Në kuadër të aktiviteteve “Javët e Kulturës Hungareze” në Kosovë e Shqipëri, Akademia hungareze e Shkencave ka sjellë botimin e parë që trajton marrëdhëniet historike, kulturore e politike mes shqiptarëve dhe hungarezëve.
Me synimin për të qenë si volumi i tretë i “Illyrisch-albanische forschungen”, që ishte botuar plot 103 vjet më parë, përmbledhja bën bashkë trajtesa që nisin me bashkëpunimin mes Skënderbeut dhe Huniadit, për të vazhduar me histori sunduesish, gjeneralësh e priftërinjsh shqiptarë në Hungari e deri te episode moderne si kontesha Géraldine Apponyi që u bë mbretëresha e shqiptarëve dhe njohja e Kosovës nga Budapesti, raporton “Koha Ditore”.
Krejt këta shekuj bashkëpunimesh të ndërsjella deri te lidhja e mbretit Zog me hungarezët, janë disa prej subjekteve që trajtohen në librin “These were hard times for Skanderbeg, but he had an ally, the Hungarian Hunyadi: Episodes in Albanian-Hungarian Historical Contacts” i edituar nga albanologu, Krisztián Csaplár-Degovics.
Botim i Qendrës Kërkimore të Humaniteteve pranë Akademisë Hungareze të Shkencave, ky libër u përurua të hënën në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës si pjesë e aktiviteteve për “Javët e kulturës hungareze në Kosovë”.
Brenda 324 faqeve të librit, 15 studiues hungarezë kanë trajtuar aspekte të ndryshme të bashkëpunimit të dy popujve që ka zanafillën në shekullin e pesëmbëdhjetë. E një aspekt i ri i marrëdhënieve politike në vitet e fundit është trajtuar nga një studim i ambasadorit hungarez në Prishtinë, Lászlo Mákusz, i cili ka shkruar për politikën e Budapestit zyrtar në përkrahje të shtetit të pavarur të Kosovës... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin e nesërm të Kohës Ditore)