LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Drafti i Ramës është veprim i njëanshëm, Kosova s’ka interes për përmbajtjen e tij

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka interpretuar si të gabuar dhe të njëanshëm draftstatutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ua përcolli kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Ai theksoi se Kosova nuk ka interes që ta shohë këtë dokument, teksa shtoi se për përgatitjen e drafteve, përgjegjëse janë vetëm institucionet e Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk ka interes që ta shohë draftstatutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të përgatitur dhe të dorëzuar te faktori ndërkombëtar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Këtë veprim të Ramës, Konjufca të shtunën e interpretoi si të gabuar dhe të njëanshëm. Ka insistuar se për përgatitjen e drafteve për statutin e Asociacionit, përgjegjëse janë vetëm institucionet e Kosovës.

“Nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen e tij, nuk e kam parë. Në parim mendoj që është gabim, pavarësisht përmbajtjes. Është një defekt parimor, sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla, pa u ulë me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme, së bashku”, tha Konjufca.

Këtë qëndrim Konjufca e shprehu në shënimin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, por që nuk pranoi të deklarohej para mediave lidhur me çështjen.

Por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPressin, tha se Kosova nga Shqipëria pret mbështetje e jo ndërmjetësim.

Njoftimi i Ramës për dorëzimin e draftstatutit te kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, është interpretuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.

E nga Prizreni, kryetari i Kuvendit foli shkurt edhe rreth paralajmërimit për përgatitjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, shkaku i situatës së krijuar në veri. Ai tha se institucionet janë duke punuar për evitimin e tyre.

“Institucionet tona dhe ministritë tona janë duke punuar ngushtë me aleatët dhe me partnerët që kjo situatë të tejkalohet”, deklaroi Konjufca.

E përkitazi me sanksionet e tjera të paralajmëruara ndaj Kosovës, KOHA ka adresuar pyetje edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe në Bashkimin Evropian, porse nuk ka marrë përgjigje.