Komuna e Mitrovicës nuk ka arritur t’ia sigurojë Këshillit Prokurorial një parcelë për ndërtimin e Prokurorisë, pavarësisht kërkesës të bërë që nga 2018-ta. Të njëjtin problem KPK-ja e ka edhe me Prizrenin. Zyrtarë të këtij institucioni janë ankuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike se, shkaku i kësaj situate, buxheti po u shkon në qira.
Këshilli Prokurorial i Kosovës qe pesë vjet nuk po mund ta sigurojë një parcelë për ndërtimin e një objekti të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Për herë të parë në 2018-n KPK-ja i ka bërë kërkesë Komunës për parcelën, por projekti i planifikuar nga KPK-ja as që ka nisur të realizohet.
Ky institucion i ka realizuar vetëm 48 për qind të projekteve kapitale gjatë vitit të kaluar, është bërë e ditur në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u shqyrtua raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të KPK-së.
Përfaqësues të KPK-së u ankuan se mjetet po duhet t’i shpenzojnë në qira, meqë ngjashëm si në Mitrovicë nuk është siguruar tokë as për ndërtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
“Ne e kemi objektin e prokurorisë në Mitrovicë me qira ka kohë që bëjmë përpjekje për ta siguruar një parcelë për ta bërë objektin tonë, kjo ka ndikuar edhe në përqindjen e shpenzimeve”, tha Suzana Pllana, drejtoreshë e financave në KPK.
Kjo ngjalli diskutim mes deputetëve të Vetëvendosjes që udhëheq Qeverinë dhe atyre të PDK-së, subjekt që drejton Komunën e Mitrovicës dhe atë të Prizrenit.
“Pa dashur ta hedh fajin, kompetencë e nivelit lokal është për ta ndarë parcelën. Prandaj ju duhet të bashkëpunoni më shumë me kryetarët e komunave, këtu i keni deputetët e atyre subjekteve politike”, tha Mirlinda Sadiku-Tishukaj, deputete e Vetëvendosjes.
“Ndryshimet ma të mira kanë ndodhur në Prizren dhe Mitrovicë. E di që Albinit më shumë i shkon për shtati Agim Bahtiri. Shpejt ndryshimet do të ndodhin edhe në nivel qendror”, tha Hajdar Beqa, deputet i PDK-së.
Deputetët opozitarë kritikuan edhe shkurtimin e buxhetit për KPK-në për 6 për qind, gjatë tremujorit të fundit.