Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Milka gënjeu konsumatorët në Gjermani - uli sasinë e çokollatës, por jo ambalazhin

Milka

Një gjykatë në Gjermani ka vendosur se prodhuesi i çokollatës Milka ka mashtruar konsumatorët duke zvogëluar sasinë e çokollatës “Alpenmilch”, ndërsa ambalazhin e ka mbajtur pothuajse të njëjtë, shkruan BBC.

Rasti, i cilësuar si një nga proceset më të rëndësishme kundër fenomenit të njohur si “shrinkflation”, u zhvillua në gjykatën rajonale të Bremenit dhe u ngrit nga organizata për mbrojtjen e konsumatorëve në Hamburg.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas padisë, kompania Mondelez International uli peshën e çokollatës klasike “Alpenmilch” nga 100 në 90 gramë, pa bërë ndryshime të dukshme në paketim, duke i bërë konsumatorët të besonin se produkti ishte i njëjtë.

Gjykata konstatoi se kjo praktikë ka shkelur ligjin për konkurrencën dhe ka mashtruar blerësit.

Fenomeni i “shrinkflation” përdoret shpesh nga prodhuesit për të përballuar rritjen e kostove, duke zvogëluar sasinë e produktit pa ndryshuar shumë çmimin. Organizata britanike e konsumatorëve “Which?” e ka cilësuar këtë praktikë si “taktikë tinëzare”.

Çmimet e çokollatës janë rritur ndjeshëm vitet e fundit për shkak të shtrenjtimit global të kakaos, pas korrjeve të dobëta në Afrikën Perëndimore.

Nga ana tjetër, Mondelez International ka deklaruar se konsumatorët në Gjermani ishin njoftuar për ndryshimin përmes faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale, duke argumentuar se vendimi ishte pasojë e kostove më të larta në zinxhirin e furnizimit.

Megjithatë, reagimi i konsumatorëve ka qenë i ashpër. Vitin e kaluar, çokollata “Milka Alpenmilch” u shpall në Gjermani si “ambalazhi mashtrues i vitit 2025”.