Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Tradita e kultura jashtë fushës së Botërorit

Tifozët japonezë i lënë stadiumet ashtu siç i gjejnë (Photo: Alamy)

Tifozët japonezë i lënë stadiumet ashtu siç i gjejnë (Photo: Alamy)

Futbolli ka qenë spektakolar, por janë momentet ikonike jashtë fushës ato që tifozët nuk do t’i harrojnë kurrë. Vendet mikpritëse u njohën me tradita dhe zakone kulturore që ndoshta nuk i kishin hasur më parë, ndërsa tifozët vizitorë – dhe lojtarët e tyre – përqafuan kulturën, traditat dhe veçantitë e tyre për të festuar lojën e bukur

Peter Moore

Gjithsej 48 skuadra morën pjesë në Kupën e Botës 2026, e organizuar në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Për disa vende të vogla, kjo ishte paraqitja e tyre e parë në këtë turne ndërkombëtar të futbollit. Për të tjera, ishte një rikthim pas një mungese shumë të gjatë.

Emra si Curaçao, Kepi i Gjelbër dhe Bosnja e Hercegovina i detyruan shumë tifozë të hapnin aplikacionin “Google Maps” për të parë saktësisht se ku ndodheshin.

Edhe vendet mikpritëse u njohën me tradita dhe zakone kulturore që ndoshta nuk i kishin hasur më parë, ndërsa tifozët vizitorë – dhe lojtarët e tyre – përqafuan kulturën, traditat dhe veçantitë e tyre për ta festuar lojën e bukur.

Rezultati ishte një turne vërtet i paharrueshëm, i përmbledhur më së miri në këto momente ikonike kulturore.

Edhe FIFA mburret me Kupën e Botës me 48 ekipe Botërori 2026 1 muaj më parë FIFA mburret me Kupën e Botës me 48 ekipe
George Washingtoni “zbukurohet” me një kon nga tifozët skocezë në Boston (Photo: Alamy)

Filozofia japoneze e meiwaku

SHBA-ja njihet në mbarë botën për karakterin e saj të zhurmshëm dhe individualist. E gjërat më të madha dhe më të zhurmshme janë gjithmonë më mirë, sidomos në sport. Por tifozët japonezë që udhëtuan në Amerikë për të mbështetur ekipin e tyre treguan se ekziston edhe një mënyrë tjetër: një mënyrë e qetë dhe dinjitoze, që vlerëson respektin ndaj të tjerëve. Kjo nuk do të thotë se japonezët janë më pak të pasionuar apo më pak të zëshëm se tifozët e tjerë. Përkundrazi. Ata kishin lyer fytyrat me motive mbresëlënëse, ishin veshur si samurajë të frikshëm dhe brohorisnin me gjithë zemër për ekipin e tyre. Por sapo ndeshja përfundonte, pavarësisht rezultatit, ata qëndronin për të pastruar mbeturinat e tyre, duke nxjerrë qese plastike plehrash thuajse nga hiçi dhe duke e lënë stadiumin po aq të pastër sa e kishin gjetur. E rrënjosur në filozofinë e “atarimae” (gjërat që priten natyrshëm) dhe meiwaku (shmangia e shqetësimit të të tjerëve), kjo praktikë është një mënyrë për të treguar respekt ndaj vendit, mikpritësit dhe të gjithë të pranishmëve. Edhe lojtarët japonezë pastrojnë dhomat e zhveshjes, por ata tregojnë respekt edhe për tifozët e tyre, duke u përkulur para tyre pas çdo ndeshjeje. Nuk është thjesht një falënderim. Është një shenjë e respektit dhe mirënjohjes së thellë. Diçka që botës do t’i bënte shumë mirë ta shihte më shpesh.

Humori thumbues i skocezëve

Skuadra e tyre mund të ketë zhvilluar një turne zhgënjyes, por kjo nuk i pengoi tifozët skocezë të festonin. Ishte hera e parë që grupi i tifozëve i njohur me emrin “Tartan Army” (Ushtria Tartan), kualifikohej në fazën finale të Kupës së Botës pas 28 vjetësh, dhe ata ishin të vendosur ta shijonin çdo moment.

