LAJMET E MBRËMJES

Kosova i zgjeron sanksionet kundër Rusisë e Bjellorusisë

Pako të re me sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë ka miratuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së hënës. Mes tjerash, sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve ruse në territorin e Kosovës, bllokim të qasjes në fonde dhe ndalim të funksionimit në tregun kosovar. Në mbledhjen në të cilën mungoi kryeministri për shkak të vizitës në SHBA, zëvendësi i tij ka folur për hapat që do të ndërmarrin pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Qeveria e Kosovës i ka zgjeruar sanksionet kundër Rusisë, të cilat përfshijnë ngrirje të aseteve në territorin për të sanksionuarit, ndalim udhëtimi, bllokim të qasjes në fonde dhe ndalim të operimit në tregun financiar kosovar.

Pakoja e sanksioneve që përfshin ndalesa edhe për aleatin e Putinit – Bjellorusinë, u vendos në mbledhjen e Qeverisë të hënën.

“Do të ketë ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara, ndalim për çdo ndërmarrje të transportit rrugor rus dhe bjellorus që të transportojnë mallra përmes rrugëve brenda Kosovës, përfshirë transitin, përjashtimisht produktet farmaceutike mjekësore, bujqësore dhe ushqimore, duke përfshirë grurin dhe transportin rrugor për qëllime humanitare. Do të ketë ndalim të importit nga Rusa të qymyrit dhe lëndëve të tjera djegëse të ngurta në Kosovë nëse ato janë me origjinë nga Rusia ose eksportohen nga Rusia”, ka thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tek ka prezantuar vendimin.

Qeveria ka vendosur masa kufizuese edhe për grupin ushtarak privat me bazë në Rusi – Wagner, që zhvillon aktivitet në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Grupi Wagner konsiderohet se është i ndërlidhur apo përgjegjës për veprime që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Gjithashtu, konsiderohet përgjegjës edhe për shkeljen dhe abuzimin e të drejtave të njeriut e për aktivitete destabilizuese edhe në vende të tjera, duke përfshirë Libinë dhe Sirinë. Aktivitetet e këtij entiteti janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me marrjen e masave restriktive antiterroriste ndaj ISIL (Da’esh) dhe Al-Qaeda, si dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave të tjera të lidhura me këto organizata, që veprojnë në Afganistan dhe rajonin fqinj. Këto sanksione përfshijnë ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara; ndalimin e udhëtimit në territorin e Kosovës të individëve të sanksionuar; ndalimin për individë dhe entitete të Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

“Individët e subjektit të sanksionuar janë të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve terroriste në Afganistan dhe vendet fqinje, prandaj ato përbëjnë një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Nëpërmjet aktiviteteve të tyre propagandistike, ata gjithashtu kanë luajtur një rol kyç në promovimin e ideologjisë së dhunshme xhihadiste të Al-Qaedas dhe Daeshit dhe në nxitjen e akteve terroriste në mbështetje të këtyre dy organizatave. Ky vendim do ta konfirmojë vendosmërinë tonë të palëkundur për ta luftuar kërcënimin terrorist të paraqitur nga Daesh dhe Al-Qaeda dhe degët e tyre rajonale”, ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shenjëstruara. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i masave, autoriteteve kompetente dhe procedurave për propozimin, miratimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shenjëstruara në Republikën e Kosovës. Këto masa kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftën kundër terrorizmit dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, me qëllim të kontributit në zhvillimin dhe forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe arritjes së objektivave të tjera në përputhje më të drejtën ndërkombëtare.

Mst: Bislimi: Vendime të rëndësishme deri sa të anëtarësohemi në KE

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili drejtoi mbledhjen e qeverisë në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, që ndodhet në SHBA, ka folur edhe për aplikimin në Këshillin e Evropës.

“Janë disa hapa dhe vendime të rëndësishme deri në anëtarësimin e plotë, ndërkohë qeveria jonë do të vazhdojë të punojë me përkushtim për gjatë gjithë procesit hap pas hapi, në mënyrë që të sigurojmë forcimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive elementare të qytetarëve të Kosovës dhe qasjen e tyre në institucionet e tjera evropiane. Ne besojmë fuqishëm se të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës të cilat veçse e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran i gëzohen avancimit të vendit tonë në rrugëtimin drejt vlerave, standardeve dhe mekanizimeve integrues”, ka thënë Bislimi.

Nismën e qeverisë për aplikim në Këshillin e Evropës e ka përshëndetur edhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së në opozitë.

“Është bërë punë e gjatë në vazhdimësi, dhe është momenti i duhur se tanimë nuk është Rusia në Këshillin e Evropës për të na penguar. Besoj shumë në ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë dhe ta realizojmë anëtarësimin. Është e arritur e gjithë Kosovës dhe e institucioneve. Ka qenë një punë e madhe dhe e vazhdueshme. Edhe tani angazhohemi seriozisht që të arrihet anëtarësimi”, ka theksuar Haradinaj.

Kosova dorëzoi të enjten e kaluar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, veprim që nxiti reagimin e Serbisë e cila aktivizoi fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës.

Por Kosovës mbështetje i ofruan shtete të rëndësishme brenda kësaj organizate, sikurse Gjermania. Deputeti gjerman, Knut Abraham, i ka bërë thirrje të hënën Komitetit të Ministrave të shteteve anëtarë të Këshillit të Evropës që Kosova të futet në rend dite në takimin, i cili mbahet në fund të kësaj jave.

“Koha për të vepruar. I bëj thirrje qeverisë italiane që tani ta vendosë në rend dite kërkesën e Kosovës, në mënyrë që të diskutohet në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës në Torino të premten. Momenti i duhur duhet të përdoret tani”, ka shkruar Abraham në “Twitter”.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim është e domosdoshme mbështetja nga dy të tretat e tyre. Shpresat e Kosovës për pranim janë shtuar pas përjashtimit të Rusisë nga ky Këshill.