Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“UPward” në zgjerim, me çmim kryesor mbërrin deri në Bangladesh

uupd

Një mijë e 424 filma ia kishin mësyrë edicionit të tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit studentor, “UPward” e prej tyre janë përzgjedhur 69. Ceremonia e mbylljes dhe e ndarjes së çmimeve i ka dhënë fund rrugëtimit katërditor

“Grand Prixi” i festivalit ndërkombëtar të filmit studentor “UPward”, ka shkuar nja 6 mijë e 600 kilometra vijë ajrore larg Prishtinës, në Bangladesh, për filmin “Branches of Solace” në regji të Joyanta Kumar Gayenit, dy çmime kanë mbetur në Kosovë me “Kambana që s’ra” të Majlind Belulit e fitues i dyfishtë ka qenë edhe filmi i animuar “(Dis)connected” i Yoana Plachkovas nga Bullgaria. Por gjeografia e këtij Festivali, i cili mbahet në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Universitetit të Prishtinës dhe organizohet nga Fakulteti i Arteve, sa vjen e zgjerohet. Sivjet filmat kanë ardhur nga 36 shtete të botës

Vigjilencë Islami 

Ka qenë synim prej fillimit, që të shndërrohet në një adresë filmash studentorë nga të katër anët e botës, në radhë të parë për të hapur shtigje për kineastët të rinj, e të krijojë ura bashkëpunimi edhe për studentët e Kosovës. Festivali ndërkombëtar i filmit studentor “UPward”, ia ka arritur qëllimit, e ndarja e çmimeve të edicionit të tretë ka qenë veç një konfirmim. 

“Grand Prixi”, çmimi kryesor në ceremoninë modeste në kinemanë “ABC” të shtunën mbrëma, ka shkuar nja 6 mijë e 600 kilometra vijë ajrore larg Prishtinës. E ka marrë “Branches of Solace” nën regji të Joyanta Kumar Gayenit që përfaqësoi Universitetin e Rajshahit në veriperëndim të Bangladeshit rreth 250 kilometra nga kryeqyteti Dhaka. Por gjeografia e këtij Festivali, i cili mbahet në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Universitetit të Prishtinës dhe organizohet nga Fakulteti i Arteve, sa vjen e zgjerohet. Sivjet filmat kanë ardhur nga 36 shtete të botës. 

“Ta fitoj këtë çmim është një nder shumë i madh për mua. Gjithashtu një inspirim jashtëzakonisht i madh për ne, që t’u japim më shumë kuptim historive në të ardhmen. Faleminderit jurisë dhe ekipit të festivalit “UPward”. Paçi një mbrëmje të shkëlqyeshme”, ka thënë Gayen në një video-lidhje. 

Dy çmime kanë mbetur edhe në Kosovë. “Kambana që s’ra” e Majlind Belulit ka marrë Çmimin e Medias dhe Çmimin Special të Jurisë Ndërkombëtare. Ka qenë shfaqja e këtij filmi e cila i ka paraprirë ceremonisë së ndarjes së çmimeve. 

Edhe “Fragmenta” në provë të gjuhëve të reja vizuale Shtojca për Kulturë 7 muaj më parë “Fragmenta” në provë të gjuhëve të reja vizuale

“Fillimisht faleminderit të gjithëve që keni ardhur për me e pa një punë fantastike që është bërë nga një ekip fantastik me mbështetjen e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, që kanë bërë të mundshëm realizimin e këtij filmi. Faleminderit prindërve të mi dhe gjithë pjesëtarëve të ekipit që kanë qenë aty për te ndihmuar në çdo sfidë. Ka filluar si një produkt për Fakultet, por puna që është bërë nga pjesëtarët e ekipit me aktrim, skenografi dhe kostumografi i ka tejkaluar pritshmëritë”, ka thënë Beluli, i cili me filmin e tij “Kambana që s’ra” u ka “rënë kambanave” të dy prej tri jurive të “UPward”. Pos Jurisë së mediave dhe Jurisë Ndërkombëtare, edhe Universiteti ka pasur jurinë e vet. E para ka pasur në përbërje: Mirjeta Baraliun, Ardiana Thaçi-Mehmetin dhe Arta Berishën. Janë fokusuar në detajet dhe në rrëfimin e historive. Pos për “Kambana që s’ra” po kjo Juri ka dhënë edhe dy çmime të tjera speciale. Ka shpërblyer filmin “Soma” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën regji të Aliza Brugger dhe “(Dis)connected” nga Bullgaria nën regji Yonit, siç njihet regjisorja e filmave të animuar, Yoana Plachkova, e cila në “UPward” ka sjellë një animacion 2D bardhezi që qëmton izolimin, dualizmin e njeriut si një rrugëtim nëpër emocione. “(Dis)connected” po ashtu ka marrë edhe Çmimin Special të Jurisë Ndërkombëtare, e cila ka pasur në përbërje: Ricardo Spencerin, Agron Domin dhe Agnes Nokshiqin. Me fokus në detaje që i përkasin diversitetit, kjo Juri ia ka dhënë Çmimin për Regjisorin më të Mirë, Mateo Di Tommasos nga Argjentina për filmin me titull “Under an Ancient Skin”. Atë për Aktoren më të Mirë ia ka dhënë Violetta Kopanskas nga Gjermania për rolin në filmin “The Good Woman”.

