Artisti Somer Shpat ua ka hequr pluhurin materialeve arkivore që kanë të bëjnë me qytetin e tij, teksa ka kthyer kohën në vitet ‘60 e ‘70, për ta shpalosur një kapitull historik për jetën ekonomike, kulturore, arsimore e sociale. Por, nuk ndalet me kaq. Këtij arkivi alternativ ia sjell edhe një libër arti punëdore, në të cilin janë përdorur teknika të ndryshme
Në kufijtë e mjegulluar mes reales dhe trillimit, Somer Shpat, me hulumtimin e tij artistik të titulluar “Pluhurosur”, ka filluar shpalosjen e një historie imagjinare të qytetit të Prizrenit, që është krijuar nga materialet arkivore si dhe krijimtaria e tij artistike. Të dyja bashkë sjellin rrëfimin herë real e herë imagjinar për modernizmin në Prizren, përkatësisht jetën ekonomike, kulturore, arsimore e sociale të viteve ‘60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar.
Një pjesë e këtyre materialeve arkivore janë ekspozuar nëpër pano të cilat ishin të vendosura në muret e jashtme të kinemasë “Lumbardhi” në Prizren. E, artisti Shpat të shtunën ka ofruar më shumë hollësi rreth përmbajtjes së tyre.
“Këtë projekt artistik e kam quajtur ‘Pluhurosur’, sepse të gjitha materialet me të cilat kam pasur punë, pra fotografitë, dokumentet, artikujt, kanë pasur shumë pluhur. Por, në të njëjtën kohë kam vërejtur se këto storiet prej fotografive, ditarëve, janë gjysmë të harruara. Nuk janë tërësisht të harruara, por kanë pluhur në to, pasi askush nuk po i prek. Pra, disi janë izoluar, vitet ‘60 dhe ‘70 kur kishte filluar të funksionojë ose të mundohej të funksionojë modernizmi”, ka thënë Shpat.
Ai tha se fillimi i këtij projekti ndërlidhet me periudhën e zbatimit të masave të para kufizuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
“Projektin e kam filluar më herët, në arkivin e familjes time, me fotografitë e dokumentet e vjetra që i kam pasur në shtëpi. Në fillimet e pandemisë kam filluar t’i digjitalizoj ato. Pastaj ka ardhur koha edhe me fol me njerëz, me kërku çka kanë nëpër shtëpitë e tyre materiale të ndryshme, sepse në Kosovë ka shumë pikëpyetje për arkivat, nuk e dimë çka kanë, është vështirë me iu qasë, janë shumë gjëra që nuk ekzistojnë. Prandaj e mendova si njëfarë arkivi alternativ, me hulumtu, me gjetë sende dhe me kriju diçka që është mes realitetit dhe fiktives”, ka treguar Shpat.
Me materiale arkivore të ekspozuara nëpër pano të vendosura në muret e jashtme të kinemasë “Lumbardhi”, Somer Shpat sjell rrëfimin herë real e herë imagjinar për modernizmin në Prizren
Artisti prizrenas mbi këtë bazë ka jetësuar projektin e tij.
“Janë plot sende që janë reale, si fotografitë dhe storiet, por në të njëjtën kohë është edhe krijimtaria ime artistike dhe është njëfarë mjegulle në mes. Se cila është cila i takon audiencës ta përcaktojë, ose ta besojë ose jo”, është shprehur ai.
Shpat ka pohuar se shpalosja e projektit të tij artistik ka filluar me ekspozitën nëpër ato pano që ishin të vendosura në muret e jashtme të kinemasë “Lumbardhi”, derisa është krijuar edhe një libër arti punëdore, në të cilin janë përdorur teknika të ndryshme, ndërkohë që do të pasojë edhe mbajtja e një punëtorie dhe publikime të tjera.
“Aty ka tema të ndryshme, si për shembull jeta e fabrikave të atëhershme, si ‘Printeks’, ‘Famipa’ e të tjera, si janë krijuar, çfarë vendi kanë pasur në mesin e popullatës, si kanë punuar punëtorët, pastaj jeta kulturore, teatrot, shkollat, e të tjera”, ka treguar Shpat. Ai shprehet i bindur se i gjithë materiali arkivor tregon një histori të Prizrenit, i cili nuk ka një memorie vizuale që duhet të krijohet. “Besoj që me këtë projekt të hidhen hapat e parë në këtë drejtim”, ka thënë Shpat.
Bashkëpunëtorja për program dhe hulumtim në “Lumbardh”, Donjetë Murati, ka bërë të ditur se ky projekt prezantohet në kuadër të programit QARK, që është format bashkëpunimi me artistë, hulumtues dhe kuratorë, për të korresponduar me kërkimet dhe programet e “Lumbardhit”. Sipas saj, duke përdorur procesin bashkëpunues si një mjet të të mësuarit kolektiv, QARK synon t’i formësojë mënyrat në të cilat “Lumbardhi” operon, zgjerohet dhe angazhohet me komunitetin artistik dhe kërkimor.
“Someri ka filluar punën në dhjetor të vitit të shkuar dhe gjatë kësaj kohe ka punuar në një libër arti. Në të njëjtën kohë, krejt hulumtimi i tij artistik do të shpaloset përmes disa ngjarjeve. Ngjarja e ardhshme është më 4 maj, kur do të mbahet një punëtori në të cilën ai na tregon se si bëhet një libër dhe teknikat që i ka përdorur”, ka thënë Murati, duke shtuar se më pas edhe një tregim fiktiv si rezultat i hulumtimit do të publikohet në blogun e “Lumbardhit”.
Ndërkaq, sociologu Tevfik Rada ka sqaruar se hulumtimet e programit QARK ndërlidhen me projektin “Kinofigurimi”, që është një hulumtim për historinë e “Lumbardhit”.
“Someri ka bërë një hulumtim artistik në formë eksperimentale për historinë, se si është përjetuar modernizmi në Prizren në vitet ‘60 dhe ‘70”, ka thënë ai, duke shtuar se hulumtuesit e tjerë po ashtu në formë eksperimentale do të sjellin një libër ngjyrosjeje për historinë e “Lumbardhit”, si dhe një strip me ndodhi në Prizrenin distopik.