Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Nga strategjia te zbatimi: Sfidat e tranzicionit energjetik në Kosovë

Kosova ka vendosur objektiva ambicioze për ta orientuar sektorin energjetik drejt burimeve më të pastra të prodhimit të energjisë elektrike apo burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE), veçanërisht për kapacitetet e reja. Deri në vitin 2031, sipas Strategjisë së Energjisë 2022-2031, planifikohet të arrihet një pesëfishim i kapaciteteve aktuale nga këto burime, të ulet ndjeshëm konsumi i energjisë si rrjedhojë e rritjes së investimeve në efiçiencë të energjisë, të rritet rrjeti i ngrohjes përmes ngrohtoreve qendrore, dhe më shumë. Këto objektiva janë në vijë edhe me dokumente strategjike dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Porse, Kosova ka pasur strategji çdo herë. Ajo çfarë ka munguar përtej tyre ka qenë dhe mbetet dinamika e ulët e punëve drejt arritjes së objektivave. 

Për më shumë, paqartësi mbeten edhe rreth kapaciteteve bazë, të cilat ndonëse në Strategji parashihen të bazohen kryesisht në njësitë ekzistuese të termocentraleve me qymyr, tani shohim të diskutohen nga institucionet edhe opsione tjera jashtë kësaj strategjie, konkretisht projekti për gazifikimin e qymyrit. Kurse në publik, bazuar kryesisht në arsye (gjeo)politike, vëmendje më të madhe po merr diskutimi që Kosova duhet t’i rrisë kapacitetet me gaz, në kuadër të projektit të nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilit po i bashkohen thuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, në vend, në vijimësi ka munguar një debat i hapur mes institucioneve dhe akterëve tjerë të shoqërisë, sikurse eskpertëve të energjisë, rreth rrugës përpara në këtë sektor, zhvillimeve dhe sfidave, që do të të duhej të nxitej nga vetë institucionet politikbërëse, pasi projektet në këtë sektor janë afatgjata dhe prekin edhe gjeneratat e ardhshme.

Si rrjedhojë e dinamikës së ulët të zhvillimit të sektorit energjetik, Kosova rrezikon të mbetet edhe pas vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor. Për dallim nga disa vende të rajonit të cilat kanë shtuar nga një gigavat (1 GW) kapacitete për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme në pesë vjetët e fundit, në Kosovë gjatë të njëjtës periudhë, kapacitetet nga BRE janë rritur për vetëm rreth 140 megavat (MW). Po ashtu, nuk janë bërë investime thelbësore në kapacitetet e rrjetit në të gjitha nivelet dhe modernizimin e tij. 

Një tranzicion i drejtë energjetik kërkon që askush të mos lihet pas. Komunitetet e ndikuara duhet të përkrahen, punonjësit duhet të aftësohen apo riaftësohen për të punuar në sektorin e gjelbër, e ndërmarrjet të jenë më konkurruese. E për këtë, nevojitet planifikim e aktivitete të sekuencuara, të cilat duhet të bëhen përmes udhërrefyesve, por edhe këtu Kosova po ecën ngadalë, ku edhe një draft i udhërrefyesit për tranzicion të drejtë, i vënë në konsultim publik duket mjaft i përgjithshëm e në disa raste pa indikatorë të qartë.

Cilat janë pengesat kryesore në përshpejtimin e projekteve nga BRE-të?

Burokracia: Aktualisht, në Kosovë janë mbi 700 MW projekte nga burimet e ripërtëritshme në faza të ndryshme të zhvillimit. Megjithatë, shumica mbeten ende në procedura administrative, ndërsa një pjesë e investitorëve kanë kërkuar vazhdimisht shtyrje të afateve për nisjen e punimeve ose për përmbushjen e fazave të caktuara të projektit. Ndër faktorët kryesorë që shkaktojnë vonesat janë procedurat e gjata të pajisjes me leje dhe licenca, burokracia në këtë proces, kapacitetet e kufizuara të rrjetit, mungesa e financimit, çështjet pronësore dhe pengesa të tjera administrative. Vlerësohet se në Kosovë i gjithë procesi, duke filluar nga autorizimi paraprak e deri te kyçja në rrjet, mund të zgjasë deri në tre vjet. Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të bëjnë reforma në këtë drejtim, e që do të ishte kontributi më domethënës i tyre. Për shembull. Kosova ka krijuar një One-Stop shop për aplikimet për leje dhe licenca nga investitorët te BRE-të, mirëpo i njëjti ka karakter kryesisht informues dhe jo të ndonjë koordinimi të proceseve të pajisjes me leje apo licenca specifike. Andaj, në vijë edhe me modelet më të mira të sugjeruara nga Komuniteti i Energjisë, Kosova duhet të mendojë një thjeshtëzim dhe përshpejtim të procesit të dhënies se lejeve dhe licencave për projektet nga BRE.

Mungesa e zonave investuese për BRE: Përveç problemeve të përmendura më lartë, projektet e BRE-ve duhet të kenë në konsideratë edhe ndikimin që mund të kenë ato në komunitete, në ambient e të mos dëmtojnë ekosistemet përreth. Pastaj, meqë projektet e BRE-ve realizohen nëpër komuna, të cilat kanë shumë kompetenca si nivel qeverisës, por njëherësh edhe mungesë kapacitetesh e dokumente të vjetra strategjike, sikurse harta zonale të papërditësuara apo miratuara, kjo bën që proceset të zgjaten edhe më shumë. Andaj, një reformë shumë e madhe do të ishte sikur Kosova të përcaktonte disa zona të përshpejtuara për projektet e BRE-ve, kryesisht në tokat djerr, dhe ku dihet saktë që ndikimi negativ i projekteve në komunitete e ambient është minimal. Këto zona do të duhej gjithashtu të kishin të zhvilluara edhe kushtet tjera të nevojshme, sikurse linjat e transmetimit, etj. Kjo reformë do të bënte që koha mes marrjes së licencës dhe nisjes së punimeve nga investitorët të ishte tejet e shkurtër.

