Një studim i ri sugjeron se edhe një racion i vetëm ditor me ushqime të shumëpërpunuara (ultraprocessed foods, UPF) mund të rrisë rrezikun për demencë, ka raportuar CNN.
Sipas hulumtimit, rritja e konsumit të këtyre ushqimeve me vetëm 10 për qind, që mund të jetë sa një qese e vogël me patatina, lidhet me rritje të rrezikut për probleme të kujtesës dhe demencë, edhe te personat që zakonisht ushqehen shëndetshëm me dietë të pasur me bimë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUshqimet e shumëpërpunuara (UPF) përbëjnë rreth 53 për qind të kalorive që konsumojnë të rriturit në SHBA, ndërsa te fëmijët kjo shifër arrin gati 62 për qind, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
“Studimi ynë tregoi se konsumi i tyre lidhej me vëmendje më të dobët dhe rrezik më të lartë për demencë te të rriturit e moshës së mesme dhe të moshuar”, ka thënë autorja kryesore Barbara Cardoso nga Monash University.
Ajo ka theksuar se lidhja nuk është provë e drejtpërdrejtë shkak-pasojë, por një korrelacion.
Sipas saj, edhe dieta mesdhetare nuk e ndryshonte këtë lidhje, duke sugjeruar se problemi lidhet me mënyrën e përpunimit të ushqimit, jo vetëm me dietën në përgjithësi.
Eksperti i neurologjisë W. Taylor Kimberly nga Harvard Medical School e ka cilësuar studimin si një shtesë të rëndësishme në evidencat që tregojnë dëmet e mundshme të këtyre ushqimeve për trurin.
Ai ka theksuar se edhe studime të tjera kanë gjetur se rritja e konsumit të UPF lidhet me rënie të aftësive njohëse (kognitive), edhe kur dieta është kryesisht me bazë bimore.
Një tjetër studim i tij kishte gjetur se rritja e konsumimit të këtyre ushqimeve me 10 për qind lidhej me 16 për qind rrezik më të lartë për dëmtim të funksioneve mendore.
Në anën tjetër, ulja e konsumit të tyre dhe zëvendësimi me ushqime më natyrale mund të sjellë përfitime: rreziku për rënie të aftësive njohëse mund të ulet me rreth 12 për qind gjatë disa viteve.
Studime të tjera kanë treguar se ndryshimi i dietës në moshë të mesme mund të ulë rrezikun për Alzheimer dhe demencë.
Çka janë ushqimet e shumëpërpunuara?
Studiuesit shpjegojnë se këto ushqime përmbajnë shumë pak ushqim “të vërtetë”. Ato krijohen duke ndarë ushqimet në përbërës kimikë dhe duke i ribërë me shtesa si ngjyrues, aromatizues dhe emulsifikues.
Shembuj janë: patatinat, pijet e gazuara, ëmbëlsirat e paketuara, ushqimi i shpejtë dhe produktet e gatshme.
Sipas studimit të ri të publikuar në revistën Alzheimer’s & Dementia: Diagnosis, Assessment & Disease Monitoring, rritja me 10 për qind e konsumit ditor lidhej me ulje të dukshme të aftësisë për përqendrim dhe përpunim të informacionit.
Studiuesja Cardoso ka thënë se kjo mund të lidhet me ndikimin që këto ushqime kanë në hormone, në bakteret e zorrëve dhe në faktorë të njohur të rrezikut për demencë si diabeti, tensioni i lartë dhe nivel i lartë i yndyrës së dëmshme në gjak.
Ajo ka shtuar se mosha e mesme është periudhë e rëndësishme për ndryshim të zakoneve ushqimore, përpara se të ndodhin ndryshime të pakthyeshme në tru.