nevojitet një dialog politik. Tha se kirijimi i institucioneve është obligim kushtetues, ligjor dhe moral i deputetëve, të cilëve ua kanë falë besimin qytetarët.
Në këtë situatë, ai tha se po cenohet një e drejtë e garantuar kushtetuese e qytetarëve- e drejta për zgjedhje.
“Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e fundit në përgjithësi, pa dallim, pa hy në shkaqet dhe arsyet e justifikuara ose jo, për mendimin tim janë në shkelje të Kushtetutës në raport me detyrimet që kanë mbi të drejtën e qytetarëve që me zgjedhjet e lira dhe demokratike me i zgjedh përfaqësuesit që e konstituojnë Kuvendin. E dyta, konsideroj që mungesa e kontrollës dhe mbikëqyrjes parlamentare mbi autoritetet publike, sidomos Qeverinë dhe ekzekutivin, por edhe autoriteteve të tjera është një prej veprimeve që mundet me pas pasoja të shumta edhe në raport me politikat edhe në raport me veprimet konkrete që administrata publike mundet me i ndërmarrë në këtë kohë”, tha Qelaj.
Qelaj tha se kontrolli parlamentar ka munguar edhe para zgjedhjeve.
“Edhe para se me shku në zgjedhje kam ngrit shqetësimin për mungesën e kontrollit parlamentar në këtë legjislaturë, për arsye se ka mungu për mua si Avokat i Popullit nga ajo që une kam pa në punën time direkte me Kuvendin, ka munguar mbikëqyrja parlamentare. Shumë rrallë jam ftu nga komisionet parlamentare me u ballafaqu me instuticionet që nuk po e zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit”, tha Qelaj.
Ai shtoi se aktualisht Komisioni i Pavarur i Mediave është jofunksional për shkak se nuk ka bord. Këtë pozicion, tha se e rrezikon edhe Gjykata Kushtetuese, ngase ka gjyqtar që përfundon mandatin ose del në pension, dhe Kushtetuesja mund të vije në mungesë të funksionimit.
Andaj, Qelaj tha se situata aktuale është në dëm të interesit të qytetarëve dhe në dëm të funksionimit kushtetues të institucioneve. /BetimipërDrejtësi
Qelaj: Kam pranuar ankesa të qytetarëve në të cilat zvarritjet e procedurave gjyqësore janë me 20 vite
Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një intervistë në “Tempus” tha se ka pasur rast kur ka pranuar ankesa nga qytetarët, me të cilat tregojnë se procedurat gjyqësore janë zvarritur 20 vite.
“Unë vetë kam pranuar ankesa të qytetarëve që zvarritja e procedurave gjyqësore janë edhe me 20 vite, vitit 2004, vitit 2001, ka edhe më të hershme, por megjithatë ka pas një ndryshim në situatë. Sa i përket procedurës penale, procedura veç është reduktu dhe ka pas një efikasitet të shtuar në trajtimin e rasteve, ndoshta edhe për shkak të natyrës së procedurës sepse janë më pak të komplikuara sepse gjykata gjykon në fazën kur përfundojnë hetimet dhe vetëm i procedon me prova dhe dihen se cilat janë pastaj veprimet e procedurës. Ndërsa, në procedurë civile janë më të komplikuara dhe në procedura tjetra që lidhen me procedurën civile ka më shumë zvarritje në të dy shkallët”, tha Qelaj.
Duke qenë tani në fund të mandatit, Avokati i Popullit tha se ka pasur lëvizje pozitive në këtë drejtim, krahasuar me fillimin e mandatit të tij.
Sipas tij, zgjidhja e problemeve që kanë qenë në sistem, nuk ka shkuar paralelisht, për të pasur njëtrajtshmëri të kohëzgjatjes nëpër fazat në të cilat kalon një procedurë gjyqësore.
Avokati i Popullit theksoi se mbingarkesa me raste si pasojë e lëshimeve administrative dhe mungesës së vullnetit për t’i zgjidhur rastet me rrugë administrative të ligjshme, e ka vendosur gjykatën në pozitë të vështirë. /BetimipërDrejtësi