Arbëri

Refuzohet apeli i Shalës, duhet të paguajë 208 mijë euro kompensim për viktimat

Pjeter Shala

Paneli i Gjykatës së Apelit në Speciale ka refuzuar apelin e Pjetër Shalës kundër urdhrit për kompensim prej më shumë se 200 mijë eurosh ndaj tetë viktimave të paraqitura në rastin ndaj tij.

Më 29 nëntor 2024, Gjykata kishte urdhëruar Shalën të paguajë 208 mijë euro si kompensim për dëmin fizikim, mendor e material që pësuan këto viktima.

Shala kishte apeluar duke thënë se ka pasur gabime në interpretim të ligjit, në vlerësimin e provave, në vlerësimin e përgjegjësisë së tij për zhdënime. Ai po ashtu është ankuar duke thënë se trupi gjykues ka gabuar me kryerjen e procesit të zhdëmtimit para marrjes së vendimit mbi apelin e tij ndaj verdiktit të fajësisë dhe dënimit. Shala kishte kërkuar pezullimin e shqyrtimit të apelit kundër urdhrit për zhdëmtim deri në përfundimin e shqyrtimit të apelit kundër verdiktit të fajësisë dhe vendimin e formës së prerë.

Të gjitha këto pika u rrëzuan nga paneli i Apelit. Sipas vendimit, nuk ka pasur gabime në interpretim të ligjit apo vlerësim të provave. Madje Apeli ka konstatuar se kërkesa e Shalës për pezullim ka qenë e tejkaluar.

Shala në korrik të 2024-s ishte dënuar fillimisht me 18 vjet burgim për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme. Pas apelimit, dënimi iu ul në 13 vjet.