Institucione publike joefikase: Po ashtu, rritja e kapaciteteve profesionale brenda institucioneve kyçe është tejet e rëndësishme. Burimet njerëzore në institucione janë ndër faktorët kyç që të mund të shtyhen përpara procese, reforma, përfshirë edhe sektorin e energjisë. Politikat uniforme rreth pagave në sektorin publik, duke i ndryshuar ato njëjtë për të gjithë punonjësit e sektorit, nuk e tërheq ekspertizën e nevojshme dhe për më tepër, reduktimi i fondeve ndërkombëtare që kanë ofruar ndihmë teknike për shumë institucione qeveritare, e ka vënë edhe më shumë në pah problemin në këtë drejtim, ku avancimi i bazës ligjore dhe proceseve tjera në sektorin e energjisë kanë pasur një dinamikë mjaft të ngadaltë gjatë dy vjetëve të fundit. 

Mungesa e financimit: Investimet në fushën e energjisë tradicionalisht janë tejet të kushtueshme dhe bartin rreziqe më të mëdha. Bankat komerciale, përfshirë edhe Kosovën, ngurrojnë të ekspozojnë portofolin e tyre ndaj investimeve të tilla. Statistikat tregojnë që vetëm rreth 5% e kredive në Kosovë janë afatgjata dhe pjesa dërrmuese e tyre janë të destinuara në sektorin e patundshmërive. 

Nga viti 2026, Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e Mekanizmit për Rregullimin e Kufirit për Karbonin (ang. CBAM), i cili vendos një kosto shtesë për importet e produkteve me intensitet të lartë të emetimeve të karbonit nga vendet që nuk kanë mekanizma të ngjashëm të çmimit të karbonit. Edhe pse aktualisht numri i eksportuesve kosovarë të prekur është relativisht i kufizuar, ndikimi i këtij mekanizmi pritet të rritet gradualisht në vitet në vijim dhe mund të ndikojë në konkurrueshmërinë e produkteve të Kosovës në tregun evropian. Për këtë arsye, politikat publike duhet t'i mbështesin bizneset në investimet për dekarbonizim, ngritjen e kapaciteteve për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve (MRV), adoptimin e teknologjive më efikase dhe zhvillimin e shkathtësive të nevojshme për ekonominë e gjelbër. Njëkohësisht, institucionet duhet të ofrojnë skema financimi, asistencë teknike dhe informim më të mirë për t'i ndihmuar bizneset në këtë proces. Kjo jo vetëm që do të ruante konkurrueshmërinë e eksportuesve kosovarë, por do ta bënte Kosovën edhe më tërheqëse për investime të reja industriale, duke pasur parasysh afërsinë me tregun e Bashkimit Evropian dhe potencialin për zhvillimin e zinxhirëve të rinj të furnizimit.

Ndonëse ndërtimi i kornizës ligjore dhe realizimi i studimeve paraprake kërkojnë kohë, Kosova ka potencial të përshpejtojë tranzicionin energjetik, posaçërisht që interesimi i investitorëve privatë për të realizuar projekte të BRE-ve ekziston. Sfida mbetet nëse institucionet do të arrijnë ta mbështesin këtë interes me reforma, politika të koordinuara, institucione efikase dhe instrumente financiare që e bëjnë tranzicionin të realizueshëm. Pikërisht për këtë arsye, tranzicioni energjetik nuk duhet të shihet vetëm si politikë energjetike. Ai duhet të lidhet me zhvillimin industrial, arsimin dhe aftësimin profesional, financimin, inovacionin dhe konkurrueshmërinë e bizneseve. Instituti GAP, përmes një pune mbi trivjeçare, ka propozuar Kornizën për Politikat Industriale të Gjelbra si një qasje që i ndërthur këto politika në një vizion të vetëm, duke ofruar rekomandime konkrete për përshpejtimin e tranzicionit energjetik, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe përgatitjen e ekonomisë së Kosovës për kërkesat e reja të Bashkimit Evropian.

Në fund, suksesi i tranzicionit energjetik nuk do të matet me numrin e strategjive të miratuara, por me projektet që realizohen, investimet që tërhiqen, bizneset që mbeten konkurruese dhe qytetarët që përfitojnë prej tij. Kjo kërkon më shumë se objektiva ambicioze; kërkon institucione që arrijnë t'i zbatojnë ato.

Ky Op-ED është hartuar në kuadër të zbatimit të projektit rajonal "Fuqizimi i Ballkanit Perëndimor përmes Politikave Industriale të Gjelbra", i mbështetur nga Fondacionet për Shoqëri të Hapur – Ballkani Perëndimor, ku Instituti GAP udhëheq zbatimin e projektit në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmbajtja e këtij Op-ED është përgjegjësi e vetme e Institutit GAP dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e donatorit.  

(Instituti GAP është një Think Tank i themeluar në vitin 2007 në Kosovë)