Konsumimi i ushqimeve shumë të përpunuara në vitet parashkollore mund të lidhet me vështirësi në sjellje dhe emocione te fëmijët, sipas një studimi të ri.
Studimi u udhëhoq nga studiues të University of Toronto dhe ka zbuluar se fëmijët që konsumojnë më shumë ushqime të shumëpërpunuara kanë më shumë gjasa të shfaqin probleme si ankth, frikë, agresivitet ose hiperaktivitet, ka raportuar MedicalXpress.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAutorja kryesore e studimit, Kozeta Miliku, profesoreshë e shkencave ushqyese në Fakultetin e Mjekësisë Temerty në Universitetin e Torontos, ka theksuar rëndësinë e viteve të hershme të jetës.
“Vitet parashkollore janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës dhe është periudha kur ata fillojnë të krijojnë zakonet e tyre të ushqimit”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se gjetjet e studimit tregojnë nevojën për ndërhyrje më të hershme.
“Gjetjet tona theksojnë nevojën për ndërhyrje në moshë të hershme, si këshilla profesionale për prindërit dhe kujdestarët, fushata të shëndetit publik, standarde ushqyese për institucionet që kujdesen për fëmijët dhe përmirësimin e përbërjes së disa ushqimeve të paketuara”, ka thënë Miliku.
Studimi është publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open dhe konsiderohet ndër të parët që analizon lidhjen mes konsumimit të ushqimeve të shumëpërpunuara dhe vlerësimit të standardizuar të sjelljes te fëmijët, duke përdorur të dhëna të detajuara afatgjata. Ai është gjithashtu një nga studimet më të mëdha që ka analizuar sjelljen dhe shëndetin mendor në fëmijërinë e hershme.
Ushqimet e shumëpërpunuara janë produkte industriale të përgatitura kryesisht nga përbërës të rafinuar dhe aditivë që zakonisht nuk përdoren në gatimin në shtëpi. Në Kanada, këto ushqime përbëjnë pothuajse gjysmën e kalorive që konsumojnë fëmijët parashkollorë.
Studiuesit përdorën të dhëna nga studimi afatgjatë CHILD Cohort Study, i cili përfshiu gra shtatzëna të rekrutuara midis viteve 2009 dhe 2012 dhe ndoqi zhvillimin e fëmijëve të tyre nga para lindjes deri në adoleshencë në katër qytete të Kanadasë.
Në këtë studim u analizuan të dhënat ushqyese të më shumë se 2 mijë fëmijëve trevjeçarë. Dy vjet më vonë, kur fëmijët ishin pesë vjeç, studiuesit vlerësuan sjelljen dhe gjendjen emocionale të tyre përmes një metode të njohur vlerësimi të sjelljes së fëmijëve.
Rezultatet treguan se për çdo rritje prej 10 për qind të kalorive që vinin nga ushqimet e shumëpërpunuara, fëmijët kishin rezultate më të larta në treguesit e problemeve të sjelljes.
Këto përfshinin:
-sjellje të brendshme si ankthi dhe frika
-sjellje të jashtme si agresiviteti dhe hiperaktiviteti
-vështirësi të përgjithshme në sjellje.
Sa më i lartë të ishte rezultati, aq më shumë probleme të raportuara kishte fëmija.
Disa kategori ushqimesh rezultuan të kenë lidhje edhe më të fortë me këto probleme, sidomos pijet me shumë sheqer dhe pijet e ëmbëlsuara artificialisht. Po ashtu, ushqimet e gatshme si patatet e skuqura apo makaronat me djathë u lidhën me rezultate më të larta të problemeve të sjelljes.
Studiuesit kanë analizuar edhe një skenar ku një pjesë e ushqimeve të shumëpërpunuara zëvendësohej me ushqime më natyrale. Ata zbuluan se zëvendësimi i vetëm 10 për qind të energjisë nga këto ushqime me ushqime më pak të përpunuara, si fruta, perime dhe ushqime të plota, lidhej me rezultate më të ulëta të problemeve të sjelljes.
Miliku ka thënë se edhe ndryshimet e vogla mund të bëjnë dallim në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
“Gjetjet tona sugjerojnë se edhe ndryshime të vogla drejt ushqimeve më pak të përpunuara, si frutat dhe perimet e plota, në fëmijërinë e hershme mund të ndihmojnë në zhvillim më të shëndetshëm emocional dhe në sjellje”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se interesi i saj për këtë temë nisi edhe nga përvoja personale si prind.
“Si prind i një fëmije të vogël, fillova të vërej sa shpesh ushqimet e shpejta dhe të gatshme janë pjesë e dietës së fëmijëve, ndonjëherë edhe në vende që i konsiderojmë si mjedise të shëndetshme”, ka thënë Miliku.
Studime të shumta kanë lidhur më parë konsumimin e ushqimeve të shumëpërpunuara me rrezik më të lartë për mbipeshë dhe sëmundje metabolike, si te të rriturit ashtu edhe te fëmijët. Disa kërkime kanë sugjeruar gjithashtu lidhje mes këtyre ushqimeve dhe problemeve të sjelljes dhe shëndetit mendor te adoleshentët dhe të rriturit.
Megjithatë, Miliku ka theksuar se prindërit shpesh bëjnë më të mirën që munden.
“Prindërit po përpiqen të bëjnë më të mirën dhe jo të gjitha familjet kanë qasje në ushqime të thjeshta me një përbërës apo kanë kohën dhe mjetet për t’i përfshirë ato në dietën e përditshme”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se ushqimet e shumëpërpunuara janë shumë të përhapura sepse janë të lira dhe të përshtatshme për përdorim.
“Është e rëndësishme të mendojmë se si mund të rrisim gradualisht përdorimin e ushqimeve të plota dhe më pak të përpunuara kur është e mundur”, ka thënë Miliku.
Sipas saj, edhe hapa të vegjël mund të ndihmojnë.
“Shtimi i një copë frute ose zëvendësimi i një pijeje me shumë sheqer me ujë mund të ndihmojë me kalimin e kohës në zhvillimin emocional dhe në sjelljen e fëmijëve. Qëllimi është të ofrojmë prova që mund t’i ndihmojnë familjet të marrin vendime më të informuara”, ka thënë ajo.