Juria e Universitetit – e përbërë nga profesorët Albana Berisha-Qehaja, Avni Puka dhe Abdulla Rexhepi – ka pasur në fokus anën akademike. Çmimin e universitetit, “The University Spirit Award”, ia ka dhënë filmit “The Egotist” të Alice M. Hortas nga Portugalia.

Edhe shpërndarja e çmimeve ka qenë një dëshmi i zgjerimit të festivalit të filmit studentor “UPward”. 

Hazir Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, kur ka ndarë çmimin kryesor, ka shpalosur statistikat që e dëshmojnë këtë. 

“Këtë vit kemi pasur 69 filma studentorë nga shkolla të famshme prestigjioze botërore të shkollës së filmit, ndërsa si aplikime fillestare gjithsej kemi pasur një mijë e 424, domethënë që ka qenë shumë vështirë fillimisht me i përzgjedhë filmat, ku kolegët tanë prej Fakultetit, përfshirë edhe mua, secili i kemi ndarë nga 100-200 filma t’i shikojmë edhe t’i përzgjedhim për të bërë listën e ngushtë. Dhe në përfundim kemi arritur që 69 filma t’i fusim në program”, ka thënë Haziri në ceremoninë që ka përmbyllur rrugëtimin katërditor të Festivalit. 

Edhe “Siparantum” i Kosovës kualifikohet për “Grand Prix” në Tajlandë Kulturë 10 muaj më parë “Siparantum” i Kosovës kualifikohet për “Grand Prix” në Tajlandë

Sipas Hazirit, mysafirët pjesëmarrës ishin nga gjithsej 36 shtete si: Italia, Bullgaria, Greqia, Argjentina, Portugalia, Belgjika, Gjermania, Franca, SHBA, Shqipëria, Bangladeshi dhe shtete të tjera. 

“Mysafirët, studentë e profesorë në kuadër të Universitetit Veror të UP-së diku rreth 200-300 persona, kanë qenë gjithashtu pjesëmarrës në audiencë gjatë këtyre ditëve të Festivalit”, ka thënë ai. 

Në programin e filmave janë përfshirë zhanre të ndryshme të filmave: filma të shkurtër artistikë, dokumentarë, filma të animuar dhe eksperimentalë, të realizuar në kuadër të shkollave të filmit, me kohëzgjatje maksimale deri në 30 minuta. 

Sipas rregullave të festivalit “UPward”, filmat duhej të ishin të krijuar nga studentë ose regjisorë në fillimet e karrierës së tyre si dhe të ishin të përfunduar brenda dy vjetëve të fundit.

Sipas ueb-faqes, festivali ndërkombëtar të filmit studentor “UPward” është një ngjarje vjetore e organizuar nga Departamenti i Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës i kushtohet promovimit të kinemasë studentore dhe mbështetjes së krijuesve të rinj të filmave nga e gjithë bota. 

Edhe “DokuFesti” i çerekshekullit me 104 filma garues nga bota e trazuar Kulturë 4 d. më parë “DokuFesti” i çerekshekullit me 104 filma garues nga bota e trazuar

“UPward krijon një platformë dinamike ku artistët e rinj mund të prezantojnë filmat e tyre, të ndajnë historitë e tyre dhe të lidhen me kolegë e profesionistë nga komuniteti ndërkombëtar i filmit. Përmes shfaqjeve filmike, diskutimeve dhe mundësive për krijimin e rrjeteve profesionale, ‘UPward’ synon të frymëzojë kreativitetin, të nxisë shkëmbimin kulturor dhe të fuqizojë gjeneratën e ardhshme të krijuesve të filmit” shkruhet aty. 

Edhe në ceremoninë përmbyllëse janë rikujtuar synimet këtij organizimi. Annamorea Tiara Nixha, në fjalimin e ceremonisë ka thënë se festivale të tilla, krijojnë hapësirë për zëra të rinj, shërbejnë si katalizator për vetëbesimin dhe ambiciet e artistëve. “Çdo artist e formëson zërin e vet përmes përvojës së fituar në universitet, ndërsa projekte si ky, të organizuara nga Fakulteti i Arteve, e bëjnë këtë proces edhe më të dukshëm dhe më domethënës”, ka thënë Nixha. E, “UPward” është aty për t’i hapur rrugët.