Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Edhe pesë filxhanë kafe në ditë mund të ulin rrezikun për sëmundje të mëlçisë

Kafeja

Kafeja

Një filxhan kafe në ditë mund të ndihmojë në mbrojtjen e mëlçisë, ndërsa edhe konsumimi i pesë ose më shumë filxhanëve lidhet me rrezik më të ulët për cirrozë, kancer të mëlçisë dhe vdekje nga sëmundjet e këtij organi.

Kështu tregon një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Clinical Gastroenterology and Hepatology, ka raportuar CNN.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studiuesit kanë analizuar të dhënat e më shumë se 354 mijë personave për mbi 10 vjet.

“Ky është ndoshta studimi më gjithëpërfshirës me ndjekje afatgjatë mbi ndikimin e kafesë”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Hyunseok Kim.

Ai ka shtuar se përfitimet nuk duket të lidhen vetëm me kafeinën.

“Pamë se edhe personat që pinin kafe pa kafeinë kishin përfitime të ngjashme. Kjo tregon se efekti mbrojtës ka të ngjarë të vijë nga antioksidantët që përmban kafja”.

Sipas studimit, personat që pinin një deri në dy filxhanë kafe në ditë kishin 20 për qind rrezik më të ulët për cirrozë, 24 për qind rrezik më të ulët për kancer të mëlçisë, si dhe 31 për qind më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet e mëlçisë.

Ata që konsumonin tre deri në katër filxhanë kishin rreth 35 për qind rrezik më të ulët për cirrozë dhe kancer të mëlçisë, ndërsa ata që pinin pesë ose më shumë filxhanë në ditë kishin 32 për qind rrezik më të ulët për cirrozë, 47 për qind rrezik më të ulët për kancer të mëlçisë, si dhe 42 për qind më pak gjasa të vdisnin nga sëmundjet e mëlçisë.

Dietologia Lauren Manaker, e cila nuk mori pjesë në studim, ka thënë se rezultatet janë premtuese, por kërkojnë kujdes në interpretim.

“Këto janë shifra domethënëse për diçka kaq të zakonshme si një filxhan kafe në ditë. Megjithatë, bëhet fjalë për lidhje statistikore dhe jo prova që kafja është shkaku i drejtpërdrejtë i këtyre përfitimeve”, ka thënë ajo.

Studiuesit kanë zbuluar gjithashtu se personat që i shtonin kafesë sheqer ose ëmbëlsues artificialë kishin pothuajse të njëjtat përfitime, por shfaqnin më shumë shenja të inflamacionit në mëlçi. Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë kufizimin e sheqerit, ëmbëlsuesve artificialë dhe kremrave të përpunuar për kafe.

Sipas autorëve, nevojiten studime të tjera për të konfirmuar nëse këto rezultate vlejnë njësoj për popullata të ndryshme. Megjithatë, ata besojnë se antioksidantët e kafesë mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe dëmtimit të mëlçisë.

Përveç shëndetit të mëlçisë, studime të mëparshme kanë treguar se konsumimi i moderuar i kafesë lidhet edhe me rrezik më të ulët për diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës, sulmin në tru, demencën dhe disa sëmundje të tjera kronike.