Shmangia e tensioneve dhe rreshtimi i të gjithë Ballkanit Perëndimor krah perëndimit në dënimin e agresioni rus, kanë qenë porositë kryesore në Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Budva të Malit të Zi.
Në Samitin me temën “Lufta në Evropë: Ndikimi në Ballkan” po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, krahas kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
“Tendenca për ta ridefinuar të ardhmen e Evropës dhe për të shkelur vlerat mbi të cilat u themelua ajo, mund të ndalohet vetëm kur aleatët demokratikë dhe paqedashës qëndrojnë të bashkuar kundër tiranëve keqdashës. Republika e Kosovës do të vazhdojë të luajë rolin e saj, siç ka bërë gjithmonë, në mbrojtjen, avancimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë”, tha Osmani.
Kurse kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se agresioni rus kundër Ukrainës paraqet një përkujtues të madh për vendet e Ballkanit Perëndimor që kaluan luftërat.
“Ky rajon ka duruar gjatë pasojat e politikave të papërgjegjshme të së kaluarës. Mendoj se ka ardhur momenti të ecim ndryshe, që fokusin ta përqendrojmë në vend të politikave të konfliktit te bashkëpunimi, në vend të asaj që ka qenë një e kaluar jo e lavdishme ta ndërtojmë një të ardhme të lavdishme. Kemi kaluar nëpërmjet katastrofave humanitare e agresioneve dhe e dimë se çfarë do të thonë krimet e luftës. Për këtë arsye është detyrë edhe më e madhe që çdo shtet në Ballkanin Perëndimor të punojë sa më parë për të arritur te paqja”, tha Abazoviq.
Në samit morën pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, i dërguari i Britanisë së Madhe, Stuart Peach, ndërkaq një adresim ka pasur i dërguari amerikan për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar.
Lajçak ka thënë se rajoni duhet të harmonizohet me vlerat evropiane, duke përfshirë politikën e jashtme dhe sanksionet, teksa është përgjigjur rreth mungesës së sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë.
“Kjo është ajo që ne presim nga të gjitha shtetet anëtare. Çdo vend në rajon e di se cilat janë pritjet lidhur me këtë pjesë. Veprimet konkrete do t’i marrim parasysh kur të sjellim vendimin për të ardhmen e këtij rajoni dhe të secilit vend të rajonit. Ne gjithashtu do të marrim parasysh veprime konkrete kur të vendosim për të ardhmen e këtij rajoni dhe të secilës prej vendeve të rajonit”, tha Lajçak.
Ndërkaq i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shpreson se Serbia do t’i bashkohet shteteve të tjera të rajonit dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas formimit të Qeverisë së re.
“Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord që Rusia të paguajë çmim për këtë [pushtimin e Ukrainës] përmes sanksioneve, duke mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj. Shpresoj që Serbia do t’i bashkohet këtij grupi dhe do t’i harmonizojë sanksionet kur të formohet qeveria”, ka theksuar ai.
Presidentja Osmani dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kanë polemizuar lidhur me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.
Osmani ka deklaruar se, Kosova nuk bëhet pjesë e nismave ku nuk trajtohet barabartë dhe udhëhiqen nga liderë që kanë pjesë e regjimit të Serbisë gjatë luftës në fundit.
Por, Abazoviqi i ka thënë Osmanit se askush nuk është në situatë që të zgjedhë qeveri në një vend tjetër, teksa ka pyetur si ka mundësi që në Procesin e Berlinit të ulen me të njëjtit njerëz që nuk e njohin Kosovën.