I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka folur për qëndrimin e tij lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), duke e cilësuar këtë si një rast “sui generis” në sistemin e drejtësisë.
“Kemi të bëjmë me një gjykatë që mund të konsiderohet si gjykatë e krijuar ad-hoc vetëm për një rast secifik, pra lidhet vetëm me një kategori të personave që mund të jenë të akuzuar dhe me një kategori të personave që mund të jenë të dëmtuar-viktima dhe me një periudhë të caktuar kohore. Dhe vjen si rezultat i raportit të Dick Martyt, gjë që e din qytetari i Republikë së Kosovës. Natyrisht në kohën kur është miratuar ligji, nuk e di pse ka kaluar pa një debat edhe pa një diskutim konstruktiv së paku për disa mekanizma që kjo gjykatë i ka krijuar- që nuk janë gjyqësore, që lidhen me monitorimin e punës së gjykatës”, tha Qelaj.
Sipas tij, kjo të lë shije që struktura e krijuar brenda gjykatës është për të mos u monitoruar dhe kritikuar.
Në vitin e parë të mandatit të tij, Qelaj tha se shprehu gatishmërinë për t’i vizituar personat që po gjykoheshin atje, për shkak se në komunikimet që kishte me Avokatin e Popullit të Dhomave të Specializuara, ai ka hezituar të japë përgjigje në pyetjet e ngritura nga Qelaj.
“Gjatë asaj vizite pranova shumë shqetësime nga të paraburgosurit që lidhen me dyshimet e tyre për moszhvillimin e një procesi të drejtë – në raport me barazinë e palëve, procedurat e provave dhe vetë mënyrën se si është e organizuar gjykata”, tha Qelaj.
Ai bëri të ditur se pas kësaj vizite ka hartuar një pjesë të raportit dhe e ka dorëzuar në Kuvend, me qëllim që të diskutohej për këto çështje.
“E kam hartuar një pjesë të raportit dhe e kam dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me idenë që Kuvendi ka me i diskutu çështjet që unë i kam ngrit aty dhe natyrisht me pa perspektiven qysh dojnë me vazhdu më tej, si qëndrime që vijnë nga legjislativi në raport me këtë gjykatë. Mirëpo, nuk ka pas një diskutim të tillë, në fakt nuk ka pas asnjë reagim”, tha Avokati i Popullit.
Ai shtoi se më vonë takoi kryetaren e Speciales, Ekaterina Trendafilova, e cila i kishte raportuar për punën e gjykatës.
Qelaj tha se ka kërkuar një vizitë të dytë në Hagë në cilësinë e Avokatit të Popullit, por i kishin thënë se mund t’i takojë vetëm dy të akuzuar. Andaj e kishte shtyrë vizitën në Hagë. Në ndërkohë, tha se i kishte ardhur kërkesa për takim nga Trëndafilova. Kjo e fundit, sipas tij, kishte folur për kufizimet që Qelaj i ka në mandat.
Avokati i Popullit tha se Specialja brenda strukturës së saj e ka edhe Gjykatën Kushtetuese, se shkallshmërinë e ka brenda një gjykate, edhe Prokurorinë brenda një administrate.
“Dhe krejt kjo natyrisht shpreh shqetësime të ligjshme nga ana e secilit qytetar të Republikës së Kosovës, por edhe nga ana ime si Avokat i Popullit nëse kjo gjykatë është ndërtu mbi bazën e standardeve që garantojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm dhe që garanton proces, i cili në fund rezulton me një vendim të drejtë me këta të akuzuar, mirëpo edhe shqetësime që lidhen me dëshmitarët e mbrojtur edhe me viktimat e rastit”, tha Qelaj.
Në fund, ai tha se është i interesuar t’i takojë të akuzuarit në Hagë dhe mbrojtjen. Tha se pasi t’i kryejë vizitat, nëse i realizohet kjo vizitë, do të shoh nëse shqetësimet e ngitura qëndrojnë apo jo. /BetimipërDrejtësi
