Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit duhet të zbatohet sepse ndryshe do të ishte e rrezikshme për Kosovën, ka thënë Melazim Koci, ish-kryeredaktor në REL.
Koci ka theksuar se edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses ka mundësi që të ketë vakum politik, pasi siç ka thënë ai, Gjykata e interpreton një Kushtetutë “që ka vakum juridik”.
“Vendimi të zbatohet sepse në të kundërtën do të ishte e rrezikshme për Kosovës nëse një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohet, sepse është instanca e fundit, nëse nuk do zbatohej Kosova do hynte në anarki, kaos, në terren të panjohur. Por, nuk mendoj se ka rrezik të tillë... Po, ka shumë mundësi që të gjenden hapësira të tjera sepse thjesht Gjykata Kushtetuese është me duar të lidhura. Ajo e interpreton një Kushtetutë që ka vakum juridik”, ka thënë ai në Interaktiv.
Koci u shpreh se çështja e zgjedhjes së kryeparlamentarit/es do të zgjidhej nëse procesi do të shkonte siç bën zgjedhje e një qeverie.
“Nëse ne do ta kishim të rregulluar çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit siç është zgjedhja e Qeverisë, nuk do të kishim këtë situatë. Sepse partisë së pare do t’i jepej të parës e drejta për të propozuar dhe zgjedhur, nëse nuk do mundej brenda afatit 15-ditor do t’i jepej partisë së dytë. Nëse nuk do mundej partia e dytë, shkohet në zgjedhje, por nuk ka bllokadë”, ka thënë ai.
Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht njoftimin mbi aktgjykimin i cili u kërkon deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Sipas aktgjykimit, që ende nuk është publikuar i plotë në gazetën zyrtare, kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe i njëjti kandidat për këtë post mund të votohet vetëm deri në tri herë. Kandidatja e vetme për të cilën deri tash ka insistuar Lëvizja Vetëvendosje është Albulena Haxhiu.
Eksponentë të Vetëvendosjes e kanë kritikuar Kushtetuesen për vendimin, por ai është mirëpritur nga partitë që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë.