Arbëri

Pupovci: Rënia e numrit të studentëve ka shumë faktorë që s’po adresohen siç duhet nga institucionet

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka folur për sfidat me të cilat po përballet arsimi i lartë në Kosovë, duke theksuar se rënia e numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës dhe universitete të tjera publike është rezultat i një sërë faktorësh që nuk po adresohen siç duhet nga institucionet.

“Në vitin 2016/17 kishim rreth 120 mijë studentë, ndërsa tash ky numër ka rënë në 70 mijë. Tkurrja demografike është një realitet, por ndikojnë edhe faktorë tjerë si rënia e numrit të nxënësve e maturantëve, konkurrenca nga universitetet private dhe ndarja joracionale e universiteteve publike në vend”, ka thënë Pupovci në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai theksoi se Universiteti i Prishtinës ka reduktuar kuotat e pranimit duke u vetëdijësuar për mungesën e interesimit.

“Prej 12 mijë maturantëve, mbi 6 mijë kanë aplikuar në UP. Prapë shumica dërrmuese është në UP”, ka thënë ai.

Pupovci ngriti shqetësime edhe për ekzistencën e programeve me interes pothuajse inekzistent në UP, duke sugjeruar që disa prej tyre të fuzionohen ose të shuhen fare.

Sipas Pupovcit, mungesa e një qasjeje strategjike nga niveli qeveritar dhe akademik për adresimin e këtyre problemeve është një prej sfidave më të mëdha. Ai përmendi edhe praninë e pesë fakulteteve juridike dhe pesë ekonomike në sektorin publik, si fusha që kërkojnë ndërhyrje urgjente.

Në lidhje me cilësinë e arsimit të lartë, ai vlerësoi se stafi akademik ka qenë një faktor kyç për rënien e cilësisë, por ka theksuar se kohët e fundit janë vendosur kritere më të qarta dhe se ka një përmirësim të ngadaltë.

Ai përgëzoi gjithashtu Agjencinë e Kosovës për Akreditim për rikthimin në EQAR (Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), duke e cilësuar si sukses të merituar dhe rezultat të autonomisë së saj pas vitit 2018.

“Agjencia e Kosovës për Akreditim është e vetmja nga Ballkani Perëndimor që është pjesë e EQAR. Kjo u arrit edhe falë lobimit dhe mbështetjes politike, por tani nuk duhet të flemë. Rikthimi është për katër vjet, dhe pas tre vitesh do të bëhet vlerësimi i radhës”, përfundoi Pupovci.