Pikërisht në ditën kur para 27 vjetësh NATO kishte hyrë në Kosovë duke nisur misionin e KFOR-it është njoftuar se ajo planifikon të zvogëlojë numrin e ushtarëve në këtë mision.
Komandanti i NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, ka njoftuar se do të bëhet një “optimizim“ i pranisë së NATO-s në Kosovë si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në kohët e fundit dhe marrjes së më shumë përgjegjësive nga institucionet vendore të sigurisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“NATO dhe KFOR-i janë tërësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë. Pikërisht falë këtij përkushtimi është përmirësuar situata e sigurisë në Kosovë pasi organizatat e sigurisë në Kosovë kanë rritur kapacitetet e tyre. Kushtet ekzistuese krijojnë mundësi për optimizimin e madhësisë dhe pranisë së KFOR-it më tej“, ka thënë ky komandant i NATO-s.
“Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet në vitet e fundit. Si rezultat në janar NATO-ja kishte ndërprerë dislokimin e forcës rezervë në Forcën e Kosovës (KFOR) pas më shumë se dy vjetësh rotacioni. Pasi situata e sigurisë në Kosovë mbetet në përgjithësi e qëndrueshme, NATO do të optimizoj praninë në Kosovë dhe gradualisht të përshtatë forcën gjatë vitit të ardhshëm”, njofton komanda e NATO-s për Evropën SHAPE me seli në Mons të Belgjikës.
“Që nga viti 1999 prania e KFOR-it vazhdimisht është përshtatur në mënyrë që misioni të mbetet i aftë për zbatimin e qëllimit dhe t’i përgjigjet situatës së ndryshueshme të sigurisë. Pas rritjes së tensioneve dhe dhunës në vitin 2023, përfshirë edhe sulmeve të pajustifikueshme ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan, KFOR-i pati riforcimin më të madh për më shumë se një dekadë me dislokimin e afër 1000 trupave shtesë”, thuhet në këtë njoftim.
“Me situatën e sigurisë tash stabile, prania e KFOR-it mund të përshtatet në mënyrë përkatëse e në të njëjtën kohë efektivisht të mbajë ambientin e sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë si dhe lirinë e lëvizjes gjithmonë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 nga viti 1999, dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”, thuhet në këtë njoftim.
“Gjenerali Grynkewich po ashtu ka përsëritur përkushtimin e fuqishëm të NATO-s për Ballkanin Perëndimor, që është rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, siguria e të cilit është e lidhur direkt me sigurinë e hapësirës euroatlantike, dhe ka shtuar se NATO-ja nuk do të lejojë që të paraqitet vakum i sigurisë”, thuhet në të njëjtin njoftim të Komandës së NATO-s për Evropën.
“Optimizmi i shpallur në kohën kur misioni shënon 27-vjetorin, do të zbatohet nën autoritetin e SACEUR (Komandanti Suprem i forcave Aleate për Evropën) dhe vjen pas një shqyrtimi dhe vlerësimi të situatës së sigurisë bazuar në vlerësimet e shërbimeve të zbulimit”, thuhet më tej.
“Zvogëlimi i kalibruar pritet që të ndjek rotacionin nacional të dislokimit dhe ciklet e rivendosjes prej tash e deri në vitin e ardhshëm. Optimizmi do të ndodhë në mënyrë graduale në përputhje me kushtet në terren, dhe mund të ndryshohet, nëse këtë e kërkojnë zhvillimet e sigurisë”, thuhet në njoftimin e kësaj komande.
Edhe kësaj radhe NATO përsërit mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës dhe kërkon nga të dyja palët që të angazhohen për të zgjidhur çështjet e hapura dhe të arrin zgjidhje e cila do të respektojë të drejtat e të gjitha komuniteteve. “Kjo është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave të fundit nga muaji prill misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë ka 4657 persona nga 31 shtete, jo të gjitha anëtare të NATO-s. Më së shumti ushtarë ka nga Italia 907, pasuar me 590 nga Amerika, 408 nga Hungaria, 382 nga Turqia dhe 308 nga Gjermania.
Në selinë e NATO-s në Bruksel kanë thënë vazhdimisht se NATO-ja në Kosovë do të ketë gjithmonë numër të duhur të ushtarëve që kërkon situata në mënyrë që të jetë në gjendje të zbatojë mandatin e saj.
NATO - ja ishte vendosur në Kosovë pikërisht me 12 qershor të vitit 1999 pas një fushate ajrore kundër forcave Serbe të Sllobodan Milosheviqit dhe kjo ndërhyrje, krahas luftës në terren të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënoj edhe fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës.