Në një eksperiment me 32 gra që kishin mbijetuar nga kanceri i gjirit, një seancë 45-minutëshe me ushtrime për forcimin e trupit (resistance training) ose intervale me intensitet të lartë (HIIT) ka shkaktuar rritje të proteinave sinjalizuese në gjak, të quajtura myokina. Kur këto proteina u vendosën mbi mostra të qelizave të kancerit të gjirit në laborator, ato penguan rritjen e tumoreve deri në 30 për qind.
“Rezultatet e studimit tregojnë se të dyja llojet e ushtrimeve prodhojnë me të vërtetë këto myokina kundër kancerit tek personat që kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit”, ka thënë autori kryesor dhe studiuesi i ushtrimeve fizike, Francesco Bettariga, nga Universiteti Edith Cowan në Australi, ka raportuar Science Alert.
Sipas tij këto rezultate janë një motivim i shkëlqyer për ta shtuar aktivitetin fizik si pjesë standarde të trajtimit të kancerit.
Gjatë studimit, gjaku i pjesëmarrëseve u analizua për praninë e myokinave para ushtrimeve, menjëherë pas tyre dhe 30 minuta më vonë.
Grupi i pjesëmarrësve që bënë ushtrime për forcim të trupit ka kryer një seri ushtrimesh për pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit, ndërsa grupi i intervaleve me intensitet të lartë bëri ushtrime kardio në pajisje të ndryshme.
Këto ushtrime shkaktuan rritje të përkohshme të tre llojeve të myokinave: decorin, IL-6 dhe SPARC. Muskujt skeletorë i sekretojnë këto proteina në gjak si përgjigje ndaj aktivitetit fizik për të nxitur rritjen ose djegien e yndyrës, por ato dihet gjithashtu se kanë efekte anti-inflamatore.
Studime të mëparshme laboratorike kanë treguar se myokinat mund të ngadalësonin rritjen e disa llojeve të tumoreve, përfshirë kancerin e gjirit. Deri tani, nuk dihej nëse i njëjti efekt ndodhte edhe tek pacientët që kanë kaluar kancerin.
Në mënyrë të veçantë, studiuesit vunë re se edhe qelizat e kancerit të gjirit të tipit “triple negative”, që nuk kanë receptorë hormonalë dhe nuk pritet të reagojnë ndaj ndryshimeve hormonale nga ushtrimet, u ndikuan nga myokinat e prodhuara gjatë aktivitetit fizik.
“Zbulimet tona tregojnë se si ushtrimet për forcim të trupit ashtu edhe ato me intervale të shkurtra e intensive shkaktojnë ndryshime të menjëhershme në myokinat qarkulluese dhe ulin rritjen e qelizave të kancerit, çka mund të kontribuojë në mekanizmat biologjikë të kontrollit të sëmundjes”, thuhet në përfundim të raportit të studimit.
Megjithatë, ata kanë deklaruar se nevojiten studime të tjera për të kuptuar rëndësinë afatgjate të këtyre efekteve në parandalimin e rikthimit të kancerit të gjirit.
Studimi u publikua në revistën Breast Cancer Research and Treatment.