Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Puccini në Kosovë – tragjedi e komedi madhështore që lë në hije kushtet

Opera e Kosovës ia del me produksionin e radhës

Diptiku “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi” i Puccinit, nën regji të Luca Ramacciottit, dirigjuar prej Jacopo Sipari di Pescasseroli ka ardhur premierë në pesëvjetorin e themelimit të Operës së Kosovës (Foto: Arben Llapashtica)

Diptiku “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi” janë në kontraste: e para godet fort me tragjedi, e dyta është një komedi elegante. Opera e Kosovës ka ngritur nga hiçi një skenë opere, ia ka dalë me ketë produksion madhor. Zhanri i veprave është pak a shumë ilustrues edhe i realitetit. Tragjikja është mungesa e shtëpisë për këtë institucion, komedia lind prej zilisë, hajnisë e çka jo tjetër. Puccini ka ardhur madhështor në skenën e Kosovës, por shkëlqimi zgjat sa premiera dhe një reprizë

Mbase nuk është e vetmja që i kanë shpëtuar lotët, por zor se ndokush tjetër të ketë qarë për disa minuta pa ndalur. Momenti kur Suor Angelica merr kumtim se i biri s’jeton më, është kulmi i tragjedisë në operën e Giacomo Puccinit që mban për titull emrin e personazhit kryesor. Profesoresha universitare, Besa Luzha, është mbërthyer në vaj gjatë kohës kur Suor Angelica (Donata D’Annunzio Lombardi) vajton të birin. 

Kjo operë që e ka hapur mbrëmjen e diptikut të Operës së Kosovës e ka arritur efektin e vet: ndjesinë e tragjedisë. Dhe me një kastë ku shumë janë të rinj, edhe studentë, sikurse në role po ashtu në orkestër, s’është gjë e lehtë. Kur i shtohet edhe ana e mungesës së hapësirave adekuate dhe organizimi i “ndërtimit” të një teatri brenda katër muresh ku është njëfarë hangari i madh, Opera ia ka dalë suksesshëm. Normale, krejt kjo ka kosto, rreth 400 mijë euro. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Skena ka marrë pamjen e manastirit dhe rrëfimi bosht është ai i një murgeshe të re. Kur maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli ka dhënë shenjë që orkestra të nisë lojën, publiku ka hyrë në botën e “Suor Angelicas”. Brenda ambienteve të manastirit është njëfarë hallakame që paralajmëron stuhi. Suor Angelica është detyruar të jetojë aty nga familja e saj aristokrate si ndëshkim pasi ka lindur një fëmijë jashtë martese. I mungojnë lajmet për të birin e familjarët. Vuan për këtë. Dhe sopranoja italiane, Donata D’Annunzio Lombardi, që bart peshën kryesore, këtë rol e ka luajtur shumë herë. Orvatet gjithandej dhe tensioni vërehet në krejt ambientin. 

Tezja e saj, La Zia Principessa, mexosopranoja Ivana Hoxha vjen me njëfarë ftohtësie të akullt. Midis të tjerash i tregon se i biri i ka vdekur. Hoxha është e përkryer. E lindur për këtë rol. Konsiderohet si një prej mexosopranove me të zonjat në skenën shqiptare. Kumti që jep është një moment tronditjeje. Përvoja e sopranos në rol kryesor e bën të vetën. Donata D’Annunzio Lombardi e di se si frymon ky rol. Tek aria kryesore “Senza mamma” ajo është aktore e përkryer megjithëse nganjëherë kur këndon lartë, duket sikur zëri s’i rri besnik. Por dramacitetin e ka kaplues. Shtrihet e vajton me një dhembshuri që s’i bëhet ballë. E qan të birin që s’i ka qëlluar afër në frymën e fundit, mallkon veten e lutet. Krijon ambient morti duke marrë krejt vëmendjen e publikut. E dëshpëruar, ajo pi helm për të vdekur dhe për t’u ribashkuar me djalin e saj në parajsë. Krejt në fund krijohet njëfarë ambienti surreal. Gjatë operës disa zëra hyjnorë krijojnë tjetër ritëm. E krejt në fund situata merr një përmasë transi. Suor Angelica pendohet për vetëvrasjen, por opera përfundon me njëfarë vizioni të shpëtimit, ku ajo duket sikur falet dhe ribashkohet me fëmijën e saj. S’dihet a po ngjan diçka reale apo skena zhvendoset diku në parajsë. 

Një sallë në periferi të kryeqytetit është transformuar në skenë opere. Teknologjia e ka shndërruar atë, duke “mbuluar” qoftë për një natë mungesën e një salle përnjëmend (Foto: Arben Llapashtica)

“Jam shumë e lumtur që jam këtu bashkë me të gjithë, e në veçanti me motrat e mia pasi unë luaj Suor Angelican. Janë zëra të rinj dhe kam parë timbre të ndryshme. Është një talent i madh. Shpresoj të punoj me ta edhe në të ardhmen. Puccini është historia ime, histori italiane. E kam luajtur shumë këtë rol, por sot isha shumë e lumtur në këtë teatër të bukur, që veç para dhjetë ditësh nuk ekzistonte. Kjo është një mrekulli e teknologjisë dhe pasionit të madh për teatër”, ka thënë Donata D’Annunzio Lombardi. Është ndierë e lumtur me faktin se ka emocionuar të pranishmit. 

