Në 16-vjetorin e tij e të shtetit NEWBORN-i feston për lirinë e lëvizjes. Njëkohësisht bën thirrje edhe për më shumë liri në krejt botën. Imazhet e kryeqendrave të Evropës kanë mbështjellë shkronjat dhe në koncept pyet nëse shtetasit e këtij vendi mund të fluturojnë përreth “7 qiejve”. Ky përvjetor Kosovën e gjen me liberalizim vizash
NEWBORN-i qysh në ditën kur u zbulua, u pagëzua si monumenti i Pavarësisë. Liria qe e nënkuptueshme. Por në 16-vjetorin e shtetit, monumenti që ka po kaq ditëlindje frymon edhe me lirinë e lëvizjes. Evropa “gjendet” në të. Janë simbolet e kryeqyteteve evropiane ato që dominojnë në shtatë shkronjat e obeliskut.
Në ditën e parë të janarit të sivjetmë qytetarët e Kosovës kanë fituar të drejtën që të udhëtojnë pa viza në vendet e kontinentit që i përkasin. NEWBORN para tetë vjetësh ka protestuar kundër pamundësisë së lëvizjes së lirë. E tash, pak orë para se shteti të shënojë të 16-n përvjetor, frymon me lirinë e lëvizjes.
Kulla e Eiffelit, si simboli i Parisit e Porta e Branderburgut me të cilën identifikohet Berlini, janë dy prej ilustrimeve bashkë me shenjat identifikuese të tjera si Koloseumi i Romës. Janë imazhe të qyteteve evropiane, që për t’i vizituar kosovarët deri në janarin e sivjetmëu është dashur të përballen me fashikuj të tërë dokumentesh para ambasadave në kërkim të vizave. Por tash ka ndryshuar gjendja. Për këtë arsye ka ndryshuar edhe NEWBORN-i.
“A mundemi ne, aspirantët, besimtarët, shpirtrat me vullnet të fortë të Kosovës, të ngrihemi mbi kufizimet e historisë sonë? A mund të fluturojmë përreth ‘7 qiejve’, secila shtresë që siguron dëshmi për vendosmërinë tonë të fortë dhe luftën e palodhshme për liri?”, shkruhet në konceptin e prezantuar nga ekipi transformues i monumentit në krye me ideatorin Fisnik Ismaili. Është pyetje që lidhet me krejt historinë e këtij vendi.

Shqiptarët e Kosovës kanëëndërruar për liri në kohët kur kjo aspiratëmund të dukej si tentim për tëfluturuar. Janë ngritur për këtë kauzë dhe ia kanë dalë bashkë me ndihmën e shteteve,ikonat e të cilave tash janë nëNEWBORN.
“Ndërsa shikojmë lart te NEWBORN, le të pyesim veten: Sa lart mund të na çojnë ëndrrat tona? Deri ku mund të na çojnë aspiratat tona?”, është pyetja tjetër që shtrohet në konceptin e transformimit të monumentitpër sivjet. Përgjigjja dihet: “Përgjigjja jehon në zemrat tona dhe rezonon në tokën tonë: Po, ne mund të fluturojmë!”, shkruhet aty.
Monumenti qëgjatë më shumë se një dekade ka shprehur revoltë, sivjet ka ngjyra festive. Mban të kaltrën e qiellit, njëkohësisht ngjyra bazë e flamurit të Kosovës dhe atij të Bashkimit Evropian. Kjo ngjyrë e dominon edhe monumentin. Bën përjashtim shkronja “Ë”, ku e verdha e diellit ka hapësirën kryesore. Përtej një loje estetike, autori sikur përshkruan se tash një diell më i plotë shndrit këtë vend.
Është kontrast i plotë me vitin 2016, kur telat me gjemba që ishin kufij me qiellin qenë protestë kundër pamundësisë për të lëvizur.
