SOT

Punonjësja teknike dhuron perde për shkollën ku punon

Orën mësimore po e zhvillojnë pa presionin e rrezeve të forta të diellit që zakonisht bien në këtë klasë në orët e pasdites.

Këtë vit shkollor në katër klasa të shkollës “Pavarësia” janë vendosur perde, të cilat mungonin.

E për këtë u kujdes një punëtore teknike e shkollës, e cila çdo ditë i sheh fëmijët se sa të vështirë e kanë të zhvillojnë orët mësimore në atë të nxehtë.

KOHA ka tentuar ta intervistojë punëtoren në fjalë, mirëpo e njëjta ka thënë se nuk e ka bërë që të dalë në medie.

Por falënderime të shumta ka marrë nga stafi dhe nxënësit të cilëve iu ka ndihmuar shumë.

“Ne veprojmë në këtë formë duke i promovuar të gjitha fonacionet që na vijnë në shkollë. Një punëtore teknike pa e ditur edhe unë se nga ka ardhur vetëm kur më ka treguar një mësuese gjatë vikendit se të dielën e 31 gushtit janë vendosur perde në 4 klasa dhe pagesën për to e kishte bërë punëtore e jona e shkollës. Shkollat kanë nevojë për përkrahje të shumta nga i gjithë komuniteti. Komuna e ministria e kanë obligim për të bërë investime të ndryshme por ato që vijnë nga komuniteti meritojnë përkrahje të madhe”, thekson Halil Braha, drejtor i shkollës “Pavarësia”.

Sipas tij, punëtorja e njëjtë është dalluar edhe herëve të tjera me ndihmesa në shkollë kur ka pasur nevojë.

“Asnjëherë nuk e kemi diskutuar me të se shkolla ka nevojë për perde ose diçka tjetër, por kjo punëtore teknike jo për herë të parë ka bërë një hap të tillë. Edhe herëve të tjera është dalluar nga ne të tjerët ku është kërkuar ndihma për t’i dhënë dikujt tjetër. Pra ndihma e bamirësi të ndryshme”, deklaron Braha.

Arsimtarja e Gjeografisë në shkollën “Pavarësia”, Lumnije Kadriu, thotë se kontributi i dhënë nga punëtorja teknike ka ndihmuar shumë në procesin e mbarëvajtjes së mësimit.

“Kjo ka ndikuar mirë dhe e falënderojmë shumë për humanizmin dhe punën e saj që e bën ndër vite këtu”, thotë ajo.

Megjithatë shkolla ka ende klasë të cilat kanë nevojë të pajisen me perde dhe kjo po ndikon negativisht në cilësinë e mësimit.

“Është shumë esenciale njëra prej nevojave që e kemi janë edhe perdet, sidomos gjatë ndërrimit të pasdites është shumë e vështirë të mbahet mësimi. Të premten kur temperaturat ishin mjaft të larta unë i kam marrë nxënësit dhe e kam mbajtur orën këtu në holl sepse ishte me të vërtetë e pamundur të mbahej në klasë. Paramendoni që fëmijët të qëndrojnë 6 orë aty është e vështirë për ta. Pra koncentrimi nuk është siç duhet. Është më se e nevojshme të pajisen të gjitha klasat”, deklaron Kadriu.

Perdet nuk janë të vetmet që i mungojnë shkollës. Sipas Brahës, shkolla ka çdo herë nevojë për kontribut nga komuniteti.

“Nevoja për vendosjen e perdeve është e vazhdueshme sepse temperaturat e larta në shtator dhe në muajt e pranverës është i kahershëm sepse në klasa nuk ka klima. 40 dhoma të mësimit i kemi dhe është kosto e lartë të mbulohen në një afat të shkurtër. Komuniteti i prindërve bëjnë investime të ndryshme si gëlqerosje, perde e të tjera. Pra këto ndryshime janë të nevojshme nga të gjithë”, thotë Braha.

Kjo nuk është shkolla e vetme ku fëmijët përballen me mungesë të mbrojtëseve nga dielli, në klasat ku nuk ka as klima.