“Nuk është faji im. Është i Puccinit. Ne e dimë se kjo është opera më tragjike. Puccini ndërtoi çdo notë, pasazh e frazë që të zhvillojë emocionin e ndjeshmërinë. Nëse dikush ka qarë i bie që e kam realizuar rolin”, ka thënë ajo. 

Regjisori Luca Ramacciotti me të s’ka pasur shumë punë, por me pjesën e re të kastit, po. Ai është mjeshtër i operave të Puccinit. 

“’Suor Angelica’ është një operë spirituale. Kemi të bëjmë me një mrekulli. S’është katolike, është operë spirituale. Flet për dashurinë e nënës për fëmijën. Kurse ‘Gianni Schicchi’ është një komedi ku ka shumë humor. Operat janë shumë të ndryshme. Jam i lumtur pasi këtu në Prishtinë kam gjetur një kast shumë të mirë dhe i gjithë stafi është i mrekullueshëm”, ka thënë regjisori Ramaccioti. Të rinjtë i ka përshkruar si aktorë shumë të mirë. 

“Po ashtu vajza e re te ‘Suor Angelica’ është shumë e mirë. Kemi studiuar shumë se si të këndohet, si të flitet në italisht. Kështu që kemi punuar shumë së bashku dhe kasti është shumë i mirë. Nëse kemi një rezultat të mirë është shkaku i kastit”, ka thënë ai. Pos dyshës D’Annunzio Lombardi dhe Hoxha, në këtë operë kasti plotësohet edhe me Teuta Kurtin, Blenda Kelmendin, Bulza Havolli-Llukën, Zana Abazi-Ramadanin, Urta Hazirajn, Diella Bytyqin, Zlata Toshevska Dimovskan, Aurela Murtezajn, Lejla Nikën, Bademe Krasniqin, Syarta Mehmetin, Teuta Morinën dhe Endona Bardhin. Kori bashkë me atë të fëmijëve që vijnë nga jashtë si zëra hyjnorë plotësojnë dramën. Jacopo Sipari di Pescasseroli dirigjent shumë emotiv me hollësitë që i ka kërkuar nga orkestra ka bashkuar elementet, të cilat nxjerrin në pah fuqinë e operës. 

Opera që shpalos tragjedi i ka lëshuar rrugën asaj që sjell komedinë, “Gianni Schicchi”. Janë dy operat e njohura të trilogjisë së famshme “Il trittico” ku hynë edhe “Il tabarro” (Foto: Arben Llapashtica)

Opera që shpalos tragjedi i ka lëshuar rrugën asaj që sjell komedinë, “Gianni Schicchi”. Janë dy operat e njohura të trilogjisë së famshme “Il trittico” ku hynë edhe “Il tabarro”. Pas 20 minutash pauzë, publiku është kthyer brenda sallës së improvizuar për opera në periferi të Prishtinës. Kësaj radhe për të qeshur me ndodhinë që ngjan në një shtëpi fisnike të Firences. Në të dytën edhe lëvizjet e publikut që dalin e hyjnë – sëmundje që s’i shihet fundi – qenë më të vogla.

Satirizimi i shoqërisë me lakmi, mashtrim e dinakëri janë elementet kyçe të kësaj opere po ashtu njëaktëshe. Në njëfarë forme është operë me e lehtë. I pasuri Buoso Donati vdes. Dhe, familjarët sikur bëhen se e qajnë, por kanë hallin e testamentit. Situatat janë fort komike. E gjejnë atë dhe marrin vesh se pasuria do t’i takojë kishës. Nisin t’i xhelozojnë murgjit dhe dikujt i shkon në mendje të kërkojnë ndihmë nga një hileqar i kthjelltë, Gianni Schicchi. Baritoni Gëzim Myshketa është emër i njohur. Të mërkurën mbrëma qe në element. Ai gjen një zgjidhje që të fshihet vdekja e pasanikut. Luan Buoso Donatin dhe ia dikton noterit testamentin. Ua lë të gjithëve nga pak pasuri, por pjesët kryesore ia lë vetës. Mënyra se si Myshketa sajon gjithçka bashkë me karizmin e tij, janë lojë e mahnitshme. Njësoj është edhe Lauretta që interpretohet nga sopranoja Zana Abazi-Ramadani. “O mio babbino caro” është aria e famshme që interpretohet në shumë koncerte operistike. Abazi-Ramadani me delikatesë i ka dhënë formë kësaj pjese. Në përgjithësi loja ka qenë e mahnitshme dhe komedia ka kapur efektin. Me përjashtim te fundi kur solistët janë duke dalë nga skena, është dukur sikur ka njëfarë moskomunikimi me dirigjentin.

