LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja përsërit kërkesën për Trustin, kërkon heqjen e Ligjit për pagën minimale

Opozita ka kërkuar edhe një herë që partia në pushtet ta mbështesë projektligjin i cili do të mundësonte edhe një tërheqje të mjeteve nga Trusti. Në mbledhjen e Kryesisë, të hënë, ku u caktuan tri seanca, parashihet edhe votimi i Projektligjit për pagën minimale. Por opozita dhe veteranët kanë bërë thirrje që të mos votohet ky ligj pa u përfshirë edhe kërkesat e tyre.

Në mbledhjen e Kryesisë, ku u vendos që të mbahen tri seanca plenare, opozita ka përsëritur kërkesën për votimin e Projektligjit për Trustin.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje partisë në pushtet që ta heqë nga rendi i ditës për të martën pikën për përcaktimin e pagës minimale.

Ndërsa për seancën e së enjtes ka kërkuar përkrahjen e iniciativës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

“Lënien jashtë të kategorisë më të ndjeshme në asnjë rrethanë s’e përkrahim. Diskriminimi deri në këtë masë, pikërisht në 23-vjetorin, kur thurim lavde për UÇK-në, veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve, ta kemi një pikë siç është përcaktimi i pagës minimale dhe të mos t’i shtijmë as në pagën minimale pensionet e veteranëve të UÇK-së, është një dëm që u bëhet themeleve të lirisë së vendit”, ka thënë Tahiri.

Tërheqje nga rendi i ditës të Ligjit për paga, për t’i dhënë mundësi përfshirjes së kërkesave të veteranëve, ka kërkuar edhe AAK-ja.

“E shohim si ligj diskriminues, ligj që e dëmton në esencë një kategori të nderuar të vendit tonë. Po shpresoj, e besoj që edhe LVV-ja, edhe Qeveria të reflektojnë në këtë kërkesë për shkak se mendoj që është gabim shumë i madh”, ka thënë shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.

Por shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes e ka përsëritur se nuk mbështesin nismën për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Kjo nuk ka të bëjë me inate politike apo kokëfortësi tonën në raport me kërkesën. Por, sepse është e dëmshme dhe e shkatërron Trustin. Brenda grupit parlamentar të vetëvendosjes nuk ka pasur asnjë zë që e ka kërkuar mbështetjen e kësaj iniciative”, ka thënë Kusari pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim për caktimin e tri seancave plenare. Seanca e parë me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara do të mbahet të martën në orën 13:00, ndërkaq të enjten dhe të premten seancat e radhës.