Arbëri

Situatë e jashtëzakonshme nga zjarret në Delvinë, spitali heq bombolat e oksigjenit

Delvina

Situata me zjarre në Shqipëri vazhdon të jetë e rëndë. “Top Channel” ka raportuar se në Delvinë zjarret i janë afruar shumë spitalit të qytetit. Zjarri ka rrethuar qytetin. Në spital janë marrë masa urgjente për largimin e sistemit të furnizimit me oksigjen, për ta shmangur rrezikun e një shpërthimi në rast se flakët arrijnë në godinë. 

Delvinë: Për shkak të flakëve që po afrohen me qytetin, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për t’i luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për ta ndihmuar në evakuimin e banorëve. Nuk ka rrezik për banesat”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. 

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në një raport disa orë më parë ka treguar se janë 30 vatra aktive. Ai ka treguar se situata në Gramsh është problematike. Janë evakuuar banorët e Skënderbegasit dhe një person ka humbur jetën. 

Po ashtu edhe në Finiq të Vlorës janë përhapur zjarret pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër. E gjithashtu janë përmendur si vatra zjarri ai në Poliçan dhe po ashtu në Ibër dhe Damjan në Tiranë. 

“Në operim: 5 helikopterë Black Hawk (Shqipëri, Emiratet e Bashkuara, Çekia, Sllovakia) dhe avionë PZL nga Greqia. Thirrje për qytetarët: Bashkëpunoni me autoritetet, shmangni zonat e prekura dhe raportoni menjëherë çdo vatër të re”, ka shkruar Vengu.