Aktorja e njohur e Hollywoodit, Reese Witherspoon, ka zbuluar se libri i saj i ri është “letër dashurie për prindërit e saj”, pasi ka theksuar se është frymëzuar nga karriera e tyre si mjekë të ushtrisë.
Me librin “Gone Before Goodbye”, që e ka shkruar në bashkëpunim me autorin e njohur të thrillerëve Harlan Coben, Witherspoon hyn për herë të parë në botën e letërsisë. Romani ndjek historinë e një mjekeje të ushtrisë që përfshihet në “një botë të çmendur të pasurisë private dhe kirurgjisë sekrete”.
Duke folur në samitin “Shine Away” në Los Angeles të shtunën, krahas Cobenit, ajo ka shpjeguar idenë që qëndron pas historisë, ka raportuar FemaleFirst.
“Gjithmonë mendoj për personazhe si Jason Bourne apo James Bond, dhe vajzat në ata filma gjithmonë e përdorin seksualitetin për të përparuar. Mendova: po sikur të bëjmë një libër thriller ku gruaja nuk është e fokusuar te pamja apo sensualiteti, por te aftësia e saj unike?”, ka thënë Witherspoon.
Ajo ka shtuar se personazhja është kirurge që ka shërbyer për vite në ushtri. Ka punuar me organizatën “Doctors Without Borders” dhe papritur futet në një botë të çmendur të pasurisë dhe kirurgjisë private.
Witherspoon ka treguar se frymëzimi për librin vjen nga fëmijëria e saj dhe nga prindërit.
“Pesë vitet e para të jetës i kam kaluar në një bazë ushtarake në Gjermani, dhe në shtëpinë tonë vinin gjithmonë mjekë. Gjithçka që dëgjoja ishin biseda për operacione e terma mjekësorë. Isha shumë e vogël, ulur në tavolinë, duke dëgjuar babin, nënën dhe miqtë e tyre teksa flisnin për operacione të ndërlikuara”, ka thënë aktorja.
Ajo ka kujtuar se për shumë vite kishte dashur të bëhej kirurge.
“Pas gjithë atyre viteve duke parë nënën time të punonte si infermiere, shpesh mendoja: pse unë jam e famshmja? Kjo grua shpëtonte jetë njerëzish! Prandaj, shpresoj që kushdo që ka në jetën e tij dikë nga profesioni mjekësor, ta ndjejë këtë si një mënyrë për t’i nderuar ata. Ky libër është me të vërtetë një letër dashurie për nënën dhe babanë tim”, ka thënë ajo.
Aktorja ka shtuar se puna me Harlan Cobenin e ndihmoi ta sillte historinë në jetë.
“Gjatë gjithë karrierës sime krijuese, gjithmonë kam hyrë në vizionet e të tjerëve. Por mendova: pse të mos jem unë pjesë e krijimit të gjithë botës? E di si të ndërtoj një histori, si të kaloj nga fillimi në mes dhe deri në fund. Ishte një hap i madh për mua, por isha gati të mos tërhiqesha”, ka thënë ajo.
Coben nga ana e tij tregoi për bashkëpunimin e tyre.
“Po hynim në një territor të ri. Ia thashë Reeses: ‘Po shkruajmë një roman të vërtetë, nuk mund ta bëjmë sipërfaqësor. Vetëm ne të dy do ta shkruajmë, askush tjetër nuk hyn në dhomë.’ Dhe pastaj u bëmë plotësisht të fiksuar pas kësaj historie”, ka thënë ai.