LAJMET E MBRËMJES

Luljeta Aliu-Krasniqi zgjidhet anëtare e KPM-së, kritikohet LVV-ja për politizim

Kuvendi ka zgjedhur Luljeta Aliu-Krasniqin anëtare të Komisionit të Pavarur për Media nga radhët e grave kandidate. Kjo ka nxitur reagime të shumta, pasi ajo shihet si e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, që e ka shumicën në Kuvend. Sipas Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave, anëtarja më e re e KPM-së nuk do të mund të shërbejë si e pavarur në këtë pozitë.

Me 48 vota për, Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Luljeta Aliu-Krasniqin anëtare të Komisionit të Pavarur të Mediave nga radhët e grave kandidate, në seancën e së mërkurës.

Ndërkaq konkursi për dy anëtarë të tjerë të këtij Komisioni do të rishpallet, meqë asnjëri nga kandidatët nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme.

Në garë me Aliu-Krasniqin ishte kandidatja Violeta Hyseni-Kelmendi, e cila mori 22 vota më pak në votimin e fshehtë të deputetëve.

Por përzgjedhja që ka bërë Kuvendi është përcjellë me reagime, për politizim të KPM-së nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, tha se partia në pushtet e ka përzgjedhur në këtë pozitë militanten e vet.

“Tejet shqetësuese se deri ku ka shkuar niveli i këtij pushteti dhe çfarë është në gjendje të bëjë për të kapur secilin institucion për ta ushtruar ndikimin e tij”, ka thënë Bytyqi.

Pas votimit ka reaguar edhe nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave, sipas së cilës anëtarja më e re e KPM-së nuk do të mund të shërbejë si e pavarur në këtë pozitë.

“Na vjen keq që e shohim këtë zhvillim, pasi bie ndesh me procesin e depolitizimit të KPM-së që kishte filluar LVV-ja. Këto zgjedhje janë një hap i madh drejt rimarrjes politike, në të njëjtën mënyrë që u bë në të kaluarën. Në dritën e ofertës së Kosovës për anëtarësim, ne do të iniciojmë menjëherë shkëmbimin me Këshillin e Evropës dhe PACE për t’i informuar ata për këtë zhvillim shqetësues, që do të ketë ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së”, ka thënë Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave.

Kritikë janë treguar edhe në Federatën Evropiane të Gazetarëve.

Ky emërim politik të jep vërtet përshtypjen se partia në pushtet po i shpërblen aktivistët e saj për mbështetjen e tyre, duke u ofruar atyre një pozitë në një organ publik që duhet të jetë i pavarur”, ka thënë Ricardo Gutierres, sekretar i Federatës Evropiane të Gazetarëve.

Luljeta Aliu-Krasniqi nuk iu përgjigj thirrjeve të KOHËS.

E, deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani, që është kryesues i Komisionit Parlamentar për Media, i mohoi akuzat për lidhjet që partia e tij mund t’i ketë me anëtaren e re të KPM-së.

“Ka pasur rastin që të jetë edhe në media, por që të jetë edhe analiste dhe kanë rezultuar që qëndrimet e saj të jenë të njëjta me një subjekt politik në atë kohë kur ajo ka qenë pjesëmarrëse në ato debate. Dhe, nuk mund të konstatojmë që dikush që mban qëndrim politik është aktivist ose aktiviste e atij subjekti dhe sot të akuzohet padrejtësisht. Të thuhet që Vetëvendosje po e emëron një aktiviste të subjektit të saj në Komisionin për Media, nuk qëndron ajo”, ka thënë Ramadani.

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së në fillim të procesit ka synuar që intervistimin dhe poentimin e kandidatëve ta bëjë të mbyllur, por është hapur pas presionit publik.

Me përzgjedhjen e Aliu-Kransiqit, KPM-ja do të bëhet me pesë anëtarë, duke e siguruar kështu kuorumin që i ka munguar për shqyrtim të ankesave.