Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Përfaqësuesit e Finlandës në Eurovision refuzojnë të flasin për mediat serbe, shkak mund të jetë Kosova

Finlanda

Përfaqësuesit e Finlandës në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit, Linda Lampenius dhe Pete Parkkonen, janë vënë në qendër të raportimeve të mediave serbe, pasi kanë refuzuar të flasin për mediat nga Serbia.

Sipas mediumit serb Nova.rs, gazetarët serbë kanë tentuar të marrin një deklaratë nga dyshja gjatë parakalimit në tapetin kryesor më 10 maj, por përfaqësuesit finlandezë thuhet se janë shprehur se “nuk kanë nevojë për promovim në Serbi”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mediat serbe raportojnë se pas insistimit të gazetarëve të Radiotelevizionit të Serbisë (RTS), Linda dhe Pete kanë pranuar t’u përgjigjen vetëm dy pyetjeve. Sipas tyre, përgjigjet kanë qenë të shkurtra, ndërsa anëtarët e delegacionit finlandez kanë sinjalizuar me duar se sa pyetje kishin mbetur.

Edhe pse artistët finlandezë nuk kanë dhënë ndonjë arsye zyrtare për këtë sjellje, mediat serbe pretendojnë se shkaku lidhet me faktin që Linda Lampenius gjatë karrierës së saj ka performuar për trupat e NATO-s në Kosovë. Ajo po ashtu ka performuar edhe për forcat detare amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjë që sipas mediave serbe “ua ka humbur simpatinë e publikut serb”.

Ndërkohë, mediumi serb Telegraf.rs ka raportuar edhe për pretendime të publikut se dyshja finlandeze po trajtohet në mënyrë të privilegjuar krahasuar me artistët e tjerë, pasi u lejohet të përdorin instrumente live gjatë performancës.

Në performancën e Finlandës, Linda Lampenius interpreton një solo me violinë, ndërsa sipas mediave serbe, përfaqësueses zvicerane Veronica Fusaro nuk i është lejuar të performojë live me kitarë.

Pavarësisht pretendimeve, Finlanda u kualifikua në finale gjatë natës së parë gjysmëfinale (të martën). Është prej favoritëve për ta fituar Eurovisionin që po mbahet në Vjenë. Finalja organizohet të shtunën.

Shqipëria do të performojë nesër me këngën “Nan” të artistit Alis.