Tifozët skocezë pushtuan fjalë për fjalë Bostonin. Aty zhvillonte ndeshjet e grupit kombëtarja e Skocisë dhe, vetëm pak ditë pas mbërritjes, “Tartan Army” kishte konsumuar aq shumë birrë sa vendasit bënin shaka se qyteti kishte mbetur pa të. Ata shëtisnin nëpër parqe dhe hapësira publike, pothuajse gjithmonë të shoqëruar nga tingujt e gajdeve. Pas fitores ndaj Haitit, marshuan drejt statujës së Robbie Burns në parkun “Evans Way”, të veshur me kilte dhe duke valëvitur flamurin skocez. Dhe pikërisht statujat u bënë pjesë e një tradite më pak të njohur skoceze, e cila fillimisht i hutoi e më pas i argëtoi banorët e Bostonit: vendosja e konëve të trafikut mbi kokat e statujave. Gjithçka nisi si një shaka e natës në Glasgow në vitet ‘80, kur statuja e Dukës së Wellingtonit pranë Galerisë së Artit Modern u “kurorëzua” me një kon. Me kalimin e viteve, kjo u kthye në një simbol jozyrtar të kulturës skoceze. Në Boston, tifozët vendosën me humor kone mbi statujat e George Washingtonit, Samuel Adamsit dhe mbi skulpturat e famshme prej bronzi të rosave në kopshtin publik të qytetit. Madje edhe kryetarja e bashkisë së Bostonit, Michelle Wu, iu bashkua argëtimit duke vendosur një kon mbi statujën e legjendës së “Boston Celtics”, Bill Russell.

Ekipi norvegjez i futbollit bën “vozitje vikingësh” për tifozët

“Vozitja vikinge” e Norvegjisë

Norvegjia ishte një tjetër shtet që rikthehej në Kupën e Botës pas një mungese 28-vjeçare. Dhe, ashtu si skocezët, as norvegjezët nuk kishin ndërmend ta humbnin rastin për të festuar. Duke u mbështetur fort në trashëgiminë e tyre vikinge, ata përcollën një atmosferë gëzimi dhe entuziazmi që u bë kapluese.

Festimi i tyre i njohur si “vozitja vikinge” ishte, ndoshta, hiti i këtij Botërori. I frymëzuar nga legjendat e detarëve nordikë dhe i ideuar nga tifozët në një bar në Oslo përpara turneut, fillimisht u konsiderua nga disa si gjest paksa i sikletshëm. Por mënyra plot pasion me të cilën e realizonin si tifozët, ashtu edhe lojtarët, e shndërroi atë në një spektakël të vërtetë. Tingulli i bririt nordik, që jepej si sinjal për fillimin e ritualit, përhapej në stadium dhe ngjallte emocion te të gjithë.

Norvegjezët nuk e bënin këtë vetëm në stadium. Ata u bënë viralë duke e bërë këtë veprim mbi një shkallë lëvizëse në stacionin e trenit “South Station” të Bostonit. Në sheshin “Times Square” të New Yorkut, madje e interpretuan këtë ritual gjatë aktivitetit vjetor “Solstice Yoga”.

Edhe Gola, teknologji dhe pushime për freskim: Si do ta kujtojmë Kupën e Botës Botërori 2026 5 o. më parë Gola, teknologji dhe pushime për freskim: Si do ta kujtojmë Kupën e Botës

Edhe lojtarët fituan zemrat e amerikanëve duke përqafuar kulturën vendase. Pamjet e sulmuesit Erling Haaland, duke blerë çizme dhe kapele kauboji në Teksas u përhapën me shpejtësi në internet. Po aq virale u bë edhe fotografia e tij, teksa zbriste nga avioni në Oslo me një rakun të balsamosur që e mbante nën krah.

