Kulturë

Gjirokastra feston 20-vjetorin si trashëgimi botërore

Gjirokastra feston 20-vjetorin si trashëgimi botërore

Njëzetvjetorin e futjes në UNESCO, Gjirokastra e ka festuar me ekspozitë e koncert

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ka shënuar 20-vjetorin nga shpallja pasuri botërore nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë dhe Kulturë – UNESCO-s, teksa mbetet një ndër më të vizituarit nga turistët vendas e të huaj. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër ka organizuar të martën një sërë aktivitetesh në kalanë e qytetit.

Pjesë e festimeve ka qenë edhe hapja e ekspozitës fotografike, si dhe një koncert me këngë polifonike dhe valle tradicionale. Turistë të shumtë që vizitonin kalanë iu bashkuan grupit të këngëve dhe valleve, pasi kishin dëshirë t’i njihnin më shumë ato.

I konsideruar si një qytet që përbën dëshmi unike të traditës kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt XIV-XV, në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet.

“Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit”, shkruhet në shënimet për Gjirokastrën. 
Kalaja, e ndërtuar në shekullin XIII, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa Pazari, i vendosur në qendër të qytetit, ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme me rrugica të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj.