Lifestyle

Heqja e disa ushqimeve nga dieta mund të ndikojë në humbjen e peshës

Ushqimi

Ushqimi

Një studim i ri sugjeron se eliminimi i një kategorie ushqimesh mund të dyfishojë rezultatet e humbjes së peshës.

Studimi, i publikuar në revistën Nature Medicine, ka gjetur se të rriturit me mbipeshë që hoqën nga dieta ushqimet shumë të përpunuara (UPFs) humbën gati dy herë më shumë peshë gjatë një periudhe dymujore krahasuar me ata që nuk e bënë këtë, ka raportuar AOL.

Ushqimet shumë të përpunuara përfshijnë ushqime të gatshme për tu ngrënë apo instante, pijet me gaz, patatinat, biskotat e paketuara dhe të tjera. Por disa produkte që reklamohen si “ushqime të shëndetshme” gjithashtu mund të jenë pjesë e kësaj kategorie, thonë ekspertët.

Doktori Jeffrey Kraft, kirurg bariatrik në Hackensack Meridian Palisades Medical Center në New Jersey, ka thënë për Fox News Digital se ushqime e shumëpërpunuara nuk janë natyrale.

“Ushqimet e përpunuara nuk janë ushqime natyrale. Ato kalojnë nëpër fabrika ose ndryshime kimike që e rrisin afatin e përdorimit”, ka thënë ai.

Doktori ka shtuar se këto lloj ushqimesh nuk japin ndjenjën normale të ngopjes.

“Shpesh përzihen me përbërës të tjerë të dëmshëm si sasi e madhe e sheqerit, emulgator dhe yndyrat e hidrogjenizuara”, ka thënë Kraft.

Nga ana tjetër, Ashlee Carnahan, dietologe e regjistruar në Henry Ford Health në Detroit ka cekur se humbja e peshës me ushqime të plota shpesh lidhet me përmbajtjen më të lartë të fibrave dhe proteinave, të cilat ndihmojnë të ndiheni më të ngopur për më gjatë.

“Mbani mend, një vezë e zier jep 7 gramë proteinë dhe është ushqimi më i plotë me bazë proteinike. Unë gjithmonë rekomandoj të filloni me ushqime të plota”, ka shtuar ajo.

Për ata që mendojnë se nuk kanë kohë për përgatitjen e vakteve, Carnahan sugjeron të përqendrohen tek ushqimet “në gjendjen e tyre natyrale”, mollë, banane, karota, arra dhe fara, gjalpë kikiriku natyral dhe kosi i thjeshtë.

“Shtimi gradual i perimeve dhe frutave deri në 3 gota perime dhe 2 gota fruta në ditë është një fillim i mirë dhe mbështet një dietë të shëndetshme”, ka thënë Carnahan.

Për më tepër, dietologia këshillon që konsumuesit të shikojnë me kujdes se çfarë fusin në trupin e tyre.

“Kur konsumoni ushqime të përpunuara, lexoni gjithmonë etiketën, më e rëndësishmja, kontrolloni totalin e gramëve të sheqerit dhe kripës. Sa më pak, aq më mirë”, ka thënë ajo.

Kraft ka sugjeruar edhe një këshillë të thjeshtë për blerjet.

“Bëni pazar rreth skajeve të dyqanit, aty gjenden zakonisht ushqimet më të shëndetshme. Artikujt që e kanë më të shkurtër afatin e përdorimit janë më të mirët”, ka thënë ai.

Doktori gjithashtu u rekomandon pacientëve që bëjnë operacione për humbje peshe të zëvendësojnë mëngjesin me një pije me proteina të përgatitur në shtëpi që nuk përmban kalori.

Sipas tij, element i rëndësishëm për humbjen e peshës është gjumi.

“Nëse nuk flini mirë, për shembull keni apne të gjumit e nuk e dini, nuk do të humbni kurrë peshë”, ka thënë ai.