Jacopo Sipari di Pescasseroli në cilësinë e dirigjentit ka thënë të jetë i lumtur me punën që kanë bërë. 

“Procesi që kemi bërë me orkestrën, që sonte ka luajtur realisht në mënyrë të mahnitshme, prej fillimit ishte brenda konceptit të luajtjes për një operë. Dallon me koncert simfonik. Dhe duhej kërkuar për ngjyra e efekte pasi Puccini është vetëm efekte dhe ngjyra. Janë shumë të rinj dhe shumë të mirë e kjo më bën të lumtur pasi ata do të jenë e ardhmja e muzikës në Kosovë”, ka thënë ai. Ka lëvduar korin e solistët. Operat i ka përshkruar si të vështira pasi secila ka shumë role. Ka veçuar dy rolet kryesore si diamante. 

Opera ia ka dalë suksesshëm. Normale, krejt kjo ka kosto (Foto: Arben Llapashtica)

“Ndihem vërtet përplot emocione. Secilën herë që jam këtu është një kënaqësi e madhe pasi shoh shumë sakrificë dhe dëshirë të madhe për të punuar produksionet. Është një familje e madhe që mundohet të gjejë se çfarë mund të bëjë Kosova. Jam i sigurt se është bërë një hap i madh dhe do të mund ta bëjnë secilën herë e më mirë”, ka thënë Sipari di Pescasseroli. 

Sopranja Zana Abazi-Ramadani ka rikujtuar se sa herë që flitet për Pucccinin, mendja shkon te aria që e ka interpretuar. Ajo të mërkurën pati dy role në të dyja operat. 

“Janë dy role me karaktere të ndryshme. Publiku e priti shumë mirë arien ‘O mio babbino caro’. Për mua është satisfaksion e privilegj të ndaj skenën me artistë botërorë. Ende s’kemi shtëpi operistike dhe në këto kushte ia dolëm”, ka thënë ajo. 

Faktin e kushteve në të cilat punohet s’e ka shmangur as Gëzim Myshketa.  

“Nëse në një teatër me kushte normale të punës do të thosha një bravo të madhe për të dyja shfaqjet që u bënë sot, për Operën e Kosovës pa asnjë lloj lajke dua të them: Dhjetë bravo të mëdha, sepse është një grup njerëzish që punojnë me pasion dhe ndërtohet një teatër nga hiçi”, ka thënë ai. Sipas Myshketës, nga një sallë boshe është ndërtuar një skenë e një auditorium për njerëzit dhe krejt kjo nuk është e thjeshtë. 

“Në opera ndërtohet një skenë e jo një teatër i ri. E kam thënë edhe përpara që Kosova e meriton dhe i nevojitet një shtëpi e Operës sa më shpejt. Nuk i mungojnë instrumentistët e as solokëngëtarët. Kështu që eksperienca për mua ka qenë fantastike”, ka thënë ai. 

Tragjedia e komedia e së mërkurës që do të reprizohen të premten qenë nivel i lartë (Foto: Arben Llapashtica)

Pos dyshes Myshketa e Abazi-Ramadani në këtë operë soliste janë edhe Ivana Hoxha, Matias Xheli, Rizah Jahaj, Elonë Sadiku, Norik Popova, Bledar Domi, Harris Bajraktari, Genc Vozga, Zlata Toshevska Dimovska, Dime Petrov, Elti Sada, Darko Todorovski, Rigón Begolli dhe Shpëtim Mehmeti. 
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se e kanë pritur një natë sikurse ajo e së mërkurës dhe se bëhet fjalë për një përjetim që do të mbesë gjatë në kujtesën e publikut. 

“Në kuadër të pesëvjetorit të Operës kemi sfiduar veten pasi ka ardhur koha të kemi ambicie më të mëdha dhe t’i vëmë në skenë këto dy vepra që janë kulmi i krijimtarisë operistike dhe Puccinit. Kemi investuar shumë që të mos dështojmë duke e ditur që ne s’kemi sallë adekuate dhe duhet të kemi zërin. Por kemi pasur staf nga Italia dhe Bullgaria, pra ekspertë që punojnë edhe në ambiente të jashtme në mënyrë që në ambientet e improvizuara të mos na dështojë asnjë element. Salla këtë vit ishte shumë komode”, ka thënë Ferizi. Sipas tij, me këtë sukses, si Operë shtyhen të mendojnë për titujt e ardhshëm të Puccinit e mjeshtërve të tjerë të operave. Opera e Kosovës e themeluar në gusht të vitit 2021 funksionon si njëfarë agjencie operistike pasi s’ka ansambël të vetin, por funksionon me projekte. E prej projekteve që do të mbahen mend është diptiku i Puccinit. Tragjedia e komedia e së mërkurës që do të reprizohen të premten qenë nivel i lartë. Me stafin e jashtëm diptiku është edhe produksion italian. Por e ka edhe një pjesë të mirë shqiptare. Madje, aty hynë edhe e ardhmja muzikore e vendit – studentët.