Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Distria Krasniqi: Medaljet më motivojnë të vazhdoj

1 d. më parë / 16 pri 2026 20:06
Distria Krasniqi

Xhudistja Distria Krasniqi, vazhdon të jetë mbretëreshë e kategorisë deri 52 kilogramë në Evropë. 

Xhudistja kosovare e fitoi titullin e katërt të Evropës për seniorë, që nisi të enjten në Tbilisi, duke e rikonfirmuar se është më e mira e kategorisë së saj. 

“Do të thotë shumë për mua dhe ndihem shkëlqyeshëm”, ka thënë Krasniqi pas triumfit në Tbilisi të Gjeorgjisë. “Ishte ditë shumë e vështirë. Nuk isha në formën më të mirë por përsëri ia dola që të fitoj medalje dhe jam shumë e lumtur që e fitova të artën”. 

Triumfi për herë të katërt nuk ishte i lehtë për kampionen olimpike 2021 në kategorinë deri 48 kilogramë.

“Ta përsëritësh këtë sukses katër herë, mendoj se ka qenë më e vështirë se ta fitosh për herë të parë”, shpjegon Krasniqi. “Jam shumë e lumtur që pasi i mora të gjitha medaljet për të cilat çdo sportist ëndërron, ende ia dal të jem në krye dhe të jem kampione evropiane sërish”. 

30-vjeçarja mbështetej në përvojën e saj në finale ndaj kundërshtares së fortë, dy herë kampionia evropiane, Amandine Buchard nga Franca. 

“Për finalen isha shumë e qetë dhe e dija si të luftoja, e dija strategjinë time”, shpjegon Krasniqi. “Kam punuar me trajnerin tim për Buchardin dhe për të gjitha kundërshtaret e mija. Por e dija se Buchard do të vinte në finale sepse për mua, ajo është njëra prej më të mirave në Evropë dhe po ashtu në gjithë botën për xhudo. E dija çfarë duhej të bëja”. 

Fitoret dhe medaljet e shtyjnë të vazhdojë edhe më shumë medalisten e argjendtë olimpike për vitin 2024, ndonëse ajo i ka fituar të gjitha. 

“Më motivon shumë”, thotë ajo. “Të gjithë vazhdojnë të më pyesin, si e gjen motivimin? Por, unë e dua xhudon, e dua ndjenjën e garave dhe kjo është ajo që më mban mua në këtë sport. Dhe, natyrisht, kur e gjitha kjo shpaguhet me medalje, medalje të arta apo me çfarëdo lloj medaljesh, më motivon shumë që të vazhdoj”.

EJU: Krasniqi mbetet në krye

1 d. më parë / 16 pri 2026 19:59
EJU - Distria

Unioni Evropian i Xhudos (EJU), ka shkruar për suksesin e arritur të Distria Krasniqit të enjten.

Xhudistja pejane fitoi të artën në Evropianin që po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë.

“Distria Krasniqi mbetet në krye”, është titulli i shkrimit. Në shkrim vlerësohet lart dueli final i Distria Krasniqit me francezen, Amandine Buchard. Në finalen e kategorisë deri 52 kilogramë triumfuese doli Distria. EJU ka shkruar edhe për përballjet tjera të kategorisë deri 52 kilogramë.

“Në ditën e parë të Evropianit 2026, kishte shumë emra të mëdhenj për t’u përcjellë, por në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, ishin rivalet e vjetra Krasniqi dhe Buchard, të cilat dhuruan spektakël elitar, shfaqje të nivelit më të lartë të xhudos”, shkruan EJU.

Distria, kampione e Evropës për herë të katërt

1 d. më parë / 16 pri 2026 15:31
Distria Krasniqi

Për herë të katërt Distria Krasniqi ka fituar titullin e kampiones së Evropës. Suksesin madhor, xhudistja kosovare e ka arritur për herë të tretë rresht.

Distria fitoi të artën në Evropianin që të enjten nisi në Tbilisi të Gjeorgjisë. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, 30-vjeçarja e mposhti francezen Amandine Buchard. Ndaj saj realizoi herët hedhje për “Yuko” dhe më pas kontrolloi luftën deri në fund.

Kështu Kosova për vitin e 14-të rresht fiton medalje në kampionate kontinentale. Është kjo seri e mahnitshme që nuk duket se do të ndalet shpejt, falë punës së kryemjeshtrit Driton Kuka dhe nivelit që e kanë arritur xhudistët e tij.