Sivjet Kosova është pjesë e Evropës, jo veç gjeografikisht, por edhe sa i përket lëvizjes së lirë. Më 2023,NEWBORN-i kishte për qëllim që të mbrojë atë për të cilën është krijuar: Republikën. Qe transformuar në NO NEW BR. E, kur në shkronjat BR është e shkruar “BROKEN REPUBLIC”, kompletohej mesazhi: NO NEW BROKEN REPUBLIC. Autori i monumentit, Fisnik Ismaili, kishte shigjetuar direkt planin për themelimin e një Asociacioni me një etni, atë të komunave me shumicë serbe. Aktualisht shteti më i ri i Evropës gjendet përballë presionit ndërkombëtar për ta themeluar këtë lloj pushteti të tretë. Fuste në lojë edhe Ukrainën, që prej shkurtit të vitit 2022 po përballet me luftë kundër Rusisë.
NEWBORN e ka fuqinë e mesazheve në botë.
Vepra e inauguruar më 17 shkurt 2008, kur edhe u shpall Pavarësia, për pesë vjet kishte qëndruar njëjtë. U përurua me ngjyrë të verdhë e transformimi i veprës për gjysmë dekade ishin nënshkrimet nga qytetarët.Për 5-vjetor të Pavarësisë ishin punuar flamujt e shteteve që kishin njohur Kosovën deri atëherë në shenjë falënderimi e duke bërë thirrje për njohje të reja. Një vit më vonë qe ngjyrosur me uniforma të NATO-s, pasi ishte 15-vjetori i çlirimit. Asokohe ishte një shenjë falënderimi për aleancën më të madhe ushtarake në botë, që çliroi Kosovën më 1999. Në shkurt të vitit 2015 autori i kishte ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in. Po atë vit vepra kishte marrë statusin e monumentit nga shteti. Një vit më vonë telat me gjemba dhe qielli shpërfaqën një tjetër perspektivë. Ngjyrosja më 2017-n ia kishte dhënë pamjen e një muri dhe rrëzimi i dy shkronjave krijonte thirrjen “NoWalls” (Pa mure). Sipas Ismailit, “NoWalls” ka qenë mesazh shumë i fortë. Bash atëherë u bë një mur në Mitrovicë e edhe DonaldTrump bënte fushatë me murin në kufi me Meksikën.
Në 10-vjetorin e Pavarësisë më 2018, monumentit në vend të shkronjës “B” i ishte vënë numri “1”, që bashkë me shkronjën “O” formonin numrin 10, që lidhej me dekadën e parë të Pavarësisë. E një vit më pas, më 2019, prapë ishte inkuadruar publiku duke bërë që ngjyrosja të ishte plotësisht në dorë të të rinjve, sipas dëshirës së tyre. Më 2020 qe homazh për viktimat e përdhunimeve kur të shtatë shkronjat e monumentit të Pavarësisë – NEWBORN – sublimonin mesazhin në formë thirrjeje “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime dhe shpërfillje” (në anglisht “NeverEndingWarsBringOpression, Rape&Neglect”). Më 2021, nëpërmjet shuplakave të dorës me ngjyrë, ekipi bashkë me qytetarët kishin bërë kamuflazh ushtarak.
Në 14-vjetor të Pavarësisë kishte gruan në fokus. Iu dedikua atyre me shumë arsye. Portretet shumëngjyrëshe që zinin shkronjat nga ana e përparme ishin gratë e suksesshme që ia zbardhin fytyrën këtij vendi. Nga prapa ishin lënë të zeza si një lloj homazhi për viktimat a thirrje kundër dhunës ndaj grave. Në aspektin global monumenti u bë edhe zëri i dyndjeve të refugjatëve që kanë qenë kryelajm në media botërore. NEWBORN-i ka marrë shpërblime ndërkombëtare për dizajn, duke përfshirë edhe “Luanin e artë” në Festivalin e 55-të Ndërkombëtar për Publicitet në Cannes. Agjencia “Ogilvy Kosova” ishte shpërblyer edhe me “SilverClio” në kategorinë e dizajnit në ceremoninë e 49-të me radhë të mbajtur në Miami.
Sivjet monumenti feston për lirinë e lëvizjes. Njëkohësisht bën thirrje edhe për më shumë liri në krejt botën. Dhe thirrja vjen nga një vend që pas pak muajsh feston 25-vjetorin e çlirimit. Atë pas revoltës që e simbolizon edhe NEWBORN-i.