Lifestyle

Truri i burrave tkurret më shpejt se ai i grave me kalimin e moshës

Truri

Një hulumtim i ri i botuar në revistën shkencore PNAS, i cili ka përfshirë 4,726 pjesëmarrës me funksione të shëndetshme njohëse, ka treguar “dallime të moderuara, por sistematike mes gjinive” në mënyrën se si truri humbet masë me kalimin e viteve, ka raportuar ScienceAlert.

Truri i njeriut në mënyrë natyrale tkurret me moshën, ndërsa te personat që vdesin me sëmundjen e Alzheimerit, humbja e vëllimit është shumë më e madhe. Megjithatë, ani pse gratë diagnostikohen me Alzheimer dyfish më shpesh se burrat, pak dihet për ndikimin e gjinisë në ndryshimet e trurit gjatë plakjes.

Sipas studimit, truri i gruas humbet më ngadalë masën ngjyrë hiri dhe të bardhë, pjesët e trurit që lidhen me kujtesën, të menduarit dhe kontrollin e trupit.

“Nëse truri i grave do të degjeneronte më shpejt, kjo do të mund të shpjegonte pse ato preken më shumë nga Alzheimeri”, ka thënë Anne Ravndal, neuroshkencëtare në Universitetin e Oslos, për revistën Nature.

Ravndal dhe ekipi i saj kanë analizuar mbi 12 mijë skanime të trurit nga persona të moshës 17 deri në 95 vjeç, të cilët kishin bërë të paktën dy rezonanca magnetike me një interval mesatar prej tre vjetësh.

Ani pse u mor parasysh fakti që truri i burrave është zakonisht më i madh, studiuesit kanë zbuluar se burrat kishin tkurrje në më shumë zona të trurit, përfshirë shumë pjesë të korteksit (shtresa e jashtme e trurit). Ndërsa te gratë, tkurrja ishte më e kufizuar dhe trashësia e korteksit ndryshonte më pak me moshën.

Këto rezultate sugjerojnë se ekzistojnë dallime të vërteta biologjike mes gjinive në procesin e plakjes, por autorët paralajmërojnë se duhet më shumë kërkim për t’i kuptuar plotësisht.

Në fakt, shkenca e trurit ka pasur historikisht një pabarazi të madhe gjinore: në vitin 2019, vetëm 5 për qind e studimeve në neuroshkencë apo psikiatri kanë marrë në konsideratë ndikimin e gjinisë.

Megjithëse disa studime të mëparshme kanë treguar se burrat humbin më shpejt masën e trurit, të tjera kanë nxjerrë rezultate të kundërta. Ky studim synon të sqarojë këto mospërputhje, duke vëzhguar ndryshimet në vëllimin total të trurit, trashësinë e korteksit dhe sipërfaqen e tij.

Interesant është fakti që studiuesit nuk gjetën dallime në tkurrjen e hippocampusit, pjesa e trurit që lidhet me kujtesën dhe mësimin, e cila ndikohet rëndë nga demenca. Vetëm në moshë shumë të shtyrë u vu re se gratë fillonin të humbnin masë në këtë zonë pak më shpejt, por kjo, sipas studiuesve, mund të lidhet me jetëgjatësinë më të madhe të grave, jo domosdoshmërisht me rrezik më të madh për Alzheimer.

Kur u krahasuan burra dhe gra me jetëgjatësi të barabartë, ndryshimet në tkurrjen e trurit pothuajse u balancuan.

Sipas autorëve, ndarja e ndikimit të gjinisë nga faktorët e tjerë gjenetikë dhe mjedisorë është e vështirë, për shkak të mungesës së studimeve afatgjata.

Një rishikim i vitit 2023 ka paralajmëruar se kjo mungesë e barazisë në studime “ka pasoja serioze për mirëqenien” dhe “vendos barrë të padrejtë mbi shëndetin e grave”.

Ravndal ka theksuar se "studimi i trurit që plaket te gratë është i vonuar prej kohësh dhe ky studim është vetëm një hap drejt kuptimit më të qartë të mënyrës se si plakja ndikon ndryshe te burrat dhe gratë".