Një çift nga Brazili ka hyrë në Librin e Rekordeve Botërore “Guinness” pasi vendosi rekordin për numrin më të madh të puthjeve në 30 sekonda.
Renato Bayma Gaia, 32 vjeç, dhe partnerja e tij Naiara Roberta Ribeiro de Marins, 33 vjeç, arritën të shkëmbejnë plot 195 puthje në fytyrë brenda vetëm 30 sekondave, duke vendosur një rekord të ri botëror.
Pas suksesit, Gaia tha se ky rekord dëshmon se ai dhe partnerja e tij janë “çifti më i mirë në botë”.
Kjo nuk është hera e parë që Gaia hyn në librin e rekordeve. Ai mban edhe dy rekorde individuale të Guinness: kohën më të shpejtë për të vendosur dhe rrëzuar 10 libra, në vetëm 6.68 sekonda, si dhe rekordin për rrotullimin më të madh të këmbës te meshkujt, me 210.66 gradë.
Çifti tashmë ka vendosur objektivin e radhës: të thyejë rekordin për numrin më të madh të puthjeve në një minutë. Rekordi aktual mbahet nga çifti japonez Cherry Yoshitake dhe Kumiko Shiratori, të cilët kanë realizuar 277 puthje në 60 sekonda.