Në perëndim të Ferizajt, pranë Bifurkacionit të Lumit Neredime, ndodhet Mulliri i Nikës, një nga dëshmitë më të vjetra të trashëgimisë sonë.
Ky mulli uji përdorej për bluarjen e misrit, duke qenë pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike në atë zonë.
E sot Tahir Kashtanjeva kujdeset që të hapë derën e mullirit çdo ditë, ashtu si dikur veproi gjyshi i tij.
Ai thotë se ky objekt është i ndërtuar në shekullin XVII dhe vazhdon të jetë funksional.
“Ky mulli i Nikës është ndërtuar qysh flitet para 500 vite, në këtë mulli ka punuar babagjyshi jem 70 vjet, dhe ky mulli ka funksionuar për banorët e këtij vendi, kanë ardhur kanë bluar misër, për shkak se më përpara ka qenë varfëri e madhe. Ky mulli ka mbet i vetmi këtu, përpara kanë qenë mbi 55 mulli deri në fshatin Jezercë, tash vetëm ky është. Ky funksionon me fuqi të ujit, por verës nuk ka ujë dhe vetëm prej vjeshtës e tutje mundet me punua ky mulli”, ka thënë ai.
Edhe pse është mulli i vjetër me shekuj, sot përkujdesen pasardhësit, duke ruajtur funksionin dhe vlerat e tij ndër breza.
Karrige, sofra e magje janë ruajtur prej kohës së kaluar në këtë mulli. Kashtanjeva tregon dhe se si zhvillohet procesi i bluarjes së drithërave sot.
E veçanta e Mullirit është afërsia me Bifurkacionin e Nerodimes.
Sot në këtë mulli bluhet kryesisht misri, ku nga çdo 100 kilogramë të sjella, 10 kilogramë mbeten si pagesë për shërbimin e bluarjes.