Ka përfunduar rrugëtimi i Shkëndijës së Tetovës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por jo edhe paraqitja e saj në Evropë.
Shkëndija të martën mbrëma humbi me rezultat shumë të thellë në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Championsit. Në Baku ekipi tetovar humbi me rezultat 5:1 nga kampioni i Azerbajxhanit, Qarabag.
Shkëndija edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar javën e kaluar në Shkup pësoi nga Qarabagu. Humbi 1:0 dhe kështu me rezultat të përgjithshëm 6:1 u eliminua nga “Championsi”. Rrugëtimin e saj do ta vazhdojë në plejofin e Ligës së Evropës.
Tetovarët do të përballet me Ludogoretsin e Bullgarisë në plejofin për të siguruar paraqitjen në fazën e ligës të Ligës së Evropës.
Ludogoretsi u eliminua nga Ferencvaroshi i Hungarisë të martën pas humbjes 3:0 në udhëtim. Ndeshja e parë në Bullgari kishte përfunduar baras 0:0.
“Sigurisht që prisnim më shumë sesa një humbje e tillë. Po luajmë në nivelin më të lartë tani, e nisëm ndeshjen shumë mirë, ishim duke fituar 1:0, dhe në këtë nivel nuk lejohet të pësosh gola të tillë. Pas kësaj ishte gjithnjë e më e vështirë dhe e ndërlikuar, ramë shumë në aspektin psikologjik. Nuk ka zhgënjim, duhet të jemi realistë, nëse diçka nuk është në rregull, le të marr përgjegjësinë unë së pari si kreu i stafit të trajnerëve. Le të shërbejë kjo ndeshje si mësim për të ardhmen, duhet të sakrifikojmë më shumë, të luftojmë, në këtë nivel nuk duhet t'i lejojmë vetes gola kaq të lehtë dhe të përpiqemi të jemi më të mirë në ndeshjen tjetër që na vjen në Ligën e Evropës, dhe të mobilizohemi në kampionatin vendas”, ka thënë trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Jeton Beqiri.
Edhe pse klubi shqiptar nga Maqedonia e Veriut kaloi në epërsi në minutën e dhjetë me golin që e realizoi Fabrice Tamba, nuk arriti më pas t’i rezistojë sulmeve të ekipit kundërshtar.
Vendësit shifrat i barazuar në minutën e 16-të pas autogolit të shënuar nga Klisman Cake. Dy minuta më pas, Kady Borges, e realizoi golin e epërsisë, 2:1. Golin për 3:1 shënoi Nariman Akhundzade në minutën e 33-të, ndërsa Marko Jankoviq nga penalltia shënoi për 4:1 në minutën e 35-të. Pjesa e parë përfundoi 4:1.
Qarabagu e shënoi edhe një gol deri në përfundim të ndeshjes. Për 5:1 shënoi Leandro Andrade në minutën e 59-të.
Shkëndija ishte skuadra e vetme shqiptare që deri më tani ishte pjesë e kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.
Skuadra tetovare rrugëtimin në garat evropiane e filloi nga raundi i parë kualifikues i Championsit ku e eliminoi TNS-në e Uellsit.
Më pas në raundin e dytë e eliminoi kampionin rumun, FCSB, duke e mposhtur në të dyja ndeshjet me rezultat të përgjithshëm, 3:1.
Avancimi në raundin e tretë të Championsit ku edhe u eliminua, skuadrës tetovare ia ka siguruar të paktën fazën e ligës në Ligën e Konferencës. Por synimi i tetovarëve është faza e ligës të Ligës së Evropës.