Lifestyle

Studimi: Qëndrimi ulur për orë të tëra dëmton trurin, pavarësisht ushtrimeve

Truri

Një studim i ri ka zbuluar se qëndrimi ulur për shumë orë, çdo ditë, mund të shkaktojë tkurrje të trurit, edhe nëse dikush bën ushtrime rregullisht, ka raportuar Earth.

Studimi, i udhëhequr nga Memory and Alzheimer’s Center në Universitetin Vanderbilt, ka monitoruar të moshuar për shtatë vjet me radhë, duke matur sa qëndronin ulur dhe si ndryshonte truri i tyre me kalimin e kohës.

“Sa më shumë orë që kalon ulur, aq më shumë zvogëlohet truri”, thuhet në studimin e publikuar në revistën Alzheimer’s & Dementia.

Ushtrimet nuk mjaftojnë

Edhe ata që ushtronin sipas rekomandimeve (150 minuta në javë) nuk u shpëtuan efekteve të qëndrimit ulur për kohë të gjatë. Ata përjetuan tkurrje të hipokampusit, zona e trurit që është  përgjegjëse për kujtesën, dhe rezultate më të dobëta në testet e kujtesës.

Pjesëmarrësit mbanin monitorë në dorë që regjistronin çdo lëvizje. Mesatarisht, ata kalonin 13 orë në ditë ulur, në karrige, divan apo në makinë, dhe kjo kishte pasoja të dukshme në tru. Ata që rrinin më shumë ulur kishin tru më të hollë në zonat e lidhura me sëmundjen e Alzheimerit.

Rreziku është më i lartë për ata me gjenin APOE-ε4

Studimi thekson se ata që mbartin gjenin APOE-ε4, i cili rrit rrezikun për Alzheimer, janë edhe më të ndjeshëm ndaj dëmeve nga qëndrimi ulur. Këta individë humbën më shumë substancë gri në lobin ballor dhe parietal, zonat e trurit që ndihmojnë në marrjen e vendimeve dhe ruajtjen e kujtesës.

“Ata e kishin më të vështirë të mbanin mend fjalë apo të emërtonin objekte”, kanë theksuar studiuesit.

Pse dëmton qëndrimi ulur?

Të rrish ulur për orë të tëra ngadalëson qarkullimin e gjakut në tru, duke reduktuar oksigjenin dhe lëndët ushqyese që i duhen trurit. Kjo ndikon në aftësinë e tij për të ruajtur lidhjet ndërmjet qelizave nervore. Me kohë, kjo çon në tkurrjen e hipokampusit dhe dobësim të kujtesës.

Gjithashtu, qëndrimi ulur rrit inflamacionin në trup, një tjetër faktor që dëmton qelizat e trurit, veçanërisht për ata me predispozitë gjenetike ndaj Alzheimerit.

Zgjidhja? Lëvizni gjatë gjithë ditës

Studimi tregon se nuk mund ta zhbësh dëmin e qëndrimit ulur me një vrap në mëngjes. Sipas ekspertëve, ajo që ka më shumë rëndësi është lëvizja gjatë ditës, ngrituni, ecni, shtrihuni, bëni pushime të shkurtra.

“Çdo hap që bëni mund të bëjë ndryshim”, theksojnë studiuesit.

Për ta mbrojtur trurin, rekomandohet që qëndrimi ulur të ndërpritet shpesh me aktivitete të vogla: ecje të shkurtra, qëndrim në këmbë gjatë telefonatave apo lëvizje ndërsa lexoni ose punoni.

Studimi zbuloi se shumica e njerëzve qëndrojnë ulur për rreth 9 orë në ditë, ndërsa pjesëmarrësit e studimit qëndronin ulur 13 orë në ditë, diferencë që thuhet se ka ndikim të madh në shëndetin e trurit.