Prishtina 01 ka shënuar fitore të madhe të enjten mbrëma ndaj Novo Vrijemes dhe e ka siguruar vendin e tretë, i fundit që dërgon në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve të futsallit.
Pas humbjes 19:1 të mërkurën mbrëma nga Sportingu portugez, dy herë fitues i Ligës së Kampionëve në futbollin e sallës, Prishtina 01 reagoi duke fituar 7:6 ndaj skuadrës kroate, nikoqire e Grupit 4.
Ndeshja dramatike e zhvilluar në Makarska në Kroaci u vendos në sekondat e fundit.
Ramadan Alaj e realizoi golin e fitores një minutë pa u mbyllur i gjithë takimi.
Ishte goli i vetëm i shënuar nga njëri prej lojtarëve më të mirë të futsallit në Kosovë.
Halim Selmanaj realizoi tri gola, ndërsa me nga një gol në fitore kontribuuan Arif Limani, Jeton Rukovci dhe Fitim Krasniqi.
Ndeshjen e radhës kryeqytetasit e luajnë më 1 nëntor ndaj Kairat Almatyt të Kazakistanit, ndërsa Novo Vrijeme ballafaqohet me Sportingun.
Tri të parat e secilit prej katër grupeve avancojnë tutje.
Sportingu e ka siguruar avancimin në fazën nokaut si lider me gjashtë pikë nga dy ndeshje.
Kairat Almaty dhe Prishtina 01 do të luftojnë për vendin e dytë. Ato zënë vendin e dytë dhe të tretë me nga tri pikë.
Në vendin e fundit mbetet Novo Vrijeme pa pikë dhe pa gjasa për avancim tutje.
Shorti për fazën nokaut do të tërhiqet më 6 nëntor, ndërsa finalja e këtij edicioni të Championsit luhet në Pesaro të Italisë.