Partia Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar paralajmërimeve për një rritje të re të tarifave të energjisë elektrike deri në 21 për qind, duke e konsideruar si goditje të rëndë ndaj familjeve kosovare.
Sipas PDK-së, një rritje e tillë e tarifave të energjisë e thellon edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend.
“Shumë familje në vendin tonë tashmë janë në kufijtë e mbijetesës financiare, ndërsa ky vendim do të sillte pasiguri shtesë, rritje të varfërisë dhe cenim serioz të mirëqenies së tyre. Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për ta transferuar barrën e keqmenaxhimit dhe dështimeve në sektorin e energjisë mbi qytetarët tanë. Energjia elektrike është një nevojë bazike dhe trajtimi i saj si e tillë është detyrim institucional”, thuhet në reagim.
Tutje është bërë thirrje ndaj Qeverisë dhe ZRRE-së që të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve.