Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, i ka bërë thirrje Kosovës që ta përgatisë vetë draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas takimit me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ai tha se vizioni i kryeministrit për Asociacionin, nuk është i mjaftueshëm. Edhe deputetët kanë shprehur kërkesa specifike ndaj komunitetit ndërkombëtar.
Draftvizioni i kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk është i mjaftueshëm, tha ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Pas një takimi që pati me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Rohde shtroi nevojën që Kosova sa më shpejtë ta përgatisë një draft dhe jo vizion për statutin e Asociacionit.
“Drafti më i mirë mund të përgatitet nga vetë Kosova për Kosovën. Një vizion nuk është draft. Çka na duhet nga Kosova sa më parë është një draft, që të shohim se çfarë idesh konkrete ka për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ky, mendoj që është obligim i Kosovës për ta sjellë përpara këtë proces”, tha Rohde.
Takimi ka qenë i mbyllur për mediat, e kryetarja e Komisionit, Arbresha Kryeziu Hyseni, tha se në të janë diskutuar një varg temash, përfshirë edhe dialogu Kosovë-Serbi. Ajo tregoi se edhe deputetët kanë pasur kërkesa për ambasadorin.
“Kemi ndarë edhe shqetësimet tona për faktin sesi Serbia vazhdon të jetë destruktive. Qysh në orët e para prej kur është arritur marrëveshja në Ohër vazhdon ta shkelë dhe të mos e pranojë asnjërën prej pikave për të cilat palët janë dakorduar në kuadër të procesit të dialogut dhe sigurisht kemi kërkuar që BE-ja të jetë më vigjilent sa i përket qasjes së Serbisë dhe të kërkojë llogari më shumë sa i përket implementimit”, tha Kryeziu Hyseni.
Pas takimit në komision, ambasadori Rohde është pyetur nga gazetarët për kompaninë e kontraktuar nga Ambasada gjermane për kryerjen e shërbimeve mbështetëse për aplikimin për viza, së cilës Gjykata ia ka ndaluar marrjen e pagesës prej 30 eurosh, si tarifë për kthim të pasaportave.
“Me sa unë e di është një rast në proces dhe nuk dua ta komentoj. Duhet ta pyesni Visametric-un”, tha Rohde.
Por, në takimin mbi një orësh me ambasadorin, asnjëri nga deputetët nuk e ka adresuar këtë çështje.
“Pra, unë po ju premtoj që do ta bëj këtë. Do t’i shkruaj ambasadorit personalisht dhe kurdo që të marr një përgjigje do ta ndaj me ju pa asnjë problem”, tha Kryeziu Hyseni.
Me ambasadorin, deputetët kanë diskutuar edhe çështja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.