Distria ishte bartëse e parë e kategorisë deri 52 kilogramë dhe nuk lejoi befasi. Nisi me fitore ndaj çekes, Tereza Bodnarova. Ndaj saj fitoi me uazari, kurse dominoi gjithë luftën.

Në luftën e dytë, përkatësisht në çerekfinale, e kontrolloi luftën taktike ndaj polakes Aleksandra Kaleta.

Edhe ndaj saj fitoi me uazari.

Në gjysmëfinale e kishte përballë italianen e njohur, Odette Giuffrida. Ashtu si pritej, lufta ishte e fortë dhe thuajse e barabartë. Shkoi në kohën shtesë, kurse Distria fitoi më “Yuko”.

Distria Krasniqi e Giuffrida janë përballur për herë të 13-të në karrierë. Xhudistja kosovare tani i ka nëntë fitore e katër humbje. Ka fituar gjashtë luftërat e fundit.

Xhudistja pejanë është në ecuri të pabesueshme. Ka fituar medalje në 16 gara rresht. Gjatë karrierës së mahnitshme ka fituar edhe medalje të artë dhe medalje të argjendtë olimpike.

Të enjten garuan edhe Fatjona Kasapi dhe Erza Muminoviq.

Fatjona fitoi një luftë dhe u ndal në të dytën në kategorinë deri 52 kilogramë. Ndërkohë Erza u ndal në xhiron e parë në kategorinë deri 48 kilogramë. Madje e humbi luftën që thuajse e kishte fituar.

Të premten garojnë Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena. Dhe shpresat janë që të fitohen medalje të tjera.

VIDEO:

Distria siguron medaljen evropiane, kërkon të artën

1 d. më parë / 16 pri 2026 12:46
Distria Krasniqi

Distria Krasniqi ka siguruar tjetër medalje në Kampionat Evropian.

Ajo është kualifikuar në finale të kategorisë deri 52 kg. Pra e ka të sigurt të paktën të argjendtën, por natyrisht do ta kërkojë tē artën. Në gjysmëfinale e mposhti italianem Odette Giufrida.

Lufta ishte e fortë dhe u vendos në kohën shtesë. Distria fitoi me Yuko.

Distria kalon në gjysmëfinale

1 d. më parë / 16 pri 2026 11:24
distria

Distria Krasniqi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian.

Në çerekfinale të kategorisë deri 52 kg, Distria e mposhti polaken Aleksandra Kaleta.

Ndaj saj e kontrolloi luftën kurse fitoi me uazari.

 

Kasapi mposhtet nga spanjollja Toro Soler

1 d. më parë / 16 pri 2026 11:23
Fatjona Kasapi

Fatjona Kasapi u ndal në xhiron e dytë të kategorisë deri 52 kg.

Ajo u mposht nga spanjollja Ariane Toro Soler.

Fatjona shënoi fitore në xhiron e parë.

Distria pa telashe ndaj çekes Bodnarova

2 d. më parë / 16 pri 2026 10:03
Distria Krasniqi

Distria Krasniqi e ka kaluar pa telashe pengesën e parë në Evropian.

Në xhiron e dytë të kategorisë deri 52 kg, Distria e mposhti çeken Tereza Bodnarova. Ndaj saj dominoi plotësisht, kurse fitoi me Uazari.

Erza lëshon fitoren nga dora

2 d. më parë / 16 pri 2026 09:36
Erza Muminoviq

Erza Muminoviq ishte duke udhëhequr me uazari, por në sekondat e fundit e humbi luftën e xhiros së parë të kategorisë deri 48 kg. 

Ajo pësoi me Ippon, tre sekonda para fundit, ndonëse  nuk dukej e rrezikuar. Ndaj saj fitoi Shafag Hamidova e Azerbajxhanit.

Fillim i mbarë, Kasapi fiton ndaj xhudistes bullgare

2 d. më parë / 16 pri 2026 09:03
Fatjona Kasapi

Kampionati Evropian ka nisur mbarë për xhudistet kosovare.

Në xhiron e parë të kategorisë deri 52 kilogramë, Fatjona Kasapi ka fituar ndaj bullgares Gabriela Dimitrova.

Fatjona ka dominuar plotësisht, ndërsa fitoi me “Yuko”.