Super-tifozi i Republikës Demokratike të Kongos, Michel Kuka Mboladinga, duke qëndruar krejtësisht i palëvizshëm në Kupën e Botës 2026 (Photo: Alamy)

Mësimet e historisë nga Republika Demokratike e Kongos

Një nga kënaqësitë më të mëdha të Kampionatit Botëror të Futbollit “FIFA 2026” ishte fakti që disa prej kombëtareve më pak të njohura në futboll morën vëmendjen kryesore. Jo vetëm vende të vogla ishullore si Curaçao dhe Cape Verde (Kepi i Gjelbër), por edhe shtete si Republika Demokratike e Kongos. Herën e fundit që Republika Demokratike e Kongos mori pjesë në Kupën e Botës, në vitin 1974, vendi quhej Zaire dhe drejtohej nga presidenti Mobutu Sese Seko, i njohur për kapelat e tij prej lëkure leopardi. Pikërisht këtë stil e rikrijoi skuadra kur mbërriti në Houston, me kostume të zeza të qepura enkas për këtë rast, të zbukuruara me panele dhe jakë me motive leopardi, duke vendosur një standard elegance për ekipet e tjera.

Nëse këto veshje zgjuan kureshtjen e publikut, figura e super-tifozit Michel Kuka Mboladinga, i cili qëndronte i palëvizshëm mbi një piedestal gjatë gjithë ndeshjeve të ekipit, i shtyu shumë njerëz të riktheheshin te librat e historisë. Me pamjen e një “sapeuri” të famshëm nga Kinshasa – dandi i veshur me rroba të modës së lartë – ai në fakt mishëronte Patrice Lumumbën, udhëheqësin revolucionar kongolez që udhëhoqi vendin drejt pavarësisë përpara se të vritej për idealet e tij panafrikane.

CIA dyshohet se kishte luajtur një rol në eliminimin e tij. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse Mboladinga nuk arriti të siguronte vizë amerikane dhe mundi ta mbështeste ekipin e tij vetëm në Kanada dhe Meksikë.

Portieri i Cape Verde, Vozinha, duke shijuar duartrokitjet e publikut në Kupën e Botës 2026 (Photo: Alamy)

Kepi i Gjelbër që sfidon çdo parashikim

Të gjithë e duan një histori të bukur të një ekipi të vogël, dhe në Botëror askush nuk mishëroi më mirë këtë rol sesa shteti ishullor i Cape Verde. Me një skuadër të ndërtuar nga futbollistë që luanin kryesisht në ligat më të ulëta të Evropës, ky grup luftëtarësh arriti të barazonte me Spanjën.

Ekipi i njohur me nofkën “Blue Sharks” sfidoi çdo pritshmëri deri në fund, duke dëshmuar besimin e rrënjosur te populli i Cape Verdes se puna e palodhur dhe përkushtimi shpërblehen gjithmonë. Askund kjo nuk u pasqyrua më qartë sesa te historia e portierit 40-vjeçar të skuadrës, Josimar José Évora Dias, i njohur si Vozinha. Ai realizoi plot 18 mbrojtje në katër ndeshje, shumica prej tyre spektakolare, duke ndalur superyje të futbollit si, Vinícius Júnior dhe Lionel Messi.

Edhe Infantino, presidenti i udhëtimeve Botërori 2026 20 o. më parë Infantino, presidenti i udhëtimeve

Profili i Vozinhas në rrjetet sociale shpërtheu, duke fituar 22 milionë ndjekës të rinj gjatë turnout në Instagram (Para prezantimit në Botëror ai numëronte vetëm 50 mijë ndjekës në këtë platformë). Lojtarët u kthyen në Kepin e Gjelbër si heronj, ndërsa Vozinha mori një nderim të veçantë: një specie e sapozbuluar e një kërmilli të detit u pagëzua me emrin e tij.

Marrë nga “Wanderlust Magazine”. Përktheu: Edona Binaku